Nënkryetari i PD, Belind Këlliçi ka reaguar pas deklaratës së biznesmenit Mohamed Alabbar, i cili u shpreh i penduar për investimin në Portin e Durrësit, duke e cilësuar projektin si të nxituar dhe një gabim.
Në një reagim në rrjetet sociale, Këlliçi akuzon kryeministrin Edi Rama se e ka trajtuar Portin e Durrësit si pronë private dhe kërkon ndërhyrjen e SPAK për atë që e cilëson si një aferë të rëndë. Sipas Këlliçit, fakti që vetë investitori ka ngritur pikëpyetje mbi projektin përbën një tjetër konfirmim të dështimit të tij.
“Një port 2 mijë vjeçar, me 80 hektarë truall me vlerën më të madhe në vend, iu fal mikut të Edi Ramës pa asnjë diskutim, debat apo dëgjesë”, deklaron Këlliçi.
Ai pretendon se deri tani investitori nuk ka hedhur fonde të tij në projekt dhe se janë përdorur rreth 60 milionë euro nga paratë e qytetarëve shqiptarë përmes kontratës së porosisë.
Këlliçi ngre gjithashtu akuza për cilësinë e punimeve në disa godina të ndërtuara në zonë, duke pretenduar se ato kanë pësuar zhytje dhe se kjo ka ngritur dyshime mbi zbatimin e projektit. “Edi Rama fali një pronë kaq të çmuar duke e ndëshkuar Shqipërinë dhe duke rrezikuar ta lërë pa port”, shkruan Këlliçi, ndërsa i kërkon SPAK-ut të hetojë përgjegjësitë për marrëveshjen e Portit të Durrësit.
Reagimi i plotë i Këlliçit:
Edhe Alabar denoncon Edi Ramën, çfarë pret SPAK të veprojë për krimin e rëndë me Portin e Durrësit?!
Miku i Edi Ramës Alabar, që mori falas 80 hektarë truall në portin e Durrësit, qenka shprehur se ky projekt ishte i nxituar dhe një gabim. Alabar paralajmëron kështu dështimin!
Në kulmin e protestave kundër korrupsionit dhe arrogancës së Edi Ramës, vjen një tjetër konfirmim se Kryeministri e ka trajtuar vendin si plaçkë dhe pronë private.
Po ky rast ishte një kulm i papërgjegjshmërisë dhe tradhtisë ndaj vendit. Sepse një port 2 mijë vjeçar, me 80 hektarë truall me vlerën më të madhe në vend, ju fal mikut të Edi Ramës pa asnjë diskutim, debat, dëgjesë.
Pra Edi Rama e trajtoi nyjen më të rendesishme tregtare dhe strategjike të kombit, sikur ta kishte kopshtin e tij në Surrel.
Deri tani, miku i Kryeministrit nuk ka investuar asnjë qindarkë. Aty janë hedhur rreth 60 milionë euro të marra nga qytetarët shqiptarë me kontratë porosie.
Janë bërë disa godina që u zhytën 18 centimetra, çka hodhi dyshime mbi cilësinë e punimeve.
Edi Rama fali një pronë kaq të çmuar duke e ndëshkuar Shqipërinë, duke e rrezikuar ta lërë pa port.
Pra kemi të bëjmë me disa krime të rënda.
Çfarë pret SPAK për ta marrë të pandehur e për ta vënë para përgjegjësisë, autorin e kësaj afere, që është Edi Rama?!
The post “Ishte një projekt i gabuar, u nxitova”/ Këlliçi pas deklaratës së Alabbar: SPAK të hetojë Ramën, edhe investitori konfirmon dështimin në Portin e Durrësit appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



