Ishte tren apo ishte “voz”?

Autor: Fadil Lepaja

Çfarë ndodhë me një lepur kur e kalon kufirin? Kështu i pyesnin dikur fëmijët për të testuar inteligjencën e tyre, dhe për të bërë pak shaka me ta. Nuk është aspak shaka, do të thoni me të drejtë. Kufiri me Serbinë asnjëherë nuk ka qenë shaka. Nëpër histori, ai kufi ishte shtyrë me qindra kilometra në jug dhe fëmijët nëpër shumë gjenerata janë rritur me rrëfime për familjet e tyre refugjate të cilat kishin ikur para zjarrit që ushtarët serb u vinin shtëpive të tyre.

Fëmijëri e kaluar, me rrëfime për ikjen e parë, të dytë, tretë… dhe kolonët e panumërt që i sillnin në mbrojtje të shtetit, për të krijuar strukturën etnike të parapëlqyer.

E fëmijët si fëmijë, përgjigjen secili ndryshe, duke futur në lojë imagjinatën e tyre, që përziheshin me dy ngjyrat e thjeshta të qilimave, ku kombinohej gjaku dhe nata. Gjithnjë ndodhte natën!
Zakonisht asnjëri nga fëmijët nuk e qëllonte përgjigjen e saktë, madje as ata që e dinin. Edhe ata nuk përgjigjeshin, por prisnin për të dëgjuar përgjigjen e preferuar të prindërve dhe për të qeshur me naivitetin fëmijëror rreth identitetit, kufirit, atdheut, të cilin e morëm me vete në bisht të qerres, në bisht çiftelie apo lahute sa herë që na u desh të tërhiqeshim në “pozicione” të reja kombëtare, më në jug apo më në Perëndim.

“E ndërron emrin, pra”, përgjigjeshin vet prindërit, asokohe kryesisht analfabetë, për të treguar se kufiri nuk është veç politik po në radhë të parë është çështje gjuhësore. Një lepur kur kalon nga Kosova në Serbi, pra, fillimisht e ndërron emrin. Nuk quhet më lepur, por quhet “zec”!

Lepuri si lepur, natyrisht, nuk do të ia di se si e quajnë. Brenga e tij e vetme është të mos përfundojë në çantën e ndonjë gjahtari, por fëmijët e kanë problem, sepse ata si kudo tjetër në botë, fillimisht e mësojnë gjuhën e tyre.

Kështu, derisa jemi ende te lepuri dhe hallet e tij me gjeopolitikën, duke iu referuar historisë së rrëfyer brez pas brezi, lepuri, hiq më shumë se para dy shekujsh, as kur e kalonte qytetin e Nishit, në drejtim të veriut, ende nuk e ndërronte emrin, por vazhdonte të quhej lepur.

E keni kuptuar, pra të dashur lexues, se këtu bëhet fjalë për qytetin e Nishit, pikërisht atë ku pak muaj më parë u mbajt samiti aq i medializuar serbo-shqiptar, në qytetin i cili dikur fliste gati krejtësisht shqip, për çka vështirë se qeveritarët shqiptarë të kenë qenë të informuar. Ose nuk donin të dinin. Fundja, ne jemi më të shpejtë se historia. Le të përsëritet ajo sa herë të dojë …!

Kështu, pas lojës me shtyrjen e kufijve në jug, ndërrimit të strukturës së popullsisë, gati dy shekuj më vonë, falë delegacionit të qeverisë së Republikës së Shqipërisë, dhe gazetarëve shqiptarë, në Nish sërish duhet të jetë dëgjuar fjala shqipe nëpër rrugë, me kusht që ata të mos kenë folur mes vete në anglisht, për të u treguar më “in” dhe për të mos provokuar qytetin e vjetër dhe nikoqirët me shqipen e tyre.

Mediat nuk raportuan, nëse gjatë këtij samiti kryeministri Rama ka përmendur ndonjëherë fjalën lepur apo se si e ka quajtur, por ka shumë gjasë që të ketë përmendur fjalën “tren”. Kështu vijmë te titulli i sotëm, falë marrëveshjeve të negociuara në Nish, ku përpos hekurudhës e cila vetëm sa ishte përmendur, janë nënshkruar edhe marrëveshje të cilat ende nuk i kemi lexuar, të plota, as në shqip, as në serbisht, dhe as në gjuhën më popullore ndër shqiptarët, pra në anglisht. Me pak fjalë, marrëveshjet duket se tashmë janë bërë në Ballkan dhe ne po e jetojmë vetëm vënien e tyre në skenë. Herë me tren e herë me voz?

Shumëkujt i dukej sikur një film me një skenar të lodhët, sikurse ishte edhe reagimi i të gjitha (super)fuqive të lodhura tashmë me konfliktin e “ngrirë”, i cili kurrqysh të shkrihet dhe të zgjidhet. Keni parasysh që bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve në Qipro, kanë filluar në fund të viteve të gjashtëdhjeta. Ende nuk janë… normalizuar.

Por, të kthehemi në temë. Njëjtë ndodhë edhe me “trenin”. Posa kalon andej, shndërrohet në “voz”. Kështu do të ndodhë edhe një kohë të gjatë, edhe kur kufijtë të jenë hequr fare. Lepuri mbetet lepur, e vozi mbetet voz. E kur ky “voz”-i është rus, atëherë edhe rrëfimi ynë i sotëm merr konotime krejt të tjera. Edhe “shakatë” e gjysheve për lepurushin veshgjatë marrin ngjyrat e qilimave tradicional, pra të frikës nga shpërnguljet e reja në jug apo në perëndim.

Pra, ishte tren apo voz? Emrat, luajnë rol të jashtëzakonshëm në gjeopolitikë. Jo vetëm toponimet, por edhe emrat e gjallesave apo sendeve si është rasti në këtë rrëfim tonë. Dikur kur të huajt që e vizitonin Kosovën flisnin me metafora, një albanolog i huaj e kishte pyetur një intelektual lokal se përse ne shqiptarët në të shkruar e përdorim fjalën tren, e jo voz, edhe pse ato kanë të njëjtin kuptim?

“Sepse treni ynë, është nisur për Evropë, e jo për Beograd”, qenka përgjigjur ai. A po shkon për në Evropë, treni i shqiptarëve? Po “vozi” serb, kah po shkon?

Për të përmbledhur situatën, ende nuk po dihet se kush në të vërtetë i ra pipit që ai të niset, prej Beogradi drejt Mitrovicës! Dikush thotë se “vozin” ja nisën rusët, Vuçiqit, përmes njerëzve të tyre në Beograd. Dikush thotë se e nisën krahu radikal rreth presidentit serb Nikolliq, i cili pas kthimit të “voz”-it, kërcënoi se është i gatshëm të dërgojë edhe ushtrinë në Kosovë për të mbrojtur serbët, të cilët në anën tjetër, sipas medias serbe luten që “vetëm luftë të mos ketë” sërish .

Disa të tjerë thonë se e nisën forcat informale, të cilat edhe në Serbi duket se janë shtet brenda shtetit, për dallim prej Kosovës ku janë në pushtet. Mafia serbe sipas disa komentuesve donte të mbrojë bastionin e sajë në veri të Kosovës, ku vepron e papenguar as nga Kosova as nga Serbia. Dilemat, pra, ende do të vazhdojnë, bashkë me politikën kosovare e cila po debaton për të kundërtën, pra po debaton se kush e ndali vozin. Derisa në Serbi debatohet se kush e nisi, në Kosovë po ndodhë e kundërta.

Njëmend, kush e ndali “voz”-in? Çfarë thoni? Shaka është kjo? Presidenti thoni?

Nëse më pyesni mua, ua them: krejt kjo ishte test. Testi tjetër pritet në shkurt. Me 15 shkurt. Veç dy ditë përpara ditës së pavarësisë, serbët me shumë gjasë do të shpallin një pavarësi të tyre, nga pavarësia.

Si do të reagojnë SHBA, BE, Rusia, Turqia ? A mund të thyej kjo krizë, e krijuar me plan, vetë procesin e bisedimeve në Bruksel?

Vërtetë mendoni se trenin e ndali… ai? Vërtetë, ishte tren apo ishte “voz”?

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme