Policia e Kosovës ka njoftuar se është gjetur pa shenja jete 36 vjeçari nga Peja i cili ishte raportuar dje si i zhdukur nga bashkëshortja e tij.
Lajmin për mediat e Kosovës e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë në rajonin e Pejës, Fadil Gashi. “Sot rreth orës 13:00 policia është njoftuar përmes telefonit nga familjarët se personi i cili dje ishte raportuar i zhdukur është gjetur në fshatin Sferkë të Pejës. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë kompetente dhe mjeku e ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, ka thënë Gashi.
Ndërkaq media lokale raportojnë se viktima është Baton Berisha. I riu Berisha, rrjedh nga një familje e njohur, shumë e arsimuar dhe e urtë nga Peja.
Ndryshe, i ndjeri Baton Berisha, është vëllai i moderatorës dhe gazetares së njohur kosovare, aktualisht redaktore e programeve të mëngjesit në ‘RADIO 1’, Venera Berisha Morina.
© SYRI.net