Me plazhet e boshatisura, por të stërbukura dhe xhunglat përplot me kafshë të egra, ishulli Tarutau mund të jetë njëri prej më të bukurve në Tajlandë, por edhe ngërthen në vete një të kaluar të errët.
Ky ishull i largët në pjesën jugore të detit Andaman, me plazhet me rërë të bardhë, det kristal të kaltër dhe pyjet e harlisura, njihet më tepër si shtëpi e të burgosurve të rrezikshëm dhe kriminelëve, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”.
Me të qenë pjesë e parkut kombëtar detar “KoTarutau”, ishulli Tarutau, me gjithë të kaluarën e errët dhe mungesën e zhvillimit e modernizmit, ka ruajtur edhe më tutje plazhet e veta idilike dhe gjelbërimin tropikal.
Megjithatë, Tarutau jo gjithmonë ka qenë i asociuar me bukurinë. Në fund të viteve ‘30, Departamenti tajlandez i Korrigjimeve filloi vëzhgimin e ishujve të Tajlandës në kërkim të një vendi të përshtatshëm për të krijuar një koloni penale që do të mund të shërbente për zbutjen e tollovisë së krijuar në burgjet e stërmbushura të Bangkokut.