Rregullorja e Bankën Qendrore të Kosovës, e cila përcakton që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa me para të gatshme duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb, nuk ka krijuar probleme, por ka shpërfaqur një fenomen të kundërligjshëm në Kosovë.
Kështu tha guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, gjatë raportimit për çështjen e dinarit serb para Komisionit Parlamentar për buxhet, punë dhe transfere.
BQK-ja nisi zbatimin e rregullores për operacione me para të gatshme më 1 shkurt, pavarësisht thirrjeve nga faktori ndërkombëtar që Kosova të shtyjë zbatimin e saj.
“Rregullorja ka rritur integritetin e sistemit financiar, e ka bërë sistemin financiar më të sigurt dhe ka pamundësuar aktivitetet negative”, tha ai.
Ismaili u shpreh se rregullorja e BQK-së nuk e kufizon pranimin e fondeve nga jashtë, por nuk lejon operimin në mënyrë të kundërligjshme, duke theksuar se nuk lejohet importi i parave nga operatorët e palicencuar.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kritikuar rregulloren e BQK-së, duke argumentuar se vendimi për të është marrë pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë efektet negative ndaj popullatës serbe në Kosovë. Uashingtoni vazhdimisht ka kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e rregullores.
Më 12 mars, i dërguari i Shteteve të Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e ka quajtur “katastrofik” dhe “jokompetent” vendimin e autoriteteve të Kosovës për të zbatuar këtë rregullore.
“Iu siguroj edhe njëherë se asnjë partner ndërkombëtar, as Fondi Monetar Ndërkombëtar, as Banka Botërore, as ambasadorët në mënyrë individuale nuk kanë kërkuar prej nesh që të shfuqizojmë rregulloren. Kërkesa e vetme që është bërë te ne ka qenë gjetja e një periudhe të përkohshme në mënyrë që të përshtatet një kategori e caktuar e qytetarëve të prekur nga kjo rregullore”, tha Ismaili para deputetëve.
Megjithatë, Ismaili tregoi efektet që, sipas tij, ka sjell zbatimi i rregullores. Ai tha se deri më tani janë licencuar pesë banka për transportin e parave të gatshme, që të kryejnë këtë punë me leje të veçantë nga BQK-ja.
“Janë realizuar 20 transporte të monedhave, prej të cilave 19 janë eksport dhe një import. Po ashtu ka një numër të llogarive të hapura në komunat në veri të Kosovës dhe nuk ka ndonjë pengesë në funksionimin e saj [rregullores]”, theksoi ai.
Ismaili nga deputetët e opozitës u pyet për pjesëmarrjen e tij, siç u tha, pa asnjë autorizim ligjor në dialogun në Bruksel, ku është diskutuar rregullorja që përcakton përdorimin e valutave të huaja në Kosovë.
Më 27 shkurt në Bruksel, delegacionet nga Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë diskutuar për çështjen e përdorimit të dinarit. Delegacionin e Kosovës e udhëhoqi guvernatori Ismaili.
“Nuk ka pasur negociata. BQK-ja nuk është organ që mund të negociojë, as nuk ka mandat të negociojë. Ne kemi informuar se çfarë përmban rregullorja dhe cilat janë mundësitë për zbatimin e rregullores”, tha ai.
Serbia, që nga paslufta më 1999, e ka përdorur monedhën e saj për t’i paguar pensionet, ndihmat sociale dhe pagat për institucionet paralele që ka në Kosovë.
Në shumicën e dyqaneve në komunat e banuara më shumicë serbe edhe çmimet kanë qenë të ekspozuara në dinarë.
Serbia deklaron se ndan miliona euro për serbët në Kosovë dhe ua paguan atyre rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.
Në mungesë të dinarëve në vendbanimet e tyre në Kosovë, serbët e Kosovës, më 12 mars udhëtuan dhjetëra kilometra drejt qyteteve serbe në afërsi të kufirit me Kosovën, për t’i tërhequr mjetet që ata pranojnë nga Qeveria e Serbisë. /REL