Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka dalë me një reagim rreth qëndrimit të partisë së tij karshi Gjykatës Speciale.
“Sot gjatë ditës lexuam një deklaratë, më mirë të themi një të pavërtetë, nga ai që ka irrituar, shqetësuar familjarë e qytetarë të shumtë të Kosovës”, ka shkruar Beqiri në llogarinë e tij në Facebook.
Beqiri ka aluduar në deklaratën e Nasim Haradinajt, i cili tha sot se edhe LDK-ja do të mbështesë shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Haradinaj është nënkryetar i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së të cilët edhe kishin organizuar nënshkrimin e peticionit për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.
Beqiri është shprehur se në LDK i kanë qëndrimet e qarta dhe nuk i ndryshojnë për dëshira të individëve të papërgjegjshëm.
“Me të as nuk fol askush prej deputetëve të LDK-së. Ne kemi qëndrimet e qarta, nuk i ndryshojmë për dëshira të individëve të papërgjegjshëm. Gjykata Speciale nuk është dëshirë e jona, por ajo tani është një obligim i yni ndërkombëtar. Jemi për shtet të së drejtës dhe ruajtje të raporteve me miqtë tanë ndërkombëtar, shtetet e BE-së dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, është shprehur Beqiri.
“Mos mashtro se nuk të beson askush”, ka shkruar Beqiri në fund.