Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi nuk përjashton mundësinë që Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë ta kthej në Qeveri, duke e njoftuar ekzekutivin se presidenti nuk do ta firmosë ligjin as për të dytën herë.
Me këtë veprim Kuvendi do të kërkojë edhe një mendim nga Qeveria për nevojën e këtij ligji.
Pas këmbënguljes së organit ekzekutiv për sjelljen e këtij ligji, hapet rruga që i njëjti të kthehet në Kuvend për verifikim. Shumica në këtë rast obligon kreun e Kuvendit ta dërgojë ligjin në Gazetën Zyrtare.
Për Xhaferin ky veprim mbetet njëri ndër modalitetet, aq më tepër kur Gazetar Zyrtare është prononcuar pozitivisht sa i përket publikimit të ligjit. Në procedurë të njëjtë do të kalojë edhe Ligji mbi përdorimin e gjuhëve.
“Për aspekt formal, për t’u sqaruar Qeveria se a qëndron mbi ato propozime që i ka i adresuar paraprakisht në Parlament dhe janë miratuar, unë nuk e kam atë problem që edhe formalisht t’i drejtohem propozuesit të dy ligjeve se a qëndrojnë ose jo në këto ligje, por mbi gjitha me arsyetimin e duhur ligjet mund të shkojnë edhe pa atë për faktin që Parlamenti njëherë është prononcuar për ligjet dhe vendime shtesë për ligjet është e tepër. Por sidoqoftë, për aspektin formal që të mund të sigurojmë jetën e ligjeve, ne do t’i zbatojmë të gjitha arsyet dhe argumentet që pala e caktuar po i propagandon dhe sqaron para opinionit dhe për mua nuk ka asnjë problem për ta bërë edhe atë formalitet”, ka thënë Xhaferi.
I pari i ligjvënësit shton se me bllokimin e ligjit, Presidenti bllokon referendumin dhe të drejtën e qytetarëve për t’u shprehur dhe në këtë rast sipas tij, vihet në pah nevoja për ta ndaluar praktikën që ka imponuar kryetari i shtetit me mos dekretimin e ligjeve.
Duke folur për përbërjen e KSHZ-së dhe thirrjen e Komisionit parlamentar për zgjedhje dhe emërime, me të cilin udhëheq opozita, Xhaferi theksoi se nga kryetari i komisionit ka vërejtur gatishmëri, por që subjekti të cilit i takon deputetit bën obstruksione.
Ligji mundëson variante tjera, por këto sipas Xhaferit rrezikojnë votimin e përbërjes së KSHZ-së për të cilën nevojiten 2/3 e votave.
“Kryetari i komisionit duke pasur parasysh se është pjesëtar i partisë politike në opozitë, nuk ka sinjal nga partia e tij për ta thirr komisionin dhe del që vetë VMRO-DPMNE-ja bëhet pengesë për çështjen e punimeve të komisionit për emërime dhe zgjedhje. Formalisht unë mundem të konvokojë punën e komisionit. Ligji i ka mundësitë që të vijmë deri tek propozimi i përbërjes së komisionit, por duhet vlerësuar nëse ai veprim do të komplikonte më tepër situatën, për faktin që përbërja e komisionit duhet votuar me 2/3 e votave apo do të ishte pikënisja për zgjidhje të problemit. Ligji sanksionon mundësinë që edhe nëse një subjekt nuk propozon kandidat për anëtar të KSHZ-së, Komisioni për zgjedhje dhe emërime mund t’i përcakton kandidatët nga lista e kandidatëve për anëtar të KSHZ-së, në vend të subjektit i cili propozon, por përsëri them duhet pasur parasysh fakti që përbërja duhet votuar me 2/3 e votave”, ka thënë kryetari i Kuvendit.
Për thirrjen e mbledhjes së Komisionit për zgjedhje dhe emërime, opozita si parakusht ka vendosur kalimin e Ligjit për financimin e partive politike dhe Ligjin mbi Qeverinë. Kryetari i këtij komisioni, Ilija Dimovski mos thirrjen e mbledhjes e arsyeton me mungesën e koordinimit mes partive politike. Zvarritja e zgjedhjes së KSHZ-së, vë në pikëpyetje mbajtjen e referendumit në fund të shtatorit ose fillimin e tetorit e me këtë edhe organizimin e zgjedhjeve presidenciale në mars të 2019./Alsat-M/