Një pjesë e kërkesave nga blloku politik shqiptar janë në kundërshtim me Kushtetutën e Maqedonisë dhe nuk përputhen me gjendjen reale në shtet. Kështu është përgjigjur presidenti i shtetit, Gjorgje Ivanov në intervistën për gazetën hungareze “Magyar Hírlap”, i pyetur se si i vlerëson kërkesat e shqiptarëve.
“Një pjesë e kërkesave në këtë platformë varen nga statistikat dhe realiteti në teren, ndërsa në Maqedoni 14 vjet nuk është realizuar regjistrimi i popullatës. Pa regjistrim të ri, nuk mund të kërkohen të drejta që varen nga statistika”, ka deklaraur Gjorge Ivanov, president.
Presidenti Gjorgje Ivanov ka thënë se partitë zgjidhjen për daljen nga kriza duhet ta gjejnë nëpërmjet sjelljes së përgjegjshme dhe në përputhshmëri me Kushtetutën e vendit.
Sipas tij, asnjë vendim nuk duhet të cenojë karakterin unitar të shtetit dhe duhet të jetë në drejtim të mbrojtjes së interesave të Maqedonisë.
“Nënkuptohet zgjidhje e mundshme për tejkalimin e situatës janë edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare në të cilat qytetarët do të deklarohen për tema të cilat u imponuan kohëve të fundit”, ka shtuar ai.
Ivanov mes tjerash ka thënë se pa refuzimin e Platformës nuk do t’ia japë mandatin liderit të opozitës Zoran Zaev. Sipas tij, arsyeja kryesore për thellimin e krizës është Platforma e Tiranës, e cila, ka shtuar ai “u bë kusht themelor për formimin e Qeverisë”, ndërsa ai nuk ka mund të lejoj që të bëhet tregti me Kushtetutën dhe interesat e shtetit./Shenja