Ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Gilad Erdan, ka thënë se vendi i tij do të refuzojë vizat për zyrtarët e OKB-së pasi sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres u shpreh se sulmi i Hamasit ndaj Izraelit nuk ndodhi në vakum.
Ai shtoi se tashmë i kishin refuzuar vizën nënsekretarit të Përgjithshëm për Çështjet Humanitare, Martin Griffiths.
Guterres pati thënë dje se populli palestinez ka qenë nën okupim për 56 vjet.
“Ata kanë parë tokën e tyre të gllabëruar vazhdimisht nga kolonët dhe të pushtuar nga dhuna, ekonominë e mbytur, njerëzit e zhvendosur dhe shtëpitë e tyre të shkatërruara. Shpresat e tyre për një zgjidhje politike të problemeve po zhduken”, ka thënë Guterres.