Brian Corteville, konsull në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri” ka treguar për rastet e shpeshta kur kosovarët keqpërdorin vizat amerikane.
Cortevill mes tjerash tregon edhe për pasojat që i presin qytetarët e Kosovës që e keqpërdorin një vizë të tillë, si dhe për numrin e kosovarëve që aplikojnë për këto viza çdo vit.
Zëri: A ka raste të shpeshta të keqpërdorimit të vizave amerikane nga qytetarët e Kosovës dhe si veprohet në rastet e tilla?
Corteville: Fatkeqësisht shumë kosovarë që marrin një vizë nuk kthehen nga Amerika. Mendoj që u pëlqen shumë Amerika. Kur filluam me dhënien e vizave për të moshuarit, ne bëmë disa analiza dhe konkludimi ishte se asnjë person nuk e keqpërdori vizën, të gjithë shkuan për vizitë 4, 5 apo 6 muaj në Amerikë, kaluan pak kohë me të afërmit e tyre dhe u kthyen në Kosovë. Prandaj, ne aprovojmë shumë viza për këtë kategori të qytetarëve. Por për grupet tjera situata është më ndryshe dhe fatkeqësisht duhet të jemi shumë më striktë, por edhe Ligji i Emigrimit është i tillë dhe jo të gjithë aplikantët kualifikohen për t’u pajisur me viza. Mbi 7000 aplikacione në vit për viza turistike në SHBA
Zëri: Cilat lloje të tjera të vizave jepen në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë dhe për cilat lloje të vizave qytetarët e vendit duhet të shkojnë në Shkup?
Corteville: Ne filluam me dhënien e vizave joemigruese ose turistike në vitin 2014, 2015 në Prishtinë. Konsullja që ishte këtu para meje filloi me disa grupe, për shembull: viza për studentë, për këngëtarë, për vazhdimin e vizave për ata qytetarë që kanë pasur një vizë në të kaluarën dhe mund ta vazhdojnë vizën këtu.
Vitin e kaluar filluam me dhënien e vizave për të moshuarit apo për njerëzit që janë të moshës mbi 60 vjeç dhe programin “Summer Work and Travel”. Kur studentët shkojnë në Amerikë gjatë muajve të verës të punojnë marrin një përvojë kulturore, pastaj filluam me të fejuarit dhe vizat e shumëllojshmërisë, por fatkeqësisht nuk kemi një sallë pritjeje këtu në Prishtinë, nuk kemi një hapësirë të mjaftueshme për të pranuar të gjithë aplikantët, sepse kemi mbi 7000 aplikacione në vit për viza turistike. Kështu që për një vizë të tillë për herë të parë qytetarët duhet të aplikojnë në Shkup deri kur të hapet objekti i ri i Ambasadës në Prishtinë dhe pastaj mund të fillojmë me shërbime të plota këtu.