Hazir Borovci – njeriu i cili kohëve të fundit është përmendur shumë, për faktin që rrahja e anëtarëve të LDK-së, në nëndegën në Mat, ishte bërë mes simpatizantëve të tij dhe të Arban Abrashit.
Por, Borovci, në qeverinë e përkohshme, kishte qenë këshilltar në Ministrinë e Rendit Publikqë në atë kohë është udhëhequr nga Rexhep Selimi.
Borovci, në atë pozitë kishte ardhur pasi ai ishte pjesë e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK) – e cila kishte qenë në koalicion me krahun e dalur nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan Gazeta Blic.
Në ministrinë e Rendit Publik në atë kohë, nga LKÇK, përveç Borovcit, këshilltar i ministrit kishte qenë edhe Gani Sopi.
Kurse, zv.ministër i Rendit Publik në qeverinë e përkohshme të Kosovës, të themeluar fill pas përfundimit të luftës, kishte qenë Aziz Bici.
Të tre këta kishin hyrë si pjesë e qeverisë së përkohshme që drejtohej nga Hashim Thaçi, si anëtarë të LKÇK-së, që udhëhiqej nga Avni Klinaku.
Qeveria e përkohshme në atë kohë, pati qëndruar pak muaj, deri në organizimin e zgjedhjeve të para demokratike pas luftës në Kosovë.