Derisa poliitkanët shqiptarë kanë filluar një garë histerike se kush morri ftesë dhe kush do të jetë i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, një politikan shqiptar ka refuzuar ftesën me arsyetimin se një pjesëmarrje e tillë nënkupton edhe një kosto të lartë financiare, ndërsa këto udhëtime realizohen me vetkompensim.
Siç mëson portali Sakte.net kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, ftesës për të qenë pjesëmarrës në ceremoninë e presidentit Trump, i është përgjigjur me pamundësinë financiare.
“Z. Kasami dëshiron të shpreh mirënjohjen më të thellë për mundësinë që na ofroni të jemi pjesëmarrës në ceremoninë e inaugurimit, mirëpo njëkohësisht ju kërkojë ndjesë se pavarësisht përpjekjeve tona për të siguruar mjetet e nevojshme financiare, një gjë e tillë është e pamundur. Megjithatë, do të na pëlqente të qëndrojnë në kontakt me këtë agjenci, me qëllim që të fuqizohet bashkëpunimi ynë në fushën e lotimit në aktivitetet tona të ardhshme”, thuhet midis tjerash në letrën e kryetarit të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.
Përndryshe, bëhet e ditur se kjo pjesëmarrje e Bilall Kasamit në këtë ngjarje të rëndësishme botërore është anuluar për shkak të çmimit të lartë në vlerë prej 65 mijë dollarësh./Sakte.net