Ja si i përgjigjet Qeveria e Kosovës kërkesës së Ramush Haradinajt

Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga institucionet e Kosovës qe të përdorin masën e reciprocitetit në raport me Serbinë lidhur me flet arrestët.

Haradinaj, i cili është i ndaluar qe pesë javë në Francë, ka kërkuar qe për cështjen e tij të mos diskutohet në Bruksel me palën serbe, por institucionet në Kosovë të përdoren masen e reciprocitetit.

E, në anën tjetër, në qeverinë e Kosovës nuk kanë treguar se si do të veprojnë pas kësaj kërkesë.

Përkundër interesimit tonë qeveritarët nuk kanë treguar nëse do të përdoret reciprociteti.

Në një përgjigje për ‘Indeksonline’, ekzekutivi zotohet se për sa kohë qe nuk lirohet Haradinaj dhe t’i kthehet jetës normale dhe aktiviteteve politike në Kosovë, institucionet qeverisëse nuk do të pushojnë së angazhuari për këtë qëllim.

“Ky nuk është vetëm obligim ligjor por edhe moral. Lirimi i z. Haradinaj do të jetë shuplaka më e merituar që angazhimi dhe diplomacia e jonë do t’ia jap kësaj qasjeje plotësisht të papranueshme të Serbisë”, ka thënë zëdhënësi i qeverisë, Faton Abdullahu.

“Kjo do ta bind Serbinë edhe një herë se, jo vetëm që z. Haradinaj nuk është fajtor por se, në njërën anë, përpjekja e serishme e Serbisë për ta dëshmuar këtë fajësi, do të dështoj bashkë me arrogancën qëllimkeqe dhe destabilizuese të saj dhe se bashkëpunimi i Kosovës me faktorët relavent ndërkombëtar është parimor dhe i pandryshueshëm, në tjetrën”, ka shtuar ai.

Ndërsa, burime të Indeksonline bëjnë me dije se qeveria e Kosovës nuk e ka në plan të përdore masën e reciprocitetit të kërkuar nga Ramush Haradinaj.

Ndryshe, vet lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se për të është ofendim dhe askush nuk e ka mandatin e tij qe të negocioj për të me palën serbe.

Institucionet e Kosovës, sipas tij, duhet të tregojnë se kemi shtet dhe t’i përgjigjen Serbisë më veprime të njëjta.

Ish komandanti i UÇK-së, për rajonin e Dukagjinit, Ramush Haradinaj është ndaluar në aerportin e Bazelit në fillim të janarit mbi bazën e një flet arresti serb. Ndërsa, pritet që më dy mars gjykata në Colmar të vendos për kërkesën e Serbisë për ekstradimin e tij në Serbi./Indeksonline