Janë publikuar pamjet e momentit kur Naim Murseli shkon për të darkuar në restorant me Liridona Ademajn, pak orë para se kjo e fundit të vritej.
Siç duket dhe nga pamjet e siguruara nga “Sinjali” ata kanë hyrë në restorant së bashku me dy fëmijët e tyre.
Kujtojmë se Murseli ishte porositës i vrasjes së Liridonës, e cila u ekzekutua në Prishtinë.
Katër persona janë arrestuar për ngjarjen. Naim Murseli, bashkëshorti i Liridonës, Granit Plava, ekzekutori, Kushtrim Kokalla, bashkëpunëtor, dhe mbrëmjen e sotme ka rënë në pranga Tomë Dodaj, i cili ka siguruar armën e krimit për autorin.
Çfarë ndodhi më 29 nëntor?
Raportimet fillestare pohuan se Liridona Ademaj u vra nga disa grabitës, teksa po udhëtonte me makinë së bashku me bashkëshortin dhe dy fëmijët e saj.
Ata ishin duke u kthyer në shtëpi pasi kishin dalë për darkë, ndërsa pranë shpisë e del përpara një person me armë, i cili i kërkon të japë çfarë kishin me vete, në këtë moment Naim Murseli merr dy fëmijët dhe largohet nga vendi i ngjarjes, ndërsa autori qëllon për vdekje Liridonën në makinë.
Vrasje me porosi
Detajet e para të natës tragjike morën kthesë sot kur Policia e Kosovës arrestoi burrin e saj Naim Murselin dhe Granit Plavën si të dyshuar për vrasjen e viktimës.
Bashkëfshatari i Naim Murselit, Granit Plava ishte i pari që pranoi në polici se për vrasjen e kishte porositur Naimi dhe i kishte premtuar 30 mijë euro, 15 prej të cilave ia kishte dhënë para krimit dhe 15 të tjera do t’ia jepte pas krimit.
Një gjë të tillë e pranoi më vonë edhe vetë Naim Murseli, pa treguar shkaqet se pse e bëri një gjë të tillë.
Sipas dyshimeve të familjarëve, shkak mund të ketë qenë, shumë e madhe që i garantonte siguracioni që Liridona kishte në Suedi, në rast të një tragjedia, si ajo që ndodhi, shumë e cila kapte vlera të mëdha monetare.
Zbulimi i krimit
Ditën e premte, 1 dhjetor, ai i dha lamtumirën nënës së djemve të tij duke i organizuar edhe ceremoninë mortore në fshatin e tij në Cërmjan të Gjakovës.
Naim Murseli, priti dhe përcolli me dorën në zemër miq, të afërm e familjarë të tyre, që shkuan për ngushëllime, si edhe shoqëroi kortezhin drejt banesës së fundit të Liridona Murseli.
Por vetëm disa orë pas ceremonisë së varrimit të 30-vjeçares, Naim Murseli u vendos në pranga së bashku me bashkëfshatarin e tij, Granit Plava dhe nipin, Kushtrim Kokolla, pjesëtar i Forcave Speciale të Kosovës.
Ndërkohë është gjetur arma e krimit me të cilën dyshohet se u vra Liridona Murseli, si edhe makina e përdorur nga autorët.
Ende nuk dihet roli i anëtarit të FSK, Kushtrim Kokalla në ngjarjen e rëndë, që dyshohet se u porosit nga daja i tij.
Liridona, me kërkesë të familjes, u zharros nga Gjakovë dhe u rivarros sërish në fshatin e saj.