Gazetare: Melihate Rustemi
Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska ka paralajmëruar se përveç avancimit të të drejtave dhe rritjes së pagave në arsimin e lartë ka edhe një sërë kushtesh që duhet plotësuar për të pasur arsim më cilësor. Janevska mes tjerash theksoi modernizimin dhe reduktimin e programeve studimore.
“Bëhet fjalë edhe për kushtet për punë për të cilat nuk mund të themi se janë shumë të mira, mund të përmirësohen. Megjithatë bëhet fjalë edhe për zgjidhje ligjore dhe reforma në arsimin e lartë dhe shkencë me qëllim për të përmirësuar cilësinë. Shumë herë e kemi thënë, duhet modernizim i programeve studimore, numri i madh i programeve të studimit duhet të reduktohet. Ne kemi nevojë për më shumë vëmendje dhe fokus në risitë reale që lidhen me shkencën dhe teknologjinë dhe e gjithë kjo do të bëhet në vazhdimësi në periudhën e ardhshme”, deklaroi Vesna Janevska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.
Ndërkohë, rektorja e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, Biljana Angellova tha se këtë muaj institucioni që ajo drejton fillon një transformim të plotë dixhital. Fillimisht do të dixhitalizohen të gjitha shërbimet e studentëve ndërsa planifikohet që shërbimet bazë të përfundojnë plotësisht deri në fillim të vitit akademik 2025/2026 dhe procesi të përfundojë me futjen e një indeksi elektronik.
“Ky është një proces që do të marrë kohë. Supozimi im është se brenda një viti apo një viti e gjysmë ky proces mund të përfundojë, por USHKM po hyn në këtë proces dhe ky është prioriteti ynë. Prioriteti i dytë me të cilin po punojmë është cilësia e Universitetit, cilësia e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor. Të dy proceset janë vendimtare. I gjithë fokusi në periudhën e ardhshme do të jetë në këto dy gjëra. Ne presim që dixhitalizimi dhe menaxhimi i përmirësuar i cilësisë do të përmirësojnë gjithashtu renditjen e vetë universitetit”, tha Biljana Angelova, rektore Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”.
Që nga janari i këtij viti, pjesa më e madhe e punonjësve në universitetet shtetërore kanë rritje të pagave bruto, duke përjashtuar përvojën e kaluar, me mesatare prej rreth 14%. Për një pjesë më të vogël të të punësuarve, rritja është mesatarisht rreth 8%. Buxheti i USHKM këtë vit është rritur për 1,5 miliardë denarë. Nga 2,2 miliardë denarë në vitin e kaluar, këtë vit arriti në 3,7 miliardë denarë. /Alsat.mk