Gazetare: Melihate Rustemi
Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur gjashtë kallëzime penale kundër prindërve të disa të miturave që sulmuan fizikisht një vajzë 13-vjeçare në Gjorçe Petrov të Shkupit. Sipas njoftimit, Njësia për Punë të Brendshme Gjorçe Petrov ka dorëzuar kallëzimet për neglizhencë dhe keqtrajtim, pasi fëmijët e tyre janë përfshirë në sulm. Më herët, për rastin e njëjtë, kallëzime penale janë ngritur edhe ndaj katër vajzave të mitura që morën pjesë në ngjarje. Ndërkohë, ministrja e Arsimit, Vesna Janevska përsëriti se rikthimi i kujdestarisë nga stafi mësimor do të ndihmojë në parandalimin e rasteve të padëshiruara mes nxënësve. Janevska u bëri thirrje prindërve që të tregojnë pak më shumë vëmendje dhe të pranojnë sugjerimet e mësimdhënësve.
“Është fakt që kjo në disa shkolla ekziston, por në një numër të madh nuk ekziston. Ata që janë të përfshirë në procesin arsimor, mësimdhënësit, shërbimi profesional, por edhe prindërit duhet të ndihmojnë në edukimin e fëmijëve, ndërsa fëmijët e edukuar mirë sigurojnë edhe shkolla të mira dhe të sigurta. Ne e forcojmë rolin e mësimdhënësit në çdo mënyrë të mundshme, sepse ata janë çelësi si në arsim, ashtu edhe në edukim”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit
Lidhur me këtë masë, drejtorja e shkollës fillore “Imri Elezi”, Lulzime Islami, thekson se në shkollën që ajo drejton, kujdestaria nga i gjithë stafi zbatohet vazhdimisht. Mësimdhënësit kujdestarë janë të angazhuar gjatë dy ndërrimeve për të mbikëqyrur nxënësit duke ndërhyrë menjëherë në rast nevoje.
“Dixhitalizimi ka bë të veten edhe ka ndonjëherë ngacmime në rrjetet sociale pastaj po ndodhin ekseset nëpër shkolla. Ne çdo herë jemi të gatshëm t’u dalim në ndihmë nxënësve, me i udhëzu, me i këshillu, menjëherë marrim situatat në shqyrtim edhe i zgjidhim problemet…Kur e shohim se janë mbledh një tufë nxënësish më tepër menjëherë reagojmë edhe i largojmë nëse kanë mbaru orarin u themi të shkojnë në shtëpi, e shohim çka është problemi dhe e zgjidhim aty për aty”, theksoi Lulzime Islami, drejtore e sh.f “Imri Elezi”
Sipas analizës së UNICEF-it bullizmi nga bashkëmoshatarët është ndër format më të shpeshta të dhunës ndërmjet të rinjve. 23 % e të rinjve të moshës 13 deri në 15 vjeç në Maqedoninë e Veriut janë keqtrajtuar të paktën një herë në muajt e fundit. /Alsat.mk



