Janevska nuk tërhiqet nga drafti i Ligjit për arsimin e lartë, paralajmëron vetëm ndryshime kozmetike

Gazetare: Melihate Rustemi

Propozim ligji për arsimin e lartë nuk do të tërhiqet pavarësisht vërejtjeve të shumta nga universitetet. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska tha se çdo tërheqje dhe shtyrje e ligjit është në dëm të arsimit të lartë në vend e posaçërisht në dëm të studentëve. Sipas Janevskës nuk ka shumë vërejtje nga universitetet, disa prej tyre përsëriten dhe do të korrigjohen.

“Për shembull, në ligj thuhet se para mbrojtjes së temës së magjistraturës, kandidati duhet të ketë të publikuar një punim në Web of Science. Pasi biseduam me argumente se mbase nuk do të ketë kohë për një gjë të tillë, kjo do të tërhiqet. Për mbrojtjen e temës së doktoratës kërkohej që tre punime të publikoheshin në revista me faktor ndikimi, duke pasur parasysh sërish kohën dhe mundin që duhet të investojë doktoranti, konstatuam se edhe me dy punime është krejtësisht në rregull”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.

Nga ana tjetër, profesorë nga Universiteti i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore dhe Universiteti “Nënë Tereza” kanë shprehur publikisht kundërshtimet e tyre ndaj Propozim-ligjit për Arsimin e Lartë. Në një letër të hapur drejtuar partive politike, Qeverisë dhe ministres  së Arsimit, profesorët paralajmërojnë se disa nga zgjidhjet e propozuara rrezikojnë të cenojnë autonominë universitare, përmes krijimit të “Këshillit Universitar” me kompetenca të zgjeruara dhe me përfshirje të anëtarëve të emëruar nga Qeveria.

“Fakti që një pjesë e anëtarëve të tij emërohen nga Qeveria, krijon bazë për ndikim të drejtpërdrejtë politik në menaxhimin e universiteteve dhe cenon autonominë institucionale dhe pavarësinë akademike”, thuhet në Letërn e hapur të profesorëve universitarë.

Sipas profesorëve, shqetësuese janë edhe kriteret e reja për zgjedhje në thirrjet akademike, veçanërisht kërkesa për publikime në revista të indeksuara ndërkombëtare dhe theksimi i H-index-it, që mund të vështirësojnë avancimin në disa fusha shkencore. Ata kundërshtojnë gjithashtu kufizimin e të drejtës për organizimin e studimeve të doktoraturës vetëm për katër universitetet e para të ranguara, duke e cilësuar këtë si masë që krijon pabarazi. Profesorët bëjnë thirrje për rishikim të dispozitave të kontestuara dhe për një debat të gjerë e transparent me komunitetin akademik para miratimit përfundimtar të ligjit./ Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme