Kryetari i Komunës së Skenderajt Bekim Jashari ka bërë të ditur se nuk ka qenë i njoftuar nga Qeveria e Kosovës me rastin e vizitës së sotme të drejtorit të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në manastirin e Bajës, në Skenderaj.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se në lidhje me këtë vizitë është dashur të ketë një koordinim nga Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Punëve të Jashtme, shkruan Syri.net Kosova.
Jashari ka thënë se veprime të tilla japin shembull jo të mirë të qeverisjes dhe si të tilla ato nuk duhet të përsëriten.
“Qytetarë të nderuar, ky nuk është shteti për të cilin luftuan e sakrifikuan dëshmorët e heronjtë tonë. Kjo nuk duhet të jetë menyra e qeverisjes sonë demokratike dhe në shërbim të qytetarëve.
Një kërkim falje nga ana ime për familjet e dëshmorëve e martirëve, viktimat civile të luftës dhe gjithë qytetarët e vendit, për këtë vizitë të pa dëshiruar e për të cilën shteti ynë nuk me njoftojë paraprakisht.”, thuhet në reagim.
Lexoni postimin e plotë:
© SYRI.net