Jeta e një kirurgu të mirë dhe politikani të matur

Bota politike shqiptare dje e kuptoi që e ka humbur një njeri të rëndësishëm. Bajram Rexhepi, ish Kryeministër i Republikës së Kosovës, ndërroi jetë pas një sëmundjeje të rëndë.

Ai u lind më 3 qershor të vitit 1954 në Mitrovicë. Si nxënës, e më vonë student i dalluar, ëndërronte të bëhej një mjek i mirë. Kështu, kjo ëndërr iu realizua kur i përfundoi studimet pasuniversitare në Zagreb në vitin 1985. Më pas, iu përkushtua me tërë qenien këtij profesioni dhe deri në vitin 1990 punoi si kirurg i përgjithshëm dhe specialist endoskopik në spitalin rajonal në Mitrovicë.

Fama e tij, si kirurgu më i mirë në rajonin e Mitrovicës, i kishte kaluar kufijtë e këtij qyteti, me kohë. Por përkeqësimi i situatës, ishte momenti kur ai ndërroi kursin, që pothuajse ia ndërroi profesionin njëherë e përgjithmonë. Ai iu bashkua radhëve të UÇK-së.

Gjatë vitit 1999 deri në përfundim të luftës, shërbeu si mjek i terrenit, bashkë me radhët e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas përfundimit të luftës, shërbeu si Kryetar Bashkiak në Mitrovicën Jugore, ku u shqua për punën e tij me paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara dhe NATO-n, për t’i zvogëluar trazirat civile.

Mbahet mend gatishmëria e treguar kur serbët dhe shqiptarët kishin prishur të gjitha mundësitë për dialog, ai qe i gatshëm të heq dorë nga pozita e tij në favor të një administratori të OKB-së, por serbët e refuzuan këtë propozim.

Përgjatë kësaj kohe ai ishte edhe kreu i degës së Partisë Demokratike të Kosovës për qytetin e Mitrovicës.

Por karriera e tij e vërtetë politike filloi më 4 mars të vitit 2002. Siç dihet pas tre muaj bisedimesh dhe me ndërmjetësimin e kryeadministratorit të atëhershëm të Kosovës Michael Steiner, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Bajram Rexhepin si Kryeministrin e parë të Kosovës së pasluftës.

Më 1 prill 2010 Rexhepi u emërua Ministër i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, duke zëvendësuar Zenun Pajazitin. Më 22 shkurt 2011, Kuvendi konfirmoi Rexhepin në funksionin e tij në kabinetin e ri të kryesuar nga kryeministri Hashim Thaçi.

E viteve të fundit ishte tërhequr krejtësisht nga politika duke iu përkushtuar profesionit të tij prej kirurgu.

Dukej sikur ishte irrituar nga politika, sepse disa deklarata të tij, prekën drejtpërdrejtë disa nga figurat e larta të partisë me të cilën kishte çuar një karrierë politikani.

Por në prill të këtij viti, ish- kryeministri u shtrua në QKUK për shkak të një sulmi shëndetësor në organet vitale, ndërsa më pas qe dërguar në Turqi për shërim jashtë vendit.

Pesë muaj luftoi me sëmundjen. Pas një beteje të gjatë, ai ndërroi jetë më 21 gusht 2017. Pas la bashkëshorten dhe një vajzë./Gazetaere.com/

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme