NGA: PROF. DR. MUSA LIMANI
Shikuar historikisht, Serbia për herë kë bërë dhe ka hartuar programe hegjemoniste, uzurpuese, pastrim territoresh etj. ndaj vendeve fqinje, veçmas ndaj territoreve etnike shqiptare. Këto programe ishin formuar dhe zbatuar në mënyrë të vazhdueshme, që nga Naçertania (1844), duke vazhduar gjenocidin gjatë krizës së Lindjes (1878), e cila ishte fatale për tokat dhe popullatën shqiptare , sepse në këtë kohë në Vilajetin e Kosovës, përkatësisht Sanxhakun e Nishit, që me një emër do t’i quanim “Toplicë”, u bënë spastrime territoriale, masakra dhe gjenocid i paparaparë ndaj popullatës së pa fajshme dhe banor den baba den në trojet e tyre etnike. Ky ishte program shovinist nacional serbo-sllavo ortodoks, që vazhdoi edhe pas këtij viti. Zvogëlimi, copëtimi dhe uzurpimi i trojeve shqiptare u bë, duke filluar nga Kongresi i Berlinit, Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913), në Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene, nëpërmjet reformës kolonizues agrare, projektit famëkeq të Çubrilloviqit “Iseljavanje arnauta-shpërngulja e shqiptarëve 1937, Marrëveshja me Turqinë për pranimin e migracionit shqiptar më 1939, e cila ende është në fuqi, e deri te Jugosllavia e AVNOJ-it, në të cilën vazhdoi gjenocidi ndaj shqiptarëve, duke filluar nga grumbullimi i armëve vetëm të shqiptarëve nga Aleksandër Rankoviqi (1956), suspendimi i autonomisë së Kosovës më 1989, e deri te lufta e fundit më 1999, ku kasapi i Ballkanit Sllobodan Millosheviqi, me ushtri, polici e paramilitar, bëri masakra e gjenocid në popullatën e pa mbrojtur civile shqiptare, me qëllim të spastrimit të Kosovës dhe formimin edhe një herë të Serbisë së Madhe në trojet etnike shqiptare.
Aktualisht, Presidenti i Serbisë z. Vuçiq dhe suita e tij udhëheqëse, me uzurpimet e sipër thëna nuk u ngopën, por kërkojnë ende të marrin edhe ata diçka në këmbim të njohjes së Kosovës, duke thënë: “se edhe ne duhet të marrim diçka”. Kjo është çmenduri, por për serbet kjo është gjë normale, sepse kështu i ka mësuar historia dhe kisha e tyre ortodokse. Andaj, Vuçiq ka të “drejtë” të kërkojë ende territore shqiptare, kur ne, jo vetëm Kosova, por edhe Shqipëria nuk kërkojmë bashkimin e Sanxhakut dhe Kosovës Lindore me Kosovën, që janë troje etnike shqiptare. Tani, politika hegjemoniste serbe, ka ndryshuar vetëm taktikën, përkatësisht formën e uzurpimeve dhe shkëputjen e territoreve etnike shqiptare, duke propozuar në fillim, korrigjimin e kufijve dhe tani formimin e Mini Shengenit Ballkanik. Idetë e sipër cekura për ndryshim kufijsh dhe formimin e këtij asociacioni rrjedhin nga Serbia në mbledhjen e Novi Sadit, konkretisht nga z. Vuçiq i përkrahur nga z. Rama dhe z. Thaçi. Ne nuk duhet të jemi shumë të mençur, në atë që insiston Serbia, duhet ta kuptojmë se është në dëm të Kosovës dhe shqiptarëve në tërësi, dhe anasjelltas, atë që e kundërshton Serbia është në dobi të Kosovës dhe shqiptarëve. Mini Shengen ka për qëllim zgjerimin dhe dominimin e Serbisë në tregjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor, që është në dëm të të gjitha këtyre vendeve. Me këtë rast Serbia do të ketë monopol në këtë treg, sepse ekonomikisht është më e zhvilluar se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky proces, është shkatërrues për Kosovën, Shqipërinë dhe vendet e tjera të këtij nën qielli, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe politik e nacional. Serbia me dy projektet e sipër cekura, ka për qëllim izolimin e Kosovës dhe shkatërrimin e pavarësisë, përkatësisht shtetësisë së vendit tonë.
Andaj, prapavija e projektit të Mini Shengenit, është dukshëm më i thellë politikisht dhe në përmbajtje sesa që shihet. Ndër të tjera, me këtë rast Serbia kërkon hapjen e një korridori nëpërmjet Kosovës, të cilën nuk e njeh, për të dal në det, në portin e Durrësit, përkatësisht të formohet korridore Beograd-Durrës, me ç’rast Serbia do ta realizonte ëndrrën historike shekullore së bashku me Rusinë për të depërtuar në detin Adriatik. S’ka dyshim se ky korridor paraqet projekt radikal të Serbisë, anti-shqiptar, që do të jetë në dëm të Shqipërisë dhe të Kosovës, pra kundër interesit tonë gjithëkombëtar. Në kontekst të kësaj duhet potencuar se, kush i beson se ky projekt do të jetë në interes tonin kombëtar, siç potencon z. Rama Kryeministër i Shqipërisë, keq gabohet dhe paraqet naivitet politik. Andaj, ky projekt si i tillë duhet me çdo kusht të hidhet jashtë çdo bisede, çfarëdo qoftë ajo, dhe të shpëtohet nga hegjemonizmi dhe formimi edhe një Serbie të Madhe. Nëse nuk ndalet tani kjo iniciativë që zanafillën e ka nga Serbia, konkretisht nga presidenti i saj z. Vuçiq, ish ministër i kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviqit, i cili me gjithë potencialin e tij institucional shtetëror po tenton të zbatojë politikën e tij hegjemoniste ndaj territoreve etnike shqiptare. Çka është edhe me e keqja që në një mënyrë këtë projekt sikur po e përkrah edhe faktori ndërkombëtar dhe konkretisht edhe Bashkimi Evropian. Nuk ka nevojë të formohen asociacione tjera, është i mjaftueshëm BE-ja, ku edhe vendet ballkanike territorialisht i takojnë këtij rajoni ndërkombëtar. Mendoj se, më drejt do të ishte që BE-ja dhe SHBA të Amerikës të intensifikojnë anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, dhe në këtë mënyrë do të krijohen kushte për zgjerimin e tregut të përbashkët tani të 27 vende anëtare, në një anë, dhe kyçjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun unik Evropian, në anën tjetër. Andaj, nuk ka kurrfarë arsye, pos asaj politike të Serbisë dhe interesave personale të z. Rama dhe z. Zaev, për formimin e Mini Shengenit, kur dihet se në të ardhmen e afërt, vendet e Ballkanit Perëndimor do të jenë anëtare të përhershme të Bashkimit Evropian.
Zotërinjtë Vuçiq, Zaev dhe Rama, janë duke i fryrë zjarrit, me insistimin e tyre për formimin e Mini Shengenit. Lidhur me këtë këta tre zotërinj para pakë ditësh u dakorduan që me 29 korrik të këtij viti të takohen në Shkup për të biseduar për zgjerimin dhe jetësimin e projektit të Mini Shengenit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Mirëpo, për fat të mirë ky “Pazar” nuk ishte në agjendën politike të Kryeministrit të Kosovës z. Albin Kurti në Samtin e Prespës duke u deklaruar se Kosova nuk do të pranojë të jetë anëtare e këtij asociacioni, duke potencuar se Kosova do të punoj dhe angazhohet që të bëhet anëtare e BE-së dhe NATO-së. Ky qëndrim i Kryeministrit Kurti, sipas meje është për çdo lëvdatë, sepse u tregoi pjesëmarrësve në këtë Samit se Kosova është shtet dhe përfaqësohet nga përfaqësues shtetëror të saj. Andaj, duhet të mobilizohemi që të gjithë pozitë e opozitë, OJQ, intelektual, Universitete e studentë, Akademi e institucione shkencore, në mbështetje të Kryeministrit z. Albin Kurti, për zhbërjen e kësaj nisme të Serbisë si program anti shqiptarë dhe shumë të rrezikshëm, jo vetëm për Kosovën, por për mbar kombin tonë. Këtë rrezik duhet ta kuptojnë edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, sepse Serbia historikisht dhe aktualisht ka pretendime hegjemoniste ndaj të gjitha vendeve të këtij nën qielli, si: ndaj Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Maqedonisë. Andaj, ky projekt si në pikëpamje ekonomike, ashtu dhe politike është në kundërshtim të plotë me interesin tonë kombëtar dhe të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.