Jorida Tabaku: Inceneratorët janë testi i lakmusit për drejtësinë, hetimi duhet të shkojë deri në fund

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku e ka cilësuar aferën e inceneratorëve si “testin e lakmusit” për drejtësinë shqiptare, duke kërkuar që hetimet të ndjekin pa përjashtim rrugën e parave, firmave dhe vendimeve.

Në një reagim publik, Tabaku rikujtoi se çështjen e kishte ngritur që në shkurt të vitit 2018, përmes një interpelance me ministrin e Energjisë, ndërsa më pas puna e Komisionit Hetimor Parlamentar, sipas saj, nxori në pah një skemë të gjerë abuzimesh, kontratash korruptive dhe përfitimesh private.

Sipas përllogaritjeve të Komisionit Hetimor, tha Tabaku, skema e inceneratorëve kapte mbi 430 milionë euro. Ajo theksoi se në përfundim të punës së komisionit u depozituan 15 kallëzime penale, krahas tri kallëzimeve të bëra më herët, dhe se provat e administruara kërkonin një hetim më të shpejtë, më të thellë dhe në nivele më të larta përgjegjësie.

“Fakti që SPAK e ka dërguar dosjen e inceneratorit të Tiranës për gjykim edhe me akuza për grup të strukturuar kriminal është i rëndësishëm. Por kjo nuk mund të jetë fundi i çështjes”, u shpreh Tabaku.

Ajo vuri në dukje se çështja nuk mund të trajtohet si disa histori të shkëputura, duke nënvizuar vendimmarrjet për inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, si edhe faturën mbi 300 milionë euro që, sipas saj, i është ngarkuar kryeqytetit pa vendim të Këshillit Bashkiak.

Tabaku kërkoi që drejtësia të japë një panoramë të plotë të mekanizmit që, sipas saj, përfshiu ministri, bashki dhe Këshillin e Ministrave, si edhe të sqarohet përgjegjësia institucionale dhe politike për kontratat e inceneratorëve.

“Hetimi duhet të ndjekë paratë, firmat dhe përgjegjësitë deri në fund dhe pa përjashtime”, deklaroi deputetja e PD-së.

The post Jorida Tabaku: Inceneratorët janë testi i lakmusit për drejtësinë, hetimi duhet të shkojë deri në fund appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme