Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se nuk është i gatshëm të ecë përpara për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Borrell pas takimit me Kurtin dhe Vuçiq në Bruksel tha se Kurti kërkoi fillimisht njohjen de-facto ndërkaq presidenti serb, Aleksandër Vuçiq Asociacionin.
Ai në konferencë për medie, tha se ofruan një propozim që të ecet përpara paralelisht në dy temat, por siç u shpreh ai, Kurti nuk pranoi.
“Kryeministri Kurti dëshironte fillimisht aspektet politike të normalizimit, ndërsa Serbia kërkon të fillojë me themelimin e Asociacionit para se të angazhohet në obligimet e saj. Dhe kjo është arsyeja pse ne propozojmë atë që ne e shohim si të vetmin kompromis të mundshëm sot; një proces që do të lejonte që këto të dyja të ecin paralelisht. Njëra pastaj, tjetra qe të funksionojë paralelisht. Ky është kompromisi më i mirë që shpesh mund të kemi. Dhe lëvizja e zbatimit paralelisht do të siguronte që parimet thelbësore, domethënë që ju duhet të bëni diçka për të marrë diçka, të përmbushen, dhe Bashkimi Evropian dhe komuniteti më i gjerë ndërkombëtar, duke përfshirë partnerët tanë amerikanë, e shohin këtë si të vetmen mënyrë realiste që mund të funksionojë zbatimi…Fatkeqësisht, pas një takimi mjaft të gjatë, kryeministri Kurti, nuk ishte i gatshëm të ecë përpara dhe të nisë një proces të besueshëm drejt themelimit të Asociacionit. Ai insistoi në vend të kësaj në formalizimin e njohjes de-facto si hapin e parë. Më duhet të them se presidenti Vuçiq pranoi propozimin e Bashkimit Evropian për zbatimin e marrëveshjes. Ai erdhi me një propozim tjetër, por më në fund e pranoi propozimin tonë. Dhe ne u përpoqëm shumë, por për fat të keq nuk ishte e mundur të thyejmë diferencat sot”, tha ai.
Borrell foli edhe për zgjedhjet në veri, ku tha se të njëjtat duhet të ndodhin përmes dorëheqjeve të kryetarëve.
“Le të flasim për rrugën drejt zgjedhjeve të parakohshme. Zgjedhjet e parakohshme mund të shkojnë ose përmes dorëheqjes se kryetarëve në katër komunat me shumicë serbe të Kosovës në veri të Kosovës, ose përmes mbledhjes së nënshkrimeve të serbëve të Kosovës për të tërhequr kryetarët e komunave, pra, ose ata japin dorëheqjen, ose ka mbledhje nënshkrimesh. Më lejoni të sqaroj gjithashtu se Bashkimi Evropian e sheh dorëheqjen e kryetarëve të komunave të cilët janë zgjedhur nga vetëm 3% e popullsisë si mënyra më e shpejtë dhe më e mirë për të mundësuar zgjedhje të parakohshme. Procedura tjetër në kërkim të nënshkrimeve është e gjatë dhe e pasigurt. Serbët e Kosovës pritet të tregojnë konstruktivitet dhe të angazhohen pa kushte në procesin zgjedhor. Ata duhet të marrin pjesë përndryshe do të jetë pakuptim. Dhe do të vij me garancinë që mora sot nga presidenti Vuçiq në lidhje me këtë”, deklaroi ai.
Derisa nënvizoi nevojën për ulje të tensioneve në veri dhe shmangie të përshkallëzimit të mëtutjeshëm.
“Gjithashtu, më duhet të informoj se nuk kanë pasur progres për uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Si kujtesë, të 27 vendet anëtare të BE-së, të gjitha së bashku kanë kërkuar hapa konkretë për zgjidhjen e krizës aktuale… Sot përsëri kërkojmë nga të dyja palët që të ndërmarrin veprime të menjëhershme në veri të Kosovës për të deeskaluar situatën, për të shmangur çdo destabilizim të mëtejshëm dhe për të mundësuar që zgjedhjet e reja të parakohshme lokale të zhvillohen menjëherë, nuk mund të rrimë e të presim krizën e radhës. Kjo duhet të ndodhë menjëherë në përputhje me kërkesën e bërë nga Bashkimi Evropian dhe komuniteti ndërkombëtar”, tha Borell.