Jovanoviq: S’jam i vetmi në Serbi i cili e kupton që Kosova është e pavarur

Kryetari i Partisë Liberal-Demokratike (PDL) në Serbi, Çedomir Jovanoviq, në një intervistë ekskluzive për KTV-në ka thënë se pavarësia e Kosovës është fakt, si fizika.

I pyetur përse serbët është e vështirë të binden që Kosova është e pavarur, Jovanoviq ka thënë se në qëndrimin e serbëve paraqiten “punët e pambaruar”.

KTV: Zoti Jovanoviq, faleminderit që na pranuat sot në Beograd.

JOVANOVIQ: Faleminderit që keni ardhur.

KTV: Ju jeni njëri prej simboleve më të njohura të opozitës në Serbi. Çfarë mendoni edhe sa gjatë do të mbeteni në opozitë?

JOVANOVIQ: Vërtet nuk e di se edhe sa do të zgjasë kjo sepse çdo sekondë është sikurse përjetësia dhe unë s’jam vetëm opozitë politike, por bazuar në rrethana, edhe unë edhe ata të cilët më përkrahin dhe ata që unë i paraqes kemi krijuar një sistem vlerash dhe në çdo aspekt jemi në njëfarë konflikti me shumicën që ka problematizuar raportin tonë me botën, raportin tonë me ju, me Bosnjën, me Kroacinë, që kanë hapur konflikte brenda shoqërisë sonë dhe kjo paraqitet në çdo moment. Një ditë është temë vaksinimi në këtë shoqëri e ditën tjetër raporti ndaj viteve 90-të dhe trashëgimisë së tyre, ditën e tretë se në çfarë drejtimi do të shkojmë si vend, kah Rusia apo kah Evropa, e koha po ecën dhe ende jam politikani më i ri në Serbi, kështu është tash e 30 vjet. Por ekziston një e vërtetë e madhe, ne mbijetuam ngase kemi dëshmuar se toka është e rrumbullakët. Nuk mund të jeni opozitë e jetës, andaj jam optimist t’i shoh fëmijët e mi dhe do të doja që të kryej të gjitha punët që ata të mund të jetojnë jetën e tyre pa atë ngarkesën, të cilën ne e trashëguam nga prindërit tanë në çdo aspekt e vërtet në vend të parë është raporti ndaj Kosovës sepse me të shfaqen të gjitha dobësitë tona dhe në këtë plan shoh më së shumti hapësirë për transformimin e Serbisë në një vend normal.

KTV: Dhe para se të kalojmë te Kosova, dua t’ju pyes se në mars mbahen zgjedhjet lokale në Beograd. Ju tashmë e keni kandidatin tuaj, listën tuaj dhe a mendoni se këto zgjedhje ndoshta do të jenë tregues të disponimit ndaj Partisë Liberal-Demokratike.

JOVANOVIQ: Po, nuk do të jenë tregues për partinë. Në fakt, zgjedhjet te ne janë moment kur paraqiten të gjitha frustrimet në shoqërinë tonë. Në Serbi tash e 6 vjet dominon Vuçiqi. Thonë se ai e ka vjedhur politikën time. Unë mendoj se ashtu është. Por konsideroj se një pjesë e madhe e ideve e qëllimeve të cilat unë i paraqisja e ai i kundërshtonte nuk mjaftojnë. Madje edhe kur sjell një vendim pozitiv nuk e ndryshon shoqërinë andaj ne sot kemi dominimin e tij si politikan krahas përkrahjes së njerëzve që shpesh s’kuptojnë çfarë bën ai. E në anën tjetër kemi njerëz të cilët do të donin që këto qëllime të realizohen por jo me të. Andaj kjo situatë është frustuese dhe zgjedhjet në Beograd s’janë rast që ne të dalim para njerëzve me plane konkrete dhe t’i japim shoqërisë porosi, por prapë do të përplasemi me njëri-tjetrin, do të ndajmë Serbinë në parti e kanale dhe do të vazhdojë grindja, e cila ekziston prejse di për vete. Dhe unë e di që ne jemi të ashpër ndaj vetës njëjtë sikurse në të shkuarën ishim të ashpër ndaj jush apo kujtdo tjetër.

KTV: Dhe tani t’i kthehemi Kosovës, dhe qysh para 10 vjetësh për ju pavarësia e Kosovës ishte fakt, derisa qëndrimi i qeverisë ishte krejtësisht ndryshe. 10 vjet pas pavarësisë ende jemi në nivel të njëjtë. Përse është e vështirë të binden serbët që Kosova është e pavarur.

JOVANOVIQ: Sepse në atë qëndrim për Kosovën nuk paraqitet vetëdija jonë për atë çfarë duam të bëjmë me ju. Por paraqitet të gjitha punët tona të pambaruara. Dhe më së shpeshti, ne nëpërmes qëndrimit ndaj Kosovës transmetojmë dhe promovojmë atë që është më e keqja tek ne, një serë gabimesh që bëmë. S’është Kosova e para. Ne kishim probleme në raport me Slloveninë, me Kroacinë, me Bosnjën, në fund me Kosovën dhe kishim probleme edhe me vetën tonë. Problem i veçantë shoh në mungesë të një politike të qartë që njerëzve do t’u hapte perspektivë. S’jam unë i vetmi i cili e kupton që Kosova është e pavarur. Këtë e dinë edhe të tjerët. Unë këtë fakt e pranoj, nuk mendoj se me të mund të polemizoj. Ky fakt është si fizika. Nëse kamerat do të ndaleshin edhe të tjerët do t’ua thoshin këtë, këtë e kemi të qartë po çfarë pastaj? Ne nuk obligohemi ta pranojmë, mund të presim. Por kur i pyesni çfarë prisni nuk dinë të përgjigjen. Do të thoshim se kemi pritur 500 vjet të shkonin turqit, presim edhe 500 vjet të ndodh diçka e ku është garancia që diçka do të ndodhë, epo nuk ka. Çfarë çmimi do të paguajmë për këtë këtu s’është menduar kurrë. Këtu politika asnjëherë nuk ka menduar për pasojat që i linte pas dhe këtu politikanët janë të vetmit që janë të kursyer nga çfarëdo lloj përgjegjësie. Mund të shkatërroni vendin, të jeni përgjegjës për largimin e miliona njerëzve më të mençur, për luftëra, për shkatërrime e të nënkuptojë se s’keni nevojë t’i përgjigjeni askujt për tmerret që na kanë mbetur ne.

KTV: Dhe nga ana tjetër ekziston iniciativa e presidentit serb që të zhvillohet dialogu i brendshëm lidhur me çështjen e Kosovës, mendoni se ka gjasa që kjo iniciativë është e sinqertë apo vetëm lojë politike.

JOVANOVIQ: Nuk mendoj se është lojë politike dhe në anën tjetër kjo iniciativë nuk është e pasinqertë por është problemi se Vuçiqi sikurse unë e shumë të tjerë, shumë mirë e di që kjo shoqëri nuk obligohet për asgjë të pranojë këtë të vërtetë dhe nëpërmes dialogut të formulohet një plan i arsyeshëm me të cilin do të dilnim para jush në Kosovë. Dhe të merremi vesh si do të jetojmë nesër sepse kështu më nuk bënë. Po jemi vrarë, jemi prerë, jemi shkatërruar, prishem të gjitha lidhjet por lindin do fëmijë të tjerë jemi afër hajde të tentojmë të bëjmë diçka të mençur për ndrysim. Vuçiqi e kupton se Kosova është çmim, që duhet të paguajë q ky vend të merr daljen nga rruga qorre në të cilën ndodhemi që 30 vjet. S’do të kishte as marrëveshje të Brukselit, as dialog s’do të kishte as skena normale si takimet e Thaçit e Vuçiqit. E kishim këtë tragjedinë në veri kur u vra Oliver Ivanoviq dhe tingëllonte si lajm qetësues se dy presidentët biseduan në telefon dhe u morën vesh që duhet bërë gjithçka të zbulohen përgjegjësit. Kjo para disa vjetësh ishte e pamundur e sot është inkurajuese. Dhe si ndodhi kjo? Fillimisht me presionin e perëndimit dhe në njëfarë forme të shantazhit politik e që është pasojë e konstatimit edhe të Perëndimit edhe të atyre që e udhëheqin Serbinë se kështu si jemi vetëm nuk mundemi që varemi nga Evropa, dhe për këtë kartën evropiane duhet të paguajmë çmimin e që ka karakter të qartë, marrëveshje me shqiptarët në Kosovë rreth raporteve të ndërsjella dhe krijimi i rajonit ku do të margjinalizohej mundësia e ndonjë konflikti të ri e stabiliteti i Ballkanit sot varet nga aftësia e Serbisë që të lëvizë ndaj raportit ndaj Kosovës e Bosnjës.

KTV: Mendoni që dialogu në Bruksel mund të ndryshojë diçka marrë parasysh se tashmë disa vjet ka filluar dhe s’është që në terren ka ndryshuar kushedi çka dhe a mund të arrijmë diçka të dyja palët, nëse marrim parasysh presionin që po bëhet si ndaj Prishtinës edhe ndaj Beogradit?

JOVANOVIQ: Epo shpesh ne dhe ai dialog janë pengje e viktima të raporteve të politikës së brendshme. Siç është në Beograd dhe Serbi gjëja më e jopopullarizuar të tregosh mirëkuptim për Prishtinën ashtu është edhe në Prishtinë rrezik politik të tregosh mirëkuptim dhe entuziazëm për Beogradit në këto kontakte të ndërsjella. Gjithçka ka ndodhur këtu me marrëveshje të Brukselit. Edhe ju kishit disa herë zgjedhje njëjtë sikurse ne këtu në Serbi. Ka ndryshuar harta e botës. Ajo që deri dje ishte e paimagjinueshme sot është normale, askush s’e di se si do të duket e nesërmja. Nga Serbia pritet që të kuptojë jetën e të pranojë faktin se Kosova është e pavarur dhe ashtu të merr hyrjen për BE, e njëkohësisht ushtria gjermane paraqet 6 skenarë të shkatërrimit të BE-së dhe kur Katalonja shpall pavarësinë, Spanja kërkon që lideri i Katalonjës të arrestohet më pas ai ikë në Bruksel, a është i sigurt aty apo jo, pastaj ikë në Kopenhagë dhe druan nëse do ta arrestojnë aty apo jo. Pastaj ju jeni nën presion e Gjykatës Speciale për Krime Lufte të UÇK-së, pastaj këtu shtrohet pyetja se me kë po diskutoni ju, me ata të cilët përpiqen ta zhbëjnë Gjykatën meqë druajnë se ata mund të gjykohen. Atëherë 20 vjet pas luftës ne jemi ende me një këmbë në vitin ’99 edhe në Prishtinë edhe në Beograd dhe kjo nuk ka shumë lidhje as me ju as me mua, dhe botën që unë paraqes po ashtu është andaj e kuptoj Vuçiqin dhe të gjithë në Prishtinë në këtë aspekt. Ata nuk e kanë përkrahjen e madhe të shoqërisë për këtë çfarë bëjnë por mendoj se duhet ta shtyjnë deri në fund dhe shumë shpejtë do të ballafaqohemi me vendime të mëdha që duhet të sillen e që unë u gëzohem. Këto janë vendime që Kosovës dhe shoqërisë suaj duhet hapur hapësirën për një vend normal në botë që duhet të mundësojnë që të garojmë mes vete në sport, të bashkëpunojmë në kulturë e biznes të vijmë në Kosovë sepse atje ka diçka që na pëlqen.

KTV: Por e keni parasysh se ekzistojnë paragjykime të mëdha mes serbëve e kosovarëve për njëri tjetrin.

JOVANOVIQ:E di. Ekzistojnë paragjykime.

KTV: Për të cilat s’ka populli faj por politika.

JOVANOVIQ: Ekziston frika, që e shkuara jonë ishte aq e përgjakshme dhe para atyre tragjedive më së miri do të ishte ndonëse s’është e mundur që të heshtim. Por për këtë duhet folur unë këtë e kam bërë gjithmonë. Takimi im i parë me këtë të keqe ishte qysh në vitin 1993 kur kam shkuar si student në Kosovë dhe kam parë praktikisht Vranjevci ishte getoja e fundit në planet. Ashtu diçka nuk kishte as në Johanesburg në Afrikën Jugore. Ata kishin rrëzuar aparteidin, Mandela u bë president e Vranjevci ishte getoja shqiptare në Prishtinë. Secili polic, secili gjykatës, secili mjek e profesor ishte serb, çdo drejtor ishte serb dhe për mua kjo ishte tronditje sepse 300 kilometra nga Prishtina askush s’e kishte idenë si dukej jeta në Kosovë. Ju flisni serbisht e unë i di disa fjalë në shqip dhe kjo mes tjerash tregon për fatin e çuditshëm të shoqërisë sonë që është e kthyer kah vetvetja shumë e mbyllur dhe e paaftë të kuptojë se edhe ju keni interesa vetën tuaj. Paragjykimet janë të fuqishme por duhet të luftojmë kundër kësaj së bashku.

KTV: Ndoshta këtë do të mund ta ndryshonim nëse do të ballafaqoheshim me të shkuarën në një mënyrë tjetër sepse edhe në këtë aspekt kemi telashe.

JOVANOVIQ: Sigurisht dhe për këtë s’kam dilemë, për mua dhe shpesh kam folur për këtë, Serbia është më përgjegjëse për atë çfarë ndodhi në territorin e ish-Jugosllavisë. Meqë nuk ishte në gjendje të ndryshonte meqë ata që e udhëhiqnin nuk e kuptonin kohën në të cilën jetonin që lejuam që ajo më e keqja në ne të jetë dominuese. Që ishim të shurdhër dhe memec para atyre që e kuptonin dhe vazhdimisht tërhiqnin vëmendjen për pasojat që mund t’i kemi. Unë gjithmonë tentoja të shoh jetën nga perspektiva e atij përballë meje. Dhe e njihja Rugovën, Fehmi Aganin dhe tragjedia e tij gjithmonë më përkujton në atë fytyrën e Serbisë që është në errësirë, për të cilën nuk duam të flasim. Nuk na përgjigjej Rugova si politikan, shalli i tij na irritonte, toleranca dhe ajo qetësia me të cilën dilte para shoqërisë dhe kërkonte të duronte. Më pas fituam UÇK-në dhe donim të na kthehej Rugova. Ne gjithmonë ishim të mençur. Andaj sot nuk e dënoj Vuçiqin që serbët në Kosovë votuan për qeverinë e Haradinajt dhe që hynë në të sepse mendoj se Haradinajn dhe qeverinë e tij e votuan qytetarët e Kosovës, që partitë që morën vota u pajtuan dhe se serbët më në fund duhet të ndalen së kërkuari dobi për vete dhe të thellojnë dallimet krahasuar me shqiptarët. Nëse Haradinaj ishte zgjidhja juaj dhe e atyre që votuan atëherë serbët e kanë vendin në qeveri, le të flasin, le të bëjnë çfarëdo q munden për ata që i paraqesin dhe konsideroj se kjo është rruga e vetme.

KTV: Kur jemi këtu çfarë mendoni për Listën Serbe, sepse një pjesë e serbëve të cilët nuk e identifikojnë vetën me këtë parti…

JOVANOVIQ: Ata janë të margjinalizuar. Nuk e kanë vetën e vet. Ekziston një rregull i pashkruar kundër të cilit unë luftoja që kushdo që është në pushtet në qeveri duhet të kontroll të plotë ndaj përfaqësuesve serbë në Kosovë. Dhe kjo nuk është ngase këtu në Beograd e duan këtë por shkaku i raportit të botës ndaj serbëve në Kosovë. Kështu ishte rasti edhe me serbët në Bosnje apo Kroaci. Atyre u interesonte kush është njeriu numër një dhe nga ai pritej të zgjidhte çështjet. Kështu Millosheviqi nënshkroi në Dayton marrëveshjet për serbët në Bosnje dhe kështu në Serbi zbatohej politika ndaj së cilës serbët duhet të obligohen. E që kjo të zbatohet duhet të keni kontroll të plotë ndaj përfaqësuesve politikë dhe këtu vjen deri tek fatkeqësia e re për komunitetin serb në Kosovë që për ata të vendoset në Beograd dhe vendimet i sjellin ata që s’kanë lidhje me atmosferën në të cilën ata njerëz duhet të jetojnë. Dhe shpesh mendoj se serbët në Kosovë më lehtë do të ishin marrë vesh me shqiptarët po të mos ishte Beogradi. Nga Beogradi është lehtë të ‘serbizosh’ e ata që jetojnë në Kosovë më së shpeshti e paguajnë çmimin, e kjo shpesh ishte ashtu.

KTV: Por presidenti Vuçiq është shumë i adhuruar nga serbët në Kosovë. Para disa ditësh ishte në një fshat në Kosovë dhe vet e kam parë se sa e adhurojnë.

JOVANOVIQ: Sepse kushdo që është në pushtet në Serbi, sepse të këtillë e kemi sistemin, kushdo që është në pushtet në Serbi do të adhurohet sepse ata në tërësi varen nga ai. Çfarë kërkuan serbët në Kosovë nga Vuçiqi? Njëri kërkoi ndihmë për fëmijën e tij shumë të sëmurë për transplantimin e palcës kurrizore që kushton 150 mijë euro dhe ai sigurt në jetë nuk ka parë 15 mijë euro. E në shtëpi s’ka as 1500. Një serb tjetër kërkoi traktor. I treti ka thënë që ka 4 fëmijë se gruan e ka të sëmurë të paralizuar dhe një fëmijë po ashtu të sëmurë dhe vuajnë në shtëpi që pikon, dhe po ngrijnë. Këta njerëz kërkuan lëmoshë, sepse ajo nuk ishte bisedë me serbët që e pyetën presidentin se çfarë plani ka ai për ata. Kur fol me Thaçin, për çfarë do të flasësh nesër në Bruksel. Kemi dëgjuar që deri në 2019 duhet të ketë marrëveshje a do të marrim pjesë në këtë dhe a do të deklarohemi për këtë. Ajo nuk ishte bisedë për politikë, ishte bisedë e njerëzve që s’kanë ku të shkojnë dhe mbeten në Kosovë se shumica janë ashtu që s’kanë ku të shkojnë dhe s’kanë çfarë të shesin, ata janë të varfër dhe ata kërkuan lëmoshë nga presidenti. Kushdo që shkon në Kosovë, nga Beogradi shkon e serbizon e poshtë ballafaqohet me pasojat e politikës së papërgjegjshme e cila po bëhet tash e 30 vjet. Ne e shkatërruam Kosovën! Nëse e duam aq shumë përse pra e kemi fondin e zbrazët për ndihmë Kosovës që qeveria e themeloi para 14 vjetësh. Në atë fond nuk ekziston asnjë dinar! E kështu duket përplot me biznesmenë të njohur serbë, e asnjë dinar s’është në fond. Kuzhina popullore në Kosovë mbetet pa ushqim sepse këtu askush nuk është i aftë që të mundësojë atë çfarë duhet që të moshuarit e të varfrit në Kosovë të ngopen. Dhe kur e shihni atë takim në Llapnasellë atëherë nuk keni nevojë për asnjë argument tjetër me të cilin do të dëshmoni sesa e gabuar është politika që e udhëhoqi Serbia e që sot shumica në Serbi duan ta vazhdojnë.

KTV: Qëndrojmë edhe pak tek presidenti Vuçiq, të cilin ju e njihni i përmendet edhe vitet e ’90-a do të thotë kur ai ishte po ashtu në pushtet, por tani e shohim një Vuçiq krejt ndryshe dhe si e vlerësoni këtë ndryshim të tij, tani është shumë më pro-evropian dhe thatë se është inkurajuese kur dëgjoni se bisedoni me presidentin Thaçi lidhur me ndonjë ngjarje çfarëdo në Kosovë.

JOVANOVIQ: Po shihni kjo është jeta. Kur kështu nganjëherë simpatizantët e partisë sime thonë: hej po ti e flet këtë tërë jetën!’ edhe unë them, njerëz unë e them këtë për shkak se ata që na dëgjojnë e shohin të kuptojnë. Pastaj ata përgjigjen, Vuçiqi e ka vjedhur politikën tënde, dhe unë them mirë është! Hajde të shohim se si do ta vjedhin edhe të tjerët këtë dhe të shohim sa mirë mund të bëhemi. E vërtetë se ai kaloi në këtë anën ku jemi ne, së paku në mënyrë deklarative. Disa veprime janë të atilla. Unë s’kam çfarë të them, për deklaratën e tij në Mitrovicë që më mirë është të bisedohet 1 mijë vjet sesa të luftohet një sekondë. Kjo është aq ndryshe nga ajo çfarë dikur thoshte. Por pjesërisht kam mirëkuptim për zemërimin e njerëzve që luftonin në të shkuarën kundër tij sikurse unë. Por kjo është e gabuar sepse duhet të krijojmë hapësirë për t’i pranuar ata që ishin kundër jush. Dhe nuk di çfarë do të donin njerëzit tani? Që ai të jetë më i çmendur se që ishte në vitet ‘90a? Të jetë më i keq se Shesheli që e kishte baba politik. E di që njerëzve u pengon kjo që shumica do të donin që unë të isha në vend të tij dhe të flas diçka autentike e jo dikush që po tenton të përsërisë fjalët e mia, por politika është kështu! Ai e ka përkrahjen e 60% të votuesve dhe u kam thënë shumica e atyre që e përkrahin nuk kuptojnë çfarë bënë ai. Për të votojnë për arsye të njëjta sikurse siç dëgjuat njerëzit në Llapnasellë që flisnin për të. Votojnë sepse varen nga ky shtet, votojnë se kanë parë se ka krijuar parti të fuqishme kundrejt opozitës së dobët, votojnë ngase nuk ka alternativë dhe s’kanë tjetër. Por votojnë edhe pse disa gjëra po ndryshojnë për të mirë. Nëse ka diçka normale në gjithë këtë që përjetuam është fakti se unë jam i sigurt që më luftë s’do të ketë. E kjo varet nga Vuçiqi apo unë. E nëse lejojmë që rusët të ‘çaraveshen’ nëpër Serbi të na ndalin në transformimin e vendit, të na shtyjnë në konflikt në Republikën Srpska atëherë do të varemi nga perëndimi dhe serioziteti e gatishmëria e tyre që kohën t’ia kushtojnë sërish këtij rajoni dhe të rregullojnë dëmet që ne i kemi bërë. E shoh se përsëri janë angazhuar në Maqedoni, që mbrojtën Malin e Zi dhe pres më shumë vëmendje në perëndim edhe për Kosovën edhe Serbinë që me ndihmën e tyre t’u rezistojmë rreziqeve të mëdha ndaj të cilave jemi të ekspozuar. Kjo nuk është aspak naive. Nëse Ballkani është stabil, nëse e vemi pikën ndaj rregullit të pashkruar prejse ekzistojmë si popull, nuk ka asnjë gjeneratë shqiptare që nuk ishte e luftës, s’ka as serbe. Secila gjeneratë ishte e luftës. Prindërit e mi u rritën në luftë, unë dhe për mua nuk ekziston detyrë e ideal më i madh sesa lufta për qetësinë në të cilën do të jetojnë fëmijët tanë të bindur që do të jetojnë ashtu. Për paqe duhet të bëjmë gjithçka andaj besoj në këtë transformimin e tij dhe nuk dua të shoh asgjë tjetër. A mjafton kjo? Jo! Dhe këtu unë e Vuçiqi dallojmë, që ai paralelisht mendon edhe për pozitën e tij politike. Dhe kur nuk shkon në Republikën Srpska si vitin e shkuar, në shënimin e Ditës së Republikës që konfronton serbët në Bosnje me perëndimin, kroatët e boshnjakët por shkon në një takim në Indi por për të mos humbur pjesën e votuesve të tij nacionalistët të cilët i mbanë në orbitën e tij, atëherë kujtojnë atë trenin qesharak që e dërgojnë në Kosovë dhe ai ndalet e shkruajnë letra dhe kështu vazhdimisht kompensohet një hap pozitiv përpara me tensione në tjetër. Kur bëjmë diçka mirë në Kosovë, gabojmë diçka në Bosnje, kur bëjmë mirë në Bosnje, gabojmë në Kosovë. Epo ky është Vuçiqi i cili gjatë gjithë kohës ruan pozitën e tij politike dhe mendon për përkrahje që ka në shoqëri. Unë nuk mendoj se do të tregohemi të suksesshëm nëse nuk i përfundojmë negociatat e Thaçi e Vuçiqi të flasin normalisht të kuptohen e që shqiptarët e serbët në ndërkohë nuk i kanë përmirësuar raportet dhe mendimin për njëri-tjetrin. Ne mund të nënshkruajmë çfarëdo por dikush duhet të luftojë me këtë. dikush duhet ta pranojë. Nëse ne kryejmë marrëveshjen e nuk e ndryshojmë shoqërinë po ia imponojmë një zgjidhje të re e cila do të jetë burim i pakënaqësisë së re dhe do të sjell tek ajo që do të ketë gjenerata serbësh që kurrë nuk ishin në Kosovë por mendimin e tyre e krijuan bazuar në poezinë e epike, mitit për Betejën e Fushë Kosovës dhe marrëzirave tjera për të cilat ende ka debate. Atëherë duhet paralelisht të ndryshojë edhe Serbia dhe në këtë aspakët unë e kritikoj Vuçiqin.

KTV: Sa mendoni se do të mund të qëndrojë në pushtet marrë parasysh se është njeriu më i fuqishëm në Serbi por edhe në Kosovë falë Listës Srpska?

JOVANOVIQ: Ekziston një rregull i politikës serbe. Të gjithë kanë rënë në Kosovë. Millosheviqi ka rënë në Kosovë, Koshtunica ka rënë në Kosovë, Tadiqi në vitin 2012 ra në Kosovë ngase mbeti pa përkrahjen e perëndimit që konsideronte se me Tadiqin nuk mund të bëhet asgjë në aspektin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. E Vuçiqi e di këtë megjithëse tani është kohë tjetër. Dhe unë mendoj se këtë herë ai e ka mundësinë historike që politikanët tjerë nuk e kishin që të sjell disa vendime të rënda. Të rënda shkaku i atmosferës në të cilën ndodhet Serbia sepse kjo shoqëri me vite u helmua. Ne jetojmë në Çernobil politik. Çfarë i mungon një qytetari mesatar që Serbia refuzon të pranojë Kosovën e pavarur? Ai thotë asgjë. Ndjehet i dinjitetshëm se ka inati, sepse ne dhe rusët do ta kthejmë nesër. Gjithçka do të dëgjoni. Ata nuk e ndërlidhin varfërinë e tyre me agoninë e Kosovës. Nuk kuptojnë se Serbia u shkatërrua në luftërat që i udhëhoqi shkaku i politikës së gabuar dhe gjithçka që po na ngufat sot në fakt është pasojë e këtyre gabimeve. Andaj mendoj se duhet të themi të vërtetën dhe të kërkojmë mirëkuptim nga ana tjetër për këtë të renë që duam të krijojmë. Për këtë gjithmonë them sa herë që ekziston mundësia që kjo të zgjidhet që nuk ia vlen Kosova të maltretohet më me këto viza. Nuk do të jetë më e lirë nëse këtë vend e frustroni edhe njëherë dhe krijoni parakushte për konflikt të ri dhe në vend të 500 mijë njerëzve që do të mund të punonin do të keni 500 mijë refugjatë që s’dini çfarë të bëni me ata. Plus ata që vijnë nga Serbia. Duhet të normalizojmë raportin ndaj Kosovës. Shpesh nuk është e drejtë ajo me të cilën ballafaqoheni sikurse ne. Kërkohet diçka nga Prishtina e Beogradi që është aq larg nga realiteti. Është e zorshme të kuptohet nga perspektiva e Kosovës një politikë që udhëhiqet. Për mua liberalizimi i vizave është më serioze dhe del se ekziston një kufi atje në ndonjë mal afër Malit të Zi dhe demarkacioni rreth disa kodrave është po aq e rëndësishme si heqja e vizave. Epo vizat për Kosovën është rrënim i politikës së aparteidit sepse ju më nuk jeni nën presionin e Serbisë në atë aspekt dhe nuk vareni nga Serbia por dikush tjetër dhe çfarë të bëjnë me ju s’duhet pyetur Serbia. Dhe kështu ekzistojnë gjenerata të tëra që rriten. Mirë nëse e kanë njohur pavarësinë e tyre, por çfarë politike është kjo, çfarë shteti jeni ju? A mund të jetohet në të? Serbia ka shtet dhe prapë njerëzit po ikin. Për këtë na duhet shtet në të cilin mund të jetojmë. Ky është vetëm një shembull.

KTV: Por përpos demarkacionit në Prishtinë kemi edhe një telashe e që është Gjykata Speciale me të cilën po ashtu rrezikojmë të përkeqësojmë raportet me perëndimin.

JOVANOVIQ: E kuptoj këtë. Vetëm s’e kam të qartë përse këtë s’e kanë bërë para 20 vjetësh. Dhe çfarë presin nga kjo gjykatë tani? Që të dënojë ata të cilët i kishte liruara dy herë. Unë shpesh në takime me politikanët në Bruksel e vende tjera në perëndim jam bashkëbisedues i keq. Por e di mirë se çfarë ndodhi në Kosovë. Dhe kjo nuk është vetëm shkaku i juaj apo i yni. Ata që për 10 vjet e shihnin Kosovën dhe nuk ndërmorën asgjë janë po ashtu përgjegjës. E njohën shtetin tuaj? Përse pra nuk krijojnë parakushte normale për atë shtet që të mund të vraponi pas topit, të luani basket të udhëtoni normalisht. Për çfarë vlen tani e gjithë kjo? Mirë nëse duhet të gjykohet për krime lufte ku janë gjykatat në Kosovë, përse nuk ekzistojnë.

KTV: Ndoshta janë marrë për shembull gjykatat për krime lufte në Serbi që nuk janë shumë efikase?

JOVANOVIQ: Ne kemi krijuar në një gjendje të jashtëzakonshme në vitin 2003 Prokurorinë Speciale për Krime Lufte dhe aty u sollën disa vendime u dënuan disa njerëz. U soll vendimi për Podujevën.

KTV: E që ndoshta ishte vendimi më i madh që ndodhi.

JOVANOVIQ: Po por të gjitha këto mbetën në një rreth të mbyllur.

KTV: Andaj na duhet diçka si Gjykata Speciale.

JOVANOVIQ: Por atëherë në këtë rast duhet të flasim në mënyrë tjetër. Atëherë Gjykata Speciale s’mund të jetë lëndë e tregtisë dhe dikush t’u thotë se s’do të keni Evropë nëse e shfuqizoni Gjykatën Speciale. Dhe çfarë mund të jetë më e rëndësishme nga jeta normale në Kosovë, nga ajo që mos të përkrahini kriminelët. Me këtë s’bëhet tregti as në Kosovë as në Serbi. Unë e kam çuar Millosheviqin në burg dhe tre muaj pas kësaj e dërguam në Tribunalin e Hagës. Njëjtë kam vepruar me Shainoviqin, me Millutinoviqin, me Pavkoviqin me Stanishiqin me Simatoviqin. Ekziston një përqindje e njerëzve në Kosovë në Serbi, Kroaci e Bosnje kudo që sot e vlerësojnë pozitivisht punën e Tribunalit të Hagës.

KTV: Të gjithë kanë rezerva.

JOVANOVIQ: Saktë. Ne do të donim që përjetësisht të jenë të burgosur edhe ata nga ana tjetër. Do të thotë ata që ju i konsideroni kriminelë e jetojnë mes nesh janë heronj për ne, ata që ju i konsideroni heronj për ne janë kriminelë. Dhe kjo ndodh për faktin se ne vet nuk ia dolëm të zëmë qëndrim për diçka që është aq e pacivilizuar dhe kërcënim më së shumti për shoqëritë nga cilat vijnë. E dini Zoran Gjingjiq u vra në aksionin kundër Hagës. Unë sot jetoj, jo që unë jetoj me 10 policë por fëmijët e mi jetojnë. Katër fëmijët e mi i ruan policia. Dhe nga kush më ruajnë, nga Thaçi? Nga Haradinaj? Nga Naser Oriq apo Gotovina? Jo por nga patriotët serbë dhe heronjtë. Ata që vrisnin në Kosovë, njëjtë bënin në Bosnje e Kroaci. Ata të cilët shpëtuan nga kjo sepse atje ndodheshin Millosheviqi, Karaxhiqi, Mlladiqi, por këtu nuk ndryshoi perceptimi për këtë. Isha mysafir para një muaji në RTS kur u shpall vendimi për gjeneralët kroatë dhe askujt në televizion nuk i pëlqeu që unë nuk flisja për gjeneralët kroatë por për tanët që përfunduan në Hagë dhe vendimeve të shqiptuara atje. E në Serbi kjo nuk ndodh. Pastaj pesë orë zgjati marrja në pyetje e gazetares e cila më lejoi mua të flisja në Serbi në vitin 2018. Pesë orë u mor në pyetje gazetarja që më lejoi të flisja për diçka që ndodhi para 20 vjetësh! Andaj sot kemi gjenerata të serbëve që rriten me slogane si ‘Vrit, preje që shqiptar të mos ketë’ ose ‘Thika, teli, Srebrenica’. Ata nuk ishin as në Bosnje dhe nuk dinë asgjë për këtë dhe unë pajtohem që duhen institucione të veçanta nëse s’mund të kemi tjera por kjo s’mund të jetë mekanizmi i vetëm. Kosovës i duhet edhe liria, lidhja me botën, raporte normale me Beogradin. Mundësia për të parë një jetë tjetër, të mësoni ta sillni dijen në Kosovë. Në Universitetin e Beogradit duhen studentë nga Kosova. Nuk mund të përparojmë në Listën e Shangait. Kushtet për të qenë aty janë qartë të theksuara. Mes tjerash përmenden edhe njerëz nga jashtë. Ne na duhen studentë nga Sarajeva, Prishtina, Podgorica, Shkupi, Zagrebi edhe ne ju duhemi atje. E për këtë duhet të flasim. Në rregull Gjykata Speciale mund të jetë një prej kërkesave por jo vetëm kaq. Mendoj se shumë probleme do të zgjidheshin më lehtë nëse do të kishte më shumë Evropë në Kosovë dhe Serbi.

KTV: Sidoqoftë desha t’ju pyes më vonë por po ju pyes tani meqë e përmendet vet si është të jetohet në mbikëqyrje të vazhdueshme?

JOVANOVIQ: S’e di. Njeriu mësohet me gjithçka. Ndjehesha shumë keq kur në mëngjes dëgjova kur ishte vrarë Oliver Ivanoviq. E tmerrshme. E njihja njëjtë si shumica e politikanëve kosovarë. Dhe kjo është vetëm edhe një kokë politike më shumë të cilën unë e njihja e që hapte mundësi për ndonjë raport tjetër me Kosovën. E di për të shkuarën e tij e di që ishte Roje e Urës në Mitrovicë. Në LDP një anëtari tonë të spikatur ai e kishte ndalë. Kolegu jonë punonte në Fondin për të Drejtën Humanitare ai e ndaloi dhe ia mori pajisjet, veturën gjithçka, më pas kërkoi falje dhe tha se urdhri ishte ashtu. E dini ne tani na mungojnë Rugova, e Fehmi Agani si dhe Këshilli juaj për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, Kelmendi. Tani kemi njerëz të tjerë. Edhe ju u mungon Gjingjiqi, sigurisht do të ishte më mirë të ketë më shumë njerëz të cilët flasin si unë. Nesër do të na mungojë Ivanoviqi, por ç’të bëjmë? Duhet të përpiqemi nga kjo të bëjmë diçka.

Çfarë t’ju them kjo gjëja rreth Gjykatës Speciale sa e komplikuar është tek ju nuk mendoj se me shantazhe asgjë mund të mbijetojë. Në fund ajo Gjykatë dhe vendimi për të u soll nën presion. E di sa dramatike ishte seanca në të cilën foli Thaçi e në partinë e tij kërkoi fillimisht përkrahje për këtë. Këto gjëra kështu s’mund të jenë kualitative. Gjithçka që në Serbi u mor dhe u soll me presion më pas ishte kundër-produktive. Nën presion bashkëpunuam me Hagën. Cila ishte pasoja e kësaj… që sot të kemi shoqëri të deformuar dhe në këtë vend kemi më shumë të këqija për të krijuar një luftë të re se në të shkuarën. Sot raportet mes serbëve dhe boshnjakëve janë më të këqija sesa shtatë ditë para nisjes së luftës në Bosnje. Njëjtë vlen edhe për kroatët e serbët. Do të thotë ideja e Hagës ishte që diçka të ndryshojë këtu, por nuk ndryshojë. Në fund vepruam ashtu siç dimë më së miri e dërguam një kokë të madhe atje dhe ne vazhduam tutje me të vjetrën. Shkoi Millosheviqi në Hagë, është në Hagë Karaxhiqi, po, është Mlladiqi, po. Se në Hagë ende gjykohen Stanishiqi e Frenki, po! A mund të fitojë LDP-ja zgjedhjet në Serbi? Jo! E kush i fiton zgjedhjet i fitojnë ata që dikur ishin partnerë të koalicionit të tyre dhe ata që kryesisht mendojnë siç mendojnë edhe ata që janë në Hagë. Cila është pasoja? 20 vjet të jetës të humbura. Andaj unë do të ruaja atë çfarë ka në Kosovë, do të punoja me këtë do të luftoja kundër ekstremizmit por s’mund të keni Kosovë demokratike nëse nuk zgjidhjet çështja e statusit të Kosovës nëse Kosova shpenzon gjithë kohën e vete për mbijetesë e jo në krijimin e shtetit normal. Do t’u shkojnë njerëzit siç po ikin nga këtu. Gjysma e votuesve të mi nuk janë këtu. Gjysma e bordit të LDP-së kanë ikur që nga viti 2012. Tashmë kanë fëmijë të lindur në SHBA e Kanada, Evropë, Australi, Zelandë të Re. Fëmijët e mi, djali im vitin e ardhshëm do të largohet nga Serbia. E mbaron shkollën fillore dhe do të shkojë. S’mund të imagjinojë që këtu të shkojë në gjimnaz, ta përcjellë policia e veturat sepse s’mund të shëtisë me të dashurën të del me një mik. Pas tij do të shkojë edhe një bijë edhe tjetra. S’mund të kërkoj nga ata që të kthehen këtu. Dhe ky është rregull në çdo familje që njoh e mbesin jo ata që duan por ata që s’mund të shkojnë nga këtu. Andaj nëse ne nuk ndërmarrim diçka Serbia shumë shpejtë do të bëhet shtet i njerëzve që s’kanë ku të shkojnë.

KTV: Të ndalemi edhe pak tek vrasja e Oliver Ivanoviqit, mendoni se kjo situata e re mund të ndryshojë pozitën e serbëve në Kosovë sidomos ata në veri meqë shumë vjet ishin të izoluar nga pjesa tjetër e Kosovës e tani janë të frikësuar?

JOVANOVIQ: Po, komuniteti serb në Kosovë është i frikësuar ishte edhe më parë dhe më së shumti probleme kishte brenda vetës. Sepse kjo ndarja e Kosovës dhe Ibri janë në fakt mundësi që veriu të bëhen një zgafelle dhe për këtë fliste Oliver Ivanoviq. Unë njoh shumë serbë nga veriu i Kosovës të cilët frikësohen shumë më shumë nga disa serbë të tjerë se shqiptarët dhe për këtë është përgjegjëse Serbia. Ajo duhet të zgjidh çështjen e kriminalit dhe mafies në Kosovë. Nuk kam shumë fakte por di pak më shumë nga ajo që lexohet në gazeta dhe nuk e njoh askënd në politikë që ka më shumë përvojë se unë në këtë aspekt, fatkeqësisht por vrasja e Ivanoviqit është vrasje klasike e atentatit politik me ambicie që të destablizilohet pushteti në Serbi të dobësohet Vuçiqi që Serbia të ballafaqohet me shqiptarët. E njëjta ndodhi edhe me ne në vitin 2002 apo 2003 kur vriteshin gjeneralët e policisë në Beograd e më pas tërhiqej si argument që fliste kundër Gjingjiqit dhe qeverisë së tij që në fund edhe ai të vritet në aksionin kundër Hagës më mars 2003. Nuk e vranë kroatët, as shqiptarët as gjermanët me të cilët dy herë luftuam. Askush s’e vrau nga ata që do t’i njihnin në listën e armiqve të përbetuar serb. E vranë vet serbët. Në aksionin ‘Stop Hagës’. Në të shtiu, koloneli i Policisë serbe. Dhe kjo çfarë ndodhi me Ivanoviqin nuk di se si do të përfundojë, është zor të zgjidhet. Drejtësia arrihet herët ose vonë.

KTV: Por në aspektin social, si mund të ndikojë në disponimin e njerëzve?

JOVANOVIQ: Epo kam thënë se si ndikoi në mua e familjen e gruan time. Gjithë njerëzve rreth meje. Ja këtu atë ditë në parti askush nuk qeshte, nuk kishte muzikë të gjithë ishim të mërzitur. I dërgova fëmijët në shkollë, shkova në punë dhe më thirri bashkëshortja të më thoshte se e vranë Ivanoviqin dhe i bëra disa telefonata. Mendimi i parë që më shkoi ishte se ndonjë i marrë në Kosovë ose nga urrejtja e pakontrolluar shtien ndaj tij, derisa mora informatën se si ndodhi. Më pas e kisha të qartë për çfarë bëhej fjalë. Është goditje edhe këtu në Beograd e po e shoh edhe nga reagimet e njerëzve në Prishtinë e kuptuan se kjo është goditje edhe për Kosovës. Sepse kështu vetëm konfirmohet se Kosova është shtet në të cilin jetojnë egërsirat që tregtojnë me organe me heroinë e kokainë, me njerëz dhe vriten mes vete.

KTV: Dhe çfarë dini për Milan Radojçiq, i cili dyshohet se është i përfshirë në vrasjen e Ivanoviqit?

JOVANOVIQ: Nuk e di nëse është i përfshirë. E di se ai sikurse edhe grupi i njerëzve rreth, për të cilët flisja qysh në vitin 2011 kur digjej Jarinja e Brnjaku, kur flisnim për Zvonko Veselinoviqin ata janë njerëz që kontrollojnë veriun. Por e dini nëse veriu i Kosovës është i qetë derisa Vuçiqi e nënshkruan Marrëveshjen në Bruksel, nëse veriu votoi për Listën Srpska që votoi për Haradinajn kryeministër mos keni iluzione se kjo është ngase njerëzit janë në Kosovës janë gjenialë që kuptojnë për çfarë bëhet fjalë. Fatkeqësisht jeta në Kosovë e serbëve në masë të madhe kontrollohet nga ky rreth. E aspekti tjetër i jetës së tyre, ai kriminal është çmimi të cilën Beogradi e paguan për kontrollin që ata ua mundësojnë. E di për konfliktet që ekzistonin mes Ivanoviqit dhe atyre dhe ata ishin bashkë kah fundi i të 90-ve krijuan Këshillin Kombëtar Serb e më pas u ndanë janë personalitete të ndryshme. Ivanoviqi nuk ka lidhje me atë garniturë nga erdhën ata njerëz por për këtë atmosferë ku jetojnë serbët në Kosovë përfundimisht është përgjegjës ai rreth i njerëzve dhe druaj se mos po gaboj kur u them se rrënjët e asaj të keqe, Ivanoviqi i së cilës mund të mos jetë viktima e fundit. Sepse nuk i përshtatet Rusisë, Serbia evropiane. E Serbi evropiane nuk ka pa marrëveshje mes serbëve e shqiptarëve dhe si të merreni vesh për jetën e serbëve në Kosovë me shqiptarë nëse Ivanoviqi është vrarë. E vrasjen s’mund ta zgjidhin në Prishtinë jo pse s’munden por pse s’duan sepse ata e vranë. E vranë që të dërgojnë porosi se kështu do të përfundojnë të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë. Këto janë pikat me të cilat funksionon gjithçka këtu prejse di unë për vete. Si të jetojnë serbët me kroatët kur kroatët janë ustashë, si të jetojnë serbët me boshnjakë në Sarajevë kur ata janë muxhahedinë. Dhe kështu vijmë në këtë situatë. Vrasja e Ivanoviqit është rrënim i marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës. Tentim për rrënim dhe shpresoj se do t’i rezistojmë kësaj. E shoh se liderët po, shoqëria jonë edhe pa këtë është skeptike ndaj marrëveshjes dhe Vuçiqi në këtë është i vetmuar. Fakti pse e ka mirëkuptimin tim dhe përkrahjen për negociata me Prishtinën është një temë. Temë tjetër është kisha jonë, Tomislav Nikoliq, serbët ekstremistë në Mal të Zi ose Dodiku. Të gjithë ata kanë plan tjetër dhe për këtë kanë përkrahje në Moskë. Se çfarë plani është ky është plan i rrëzimit të Gjukanoviqit në Mal të Zi, sepse serbët nacionalistë do të vinin në pushtet të cilët do të shfuqizojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe do të shpallin bashkimin me Serbinë dhe Republikën Srpska e më pas ja ku janë Dodiku, kisha dhe vëllezërit rusë që do të përkrahin diçka.

KTV: Çfarë mund të bëni kundër rusëve?

JOVANOVIQ: E dini unë kam shumë miq rusë dhe shpesh takohem me ta në bjeshka. Ata janë interesant si miq, kalojmë mirë dhe s’dua të bëj asgjë kundër rusëve.

KTV: Po kur them rusët mendoj për Putinin jo rusët.

JOVANOVIQ: Serbia nuk mundet të mbijetojë me rregullat me të cilat mbijeton Rusia. Ata s’e kanë problem të kremtojnë Stalinin i cili ka lënë pas vetës 40 milionë rusë të vrarë. Mënyra si jetojnë ata është e shtrenjtë për ne. Është shtet i madh ku kurrë nuk flitet për çmimin apo sa jeta do të vuajë për diçka që bëhet. Ne jemi të orientuar kah NATO, perëndimi, Bashkimi Evropian që i thotë qartë Serbisë se çfarë duhet të bëjë. Ne s’kemi nevojë të jemi Donetsku i Evropës apo Kalingradi. Bazë ruse ose hapësirë ku rusët e amerikanët do t’i qërojnë hesapet mbi kurrizin tonë. Nuk dua që Serbia të jetë Siria e re. E kjo i përgjigjet shumë Moskës. Atyre gjithmonë u ka konvenuar ndonjë luftë në Ballkan dhe kurrë s’kanë bërë asgjë që kjo të parandalohet. Edhe sot përkrahin gjithçka të keqe në Serbi. Ofrojnë përkrahje për Dodikun që po e shkatërron popullin serb në Republikën Srpska, i cili nuk është i aftë të dalë nga këpucët e nacionalizmit në të cilat ka hyrë e kur e ka kuptuar se s’ka asgjë nga politika tjetër që udhëhiqte. Ai erdhi në pushtet sepse Amerika e solli aty. Ishte për NATO dhe BE, sot kremton Ditën e republikës me delegacion nga Osetia Jugore dhe qëron hesapet me shqiptarët nga Kosova, malazezët e maqedonasit. Nacionalizmi në Serbi, babanë e ka në Moskë edhe nënën edhe vëllanë e madh që e mbron dhe janë shumë të përzier në atë çfarë po ndodh këtu dhe ndikimin e kanë më të madh se ndonjëherë tjetër. Dhe zemërim. Zemërim se u mposhtën edhe në Mal të Zi edhe në Maqedoni. Dhe hyrja e Malit të Zi në NATO dhe hapja e perspektivës rreth marrëveshjes mes Maqedonisë e Greqisë për emrin e që është parakusht për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO shtoi presionin që po ekspozohet në Serbi. –Edhe disa pyetje lidhur me Kosovën. 59 min.

KTV: Çfarë bashkëpunimi keni me partitë në Kosovë, qoftë serbe qoftë kosovare?

JOVANOVIQ: Sa iu përket serbe jo!

KTV: Natyrisht.

JOVANOVIQ: Kishte njerëz në Mitrovicë që më lusnin e madje kishim edhe këshill në Mitrovicë vet ata e krijuan dhe donin të garonin në zgjedhje por u thash që s’dua që ne të garojmë në zgjedhje në një shtet tjetër. Edhe në Bosnje donin. Edhe në Kroaci. Shpesh më thonë se nëse do të dilnim në zgjedhje më mirë do të kalonim në shtete tjera se në Serbi. Po të votohej si në Eurovizion gjithmonë do të kishim 12 pikë nga çdo shtet, por kishim kontakte në kongresin evropian të partive liberale me AKR-në të ministrit të Jashtëm. Atje takoheshim e bisedonim.

KTV: Jeni takuar me z. Pacolli?

JOVANOVIQ: Po, po dhe nganjëherë dëgjohemi me politikanë nga Kosova. Më shumë kisha kontakte me atë gjeneratën më të vjetër të politikanëve. E më vjen keq. Më vjen keq për Fehmi Aganin. Ata njerëz ishin fantastikë. Me ata kisha më shumë kontakte dhe ajo ishte kohë tjetër. Ata ishin interesantë, unë isha shumë më i ri. Unë shkova të zbuloja Kosovën dhe qëndrova aty për 6 muaj, kam udhëtuar nëpër Kosovë miqësohesha me njerëz, bisedoja. E njoh Vllasin. Nuk isha kaherë në Kosovë por kur shkoj u lajmërohem.

KTV: Këtë desha t’ju pyesja kur ishit për herë të fundit në Kosovë?

JOVANOVIQ: Koha po kalon shpejt, isha diku para ndoshta 7 apo 8 vjet. Ishte një konferencë.

KTV: Çfarë përshtypje keni kur shkoni në këtë Prishtinën e re?

JOVANOVIQ: Më duket interesant. Tani kam shumë miq që vazhdimisht shkojnë, përndryshe bashkëshortja ime udhëheq kompaninë që bashkëpunon shumë me Kosovën, punojnë normalisht dhe ata vijnë shpesh në Beograd. Është një shoqëri e re dinamike që po zhvillohet. Njerëzit në Serbi janë pengje të paragjykimeve. Dhe shoqëritë e pambaruara si këto tonat janë paarsyeshëm arrogante. Kanë një pikëpamje nga lartësia që është e rrejshme. Ja herën e fundit kur isha në Kosovë hymë nëpërmes Malit të Zi dhe ngjiteshim nëpër Vusinje dhe më pas në Majën Bojise ishte në vitin 2013 dhe kjo nuk ishte për politikë por Bjeshkët e Nëmura për mua janë më interesante se Dolomitët dhe duhet të shkoni atje për të parë. Nuk kam shkuar për politikë ka 10 vjet e nga pak e shmang sepse nuk mund të zgjidh asgjë e dikujt t’i mbaj ligjërata po ashtu s’më pëlqen. Por ka aq shumë të rinj që flasin gjuhë të huaja e janë të arsimuar. E dini ne kemi lënë atje gjithçka në hi dhe njerëzit u desh të gjendeshin. Kanë parë botën, mësuan u kthyen në Kosovë. E kam takuar drejtoreshën e një festivali tuaj tani në Sarajevë, person i jashtëzakonshëm dhe shpesh të rinjtë nga Kosova që vijnë këtu bashkëpunim dhe unë jam shpesh pjesë e rutës turistike e ata takohen me mua dhe shpesh bisedojmë. Ata më pyesin në anglisht se çfarë mendoj se a mund të zgjidhet diçka por nuk mund të kundërshtoni jetën vetëm do të paguani çmim më të lartë për këtë. Mendoj se tani është më mirë se që ishte por mallkimi ynë janë bishtat, fakti që ende jemi të përlyer nga baruti dhe gjaku dhe për problemet tona përgjegjësinë e kërkojmë në një vend tjetër.

KTV:Edhe një pyetje, nëse ndonjëherë institucionet kosovare do t’u ftonin në kremten e përvjetorit të pavarësisë do të vinit? Në kremte të pavarësisë? Ju kanë ftuar deri më tani?

JOVANOVIQ: Jo, por do të shkoja që të flisnim seriozisht për pavarësinë e Kosovës sepse ajo kurrë nuk do të jetë e kryer pa Serbinë.

KTV: Nuk pyeta vetëm për bisedim por edhe për kremte?

JOVANOVIQ:Nuk di si do të kremtoja. Nuk gjendem mirë në këto situata.

KTV: Zakonisht është një seancë e veçantë.

JOVANOVIQ: Kjo është diçka tjetër. Unë do të doja të kremtojmë diçka tjetër. Një marrëveshje mes nesh dhe faktin se e rrëzuam të keqen mbi një shekullore mes nesh. Ne dimë aq pak për Kosovën e shqiptarëve, pothuajse asgjë. Dhe tani nëse kjo çështje është kaq e rëndësishme për ne përse nuk dimë asgjë. Unë gjithmonë ua citoj njerëzve një fjali të Dimitrije Tucoviqit i cili ishte në njësinë e parë që në vitin 1912 hyri në Kosovë arriti deri në Pejë e Prizren dhe pas natës së parë aty shkroi: ‘Populli im i mjerë, tentove vrasjen kolektive. Si do të jetosh me këtë, dhe si ata që të mbijetuan do të jetojnë me ty’. Duhet ta kuptojmë këtë. Dua ta ndryshoj sepse nuk ka të këqij. Ata që janë në natyrë ashtu e të lindur të jenë të mirë. Varet nga arsimimi dhe edukimi dhe sistemi i vlerave. Çdo njeri ka potencial për të dyja dhe duhet të kuptojmë çfarë është e gabuar ne në dhe të zhvillojmë atë që është e mirë. Kam shembuj të shumtë. Isha në një ekspozitë që u organizua këtu në vitin 2013 e që ishte lidhur me krimet në Podujevë.

KTV: Gjithashtu

JOVANOVIQ: Aty pash një vëlla e një motër që i mbijetuan asaj të përqafuar me një polic, komandant të njësisë tonë speciale e që është mik i imi dhe i cili nuk e lejoi këtë sepse ashtu u edukua. Ai rrjedh nga një familje policësh dhe më thotë se është polic ai lufton çka është e keqe. Dhe u desh të shkonte në spitalin e Prishtinës dhe të kërcënonte mjekët aty, që ata do të jenë përgjegjës nëse u ndodh diçka atyre fëmijëve. Do të thotë e keqja arriti aq larg, por fatmirësisht e mira fiton dhe kështu ndodhi andaj shpesh gëzohem se pavarësisht të këqijave i shoh gjërat me optimizëm. Edhe Kosova duhet të ruhet nga njerëz që jetojnë aty. Ka shumë shqiptarë kanë mbetur pak serbë, keni përvojë të madhe dhe mos u sillni ndaj asaj pakice siç u sollëm ne me ju në një kohë dhe ne nga ana tjetër duhet të ndryshojmë jo vetëm në lider por edhe me gjerësi e thellësi. Të ndryshojmë Kishën tonë, elitën arsimuese dhe kështu të krijojmë një shoqëri të re.

KTV:Faleminderit shumë, ishte nder për mua.

JOVANOVIQ: Faleminderit edhe ju, përshëndeteni të gjithë njerëzit në Kosovë.

Faleminderit.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme