Delegacioni më i lartë i Bashkimit Evropian do të qëndroj nesër për vizitë në Kosovë. Treshja e përbërë nga presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogherini dhe Komisioneri Hahn do të priten nga krerët e shtetit, shkruan Indeksonline.
Sipas agjendës së paralajmëruar, nga ora 14:20, treshja do të zhvillojnë një takim me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj.
Ky takim në të cilin për media do të ketë mundësi vetëm për marrje pamjesh, do të mbahet në zyrën e presidentit.
Pas takimit, presidenti i KE, Juncker bashkë me Thaçin do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media në korridor të hyrjes së Kuvendit nga ora 15:25.
Ky delegacion do të përmbyll vizitën me një takim që do ta mbajë me qytetarë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës nga ora 16:00.
Kujtojmë se nesër po ashtu do të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, në të cilën pikë e vetme e rendit të ditës është ratifikimi i marrëveshjes për demarkacion mes Kosovës dhe Malit të Zi.
Me ratifikimin e kësaj marrëveshje, plotësohet kushti i vënë nga BE-ja për liberalizimin e vizave për Kosovën.