Gazetar: Suad Bajrami
Studentët shqiptarë reagojnë ndaj deklaratës së djeshme për Alsat të ministrit të Drejtësisë Jeton Shasivari, i cili paralajmëroi se do t’i ftojë për takim për t’ua prezantuar zgjidhjen ligjore për provimin e jurisprudencës. Studentët shprehen të gatshëm për të biseduar, por thonë se nuk lëvizin nga kërkesa e tyre që provimi të jepet tërësisht në shqip, e jo vetëm pjesa teorike.
“Ministrit Shasivari i themi se e pranomë ftesën për takim, por deri në atë moment kërkojmë që të reflektojë në zgjidhjen që do të na parashtrojë dhe i kërkojmë që duke u bazuar në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve të na mundësojë që provimi të jetë edhe me teori shqip edhe me praktikë shqip”, tha Besar Sejdiu, Kryetar i Kuvendit Studentor UNT.
Njëri ndër udhëheqësit e iniciativës studentore, Mevlan Ademi kërkon nga ministri i Drejtësisë që zgjidhjen ta bëjë me një nënshkrim, që menjëherë të fillojë aplikimi, ndërsa më pas të shihet për ndryshimet e nevojshme ligjore.
“Nuk e kuptoj se si ata janë bindur t’i besojnë se është zgjidhje reale kufizimi i gjuhë shqipe me pak maqedonisht e pak shqip provimi”… “Le ta merr vendimin dhe në qoftë se dëshiron ta verifikojë edhe më fortë me ligj, le ta bëjë edhe ligjin, por neve na duhet një garanci se do të zbatohet dhe do bëhet. Nuk e dimë se a do të shkojë vendi në zgjedhje të parakohshme ajo dhe ne të kemi hallin e zgjedhjeve dhe ligji të mos zbatohet dhe të mos përdoret është shumë telash i madh. Nuk mund ligji të interpretohet në baza politike, ligji është shumë i qartë”, theksoi Mevlan Ademi, udhëheqës i nismës studentore.
Ministri i Shasivari gjatë ditës së djeshme deklaroi për Alsat se së shpejti do t’i ftojë në takim studentët dhe dekanët e fakulteteve juridike për t’i bindur ta pranojnë zgjidhjen ligjore për provimin e jurisprudencës, e cila është bërë gati tanimë disa muaj, por nuk ka marrë formë zyrtare. Megjithatë, formën e këtillë studentët e kanë refuzuar.
Ndërkohë që po kërkohet zgjidhja e cila po premtohet me muaj të tërë, për disa ditë do të hapet afati për paraqitjen e provimit të jurisprudencës. Prej 1 deri më 15 shtator kandidatët mund të paraqesin provimin për sesionin e tetorit. Nëse nuk gjendet zgjidhje, provimi do të vazhdojë të mbahet vetëm në gjuhën maqedonase. /Alsat.mk.
The post Jurisprudenca / Studentët i reagojnë Shasivarit: Vijmë në takim, por nuk tërhiqemi nga kërkesa appeared first on Alsat.



