Jurisprudenca, VLEN është humbur në kalendar, BDI proteston privatisht

Gazetar: Suad Bajrami

VLEN është humbur në kohë dhe kalendar. Askush nuk e di se kur përfundon afati i përcaktuar me fjalët “së shpejti”, për zgjidhjen e kërkesës së studentëve për dhënien e provimit të jurisprudencës në shqip. Të gjetur nën trysninë e opinionit, disa orë para protestës së djeshme liderët e VLEN-it u takuan me kryeministrin Mickoski për të dakorduar zgjidhjen, të cilën paraprakisht e kishin deklaruar nëpër rrjetet sociale. Megjithatë, zgjidhja i ngjan titujve e frazave artistike sa afër, aq larg. Në fakt vetë liderët e VLEN-it, nuk kanë perceptim të njëjtë për kohën.

Për njërin lider afati “së shpejti” nënkupton muajin e ardhshëm.

“Unë besoj që brenda qershorit do të kemi një zgjidhje, por përsëri ne duam që kjo zgjidhje të jetë e konsultuar me studentët dhe në interes të studentëve”, tha sot Bilall Kasami, bashkëkryetar i VLEN.

Por për tjetrin “së shpejti” do të thotë tre muaj.

“Po ja le të jetë afat tremujor. Se ajo ka procedurë, duhet të bëhet propozim-ndryshim ligji, duhet të kaloje në Qeveri, duhet të kaloje në Parlament dhe procedura tjera”, tha Izet Mexhiti, bashkëkryetar i VLEN.

Për dallim prej liderëve, Besar Durmishi nuk e konvertoi në muaj, formulimin “së shpejti”.

“Ne me shumë siguri ju themi, provimet shumë shpejtë do të jenë edhe në shqip”, tha Besar Durmishi nga VLEN.

Në anën tjetër të katrahurës politike me çështjen e studentëve, janë BDI-ja që sot ndihet e shqetësuar dhe del privatisht proteston në krah të studentëve, por pa liderin e tyre Ali Ahmeti. Megjithatë, me petkun zyrtar të pushtetit, çështjen që sot e shohin si kauzë kombëtare, nuk e kishte pasur në listën e prioriteteve. Gjatë protestës së 6 prillit, sekretari i partisë tha se nuk e kanë bërë provimin në shqip sepse atëherë nuk e kanë kërkuar studentët.

“Sot kjo kërkesë është aktualizuar, sot kjo kërkesë është parashtruar dhe ne po e shohim se ligji e lejon. Tash çka të bëjmë, në qoftë se s’ka qenë 30 vite në gjuhën shqipe, a nuk duhet edhe sot të jetë? Sot është parashtruar kërkesa, sot është aktualizuar kërkesa, madje nuk duhet fare kërkesë”, tha më 6 prill Arbër Ademi, sekretar i përgjithshëm.

Krahas mbipopullimit politik, gjatë protestës së djeshme pati dhe një hoxhë, i cili kishte dalë në mbështetje të studentëve me uniformën e tij. Bëhet fjalë për Rexhep Ziberin nga Saraji. Nëpër rrjete sociale, hoxha u identifikua si mbështetës i BDI-së, duke publikuar një fotografi në krah të Blerim Bexhetit e Iljas Veselit.

Megjithatë, hoxhë Ziberi nuk e fsheh simpatinë për BDI-në. Nëpër rrjetet sociale shpërndan Ali Ahmetin duke hedhur valle në dasmën e Haradinajve, ndërsa shpërndan fotografi të Ali Ahmetit me uniformë ushtarake dhe në shoqëri të Edi Ramës, duke cituar vargje poetike për gjuhën shqipe. Plotësisht, ka ndarë konferencën për shtyp të deputetit Blerim Bexheti, i cili doli para mediave pas kallëzimit penal të MPB-së. E për protestën, ka ndarë një  thirrje me mbishkrimin apel hoxhe. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme