Justina Shiroka-Pula ka dhënë të premten dorëheqje nga pozita e saj si nënkryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK).
Në letrën e dorëheqjes, thuhet se kjo po bëhet për shkak të rrethanave të krijuara në Akademi dhe rreth saj, dhe pamundësisë së bashkëpunimit kolegial dhe njerëzor me udhëheqjen e Akademisë.
Ajo ka sqaruar se do të vazhdojë punën e saj në Akademi për të dhënë kontributin akademik dhe kërkimor në institucion.
Dy ditë më parë një grup akademikësh e anëtarë me korrespodencë në këtë institucion zyrtarisht kanë nisur procesin për shkarkimin e kryetarit të ASHAK-ut, Mehmet Kraja.
Seksioni reagoi kundër Krajës me pretendimet se “me qasjen e tij joakademike dhe veçanërisht me publikimin e këtij dokumenti joshkencor, të hartuar nga vetë ai, si drejtues i një institucioni prestigjioz shkencor, artistik dhe kulturor, sjell përçarje me pasoja të rënda për vetë Akademinë”.