Kabineti Megaloman i Ministrit të Shëndetësisë

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani e ka dyfishuar numrin e stafit në kabinetin e tij. Nga 10 të punësuar sa i kishte planifikuar fillimisht, Rrahmani i ka punësuar 20 punëtorë në kabinet. Dyfishimi i të punësuarve në kabinetin e ministrit është gjetur nga Zyra Kombëtare për Auditim në auditimin e raportit financiar të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2016.

“Sipas ligjit të rishikuar të buxhetit numri i paraparë i të punësuarve në kabinetin e Ministrit ishte dhjetë (10). MSh ka tejkaluar dukshëm, përkatësisht ka dyfishuar numrin e stafit të punësuar në kabinet, në 20 vetë”, thuhet në raportin e Auditorit. “Tejkalimi i numrit të buxhetuar të stafit paraqet planifikim jo efikas të nevojave për staf dhe ndikon në shpenzimin jo racional e buxhetit”, thuhet në raport.

Auditori gjithashtu ka gjetur se Ministria Shëndetësisë vazhdon të angazhojë staf me kontrata për shërbime të veçanta, të cilët angazhohen pa procedura të rregullta të rekrutimit.

“Duke iu referuar të dhënave në Pasqyrave Financiare Vjetore për vitin 2016, MSh ka raportuar gjithsej 28 raste me kontrata të tilla prej të cilëve 12 i takojnë Agjencia Kosovare për Pajisje dhe Produkte Medicinale. Ata paguhen nga mallrat dhe shërbimet dhe kohëzgjatja e tyre kishte tejkaluar afatet e lejuara me ligj”, thotë Auditori.

Auditori thotë se angazhimi i stafit me kontrata për shërbimet e veçanta, duke anashkaluar procedurat e hapura të rekrutimit, minimizon konkurrencën dhe rrit rrezikun e angazhimit të personave jo të duhur në pozitat e caktuara. Ndërsa, tejkalimi i kohëzgjatjes së këtyre kontratave për më shumë se gashtë muaj, sipas Auditorit, është në kundërshtim me dispozitat ligjore.

“Ministri duhet të iniciojë një rishikim gjithëpërfshirës të rasteve në të cilat stafi është angazhuar me marrëveshje për shërbime të veçanta për të përcaktuar saktë nevojat për staf me qëllim që të gjitha pozitat e nevojshme të plotësohen”, thuhet tutje në raportin e Auditorit.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se MSH-ja kompenson zyrtarët e saj për angazhime në borde dhe komisione në kundërshtim me ligjin.

“Pagesat për borde dhe komisione në MSh për vitin 2016 (përfshirë edhe dhjetorin 2015) ishin në vlerën prej 390 mijë e 385 euro”, thuhet në raport. “Pagesat për borde dhe komisione për zyrtarët specifik janë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi pasi që nuk lejohet pjesëmarrja në më shumë së një bord apo komision. Kjo mund të shkaktojë pagesa të parregullta dhe dëmtim eventual të buxhetit”, thuhet në raport.

Madje, Auditori thotë se kjo e gjetur është përsëritur edhe në vitet e mëhershme.

“Edhe më tej vazhdon të përsëritet pjesëmarrja e zyrtarëve të njëjtë në më shumë së një komision apo bord”, thotë Auditori.

Përveç kësaj, Auditori thotë se pjesëmarrja nëpër këto borde e komisione ka ndodhur brenda orarit të rregullt të punës.

“Përveç kësaj angazhimi në borde/komisione gjatë orarit të punës rrit rrezikun që zyrtarët të mos i kryejnë obligimet e tyre ditore si rezultat i angazhimit në detyra tjera”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, edhe pse Ministria e Shëndetësisë ka bërë përmirësime në qeverisje, ende mbesin një numër fushash ku nevojiten zhvillime të rëndësishme, veçanërisht në lidhje me llogaridhënien, menaxhimin e rrezikut, organizimin e brendshëm dhe qartësimin e përgjegjësive në mes të MSh-së dhe ShSKUK-së.

Sipas raportit informatat për stokun farmaceutik të shëndetit primar janë siguruar pas dorëzimit të Pasqyrave Financiare Vjetore të korrigjuara, ndërsa nuk kishte evidenca për barnat për shëndetin sekondar dhe terciar, ngase nuk bëhet monitorimi, dhe nuk bëhen barazime me Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK)./Kallxo.com

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme