Kallëzim penal ndaj 7 personave në Kumanovë për mashtrim me kredi të shpejta

SPB Kumanovë ka paraqitur kallëzim penal ndaj dy grave nga Kumanova dhe pesë punonjësve bankarë, nën dyshimin për mashtrim, keqpërdorim të të dhënave personale dhe keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar, me ç’rast disa qytetarë janë dëmtuar për një shumë prej mbi 12 milionë denarësh.

Sipas njoftimit të policisë, kallëzimet janë paraqitur ndaj A.S.D. (23) dhe M.V. (35), të dyja nga Kumanova, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale „mashtrim“ dhe „keqpërdorim i të dhënave personale“. Ndërkaq, M.P. (34), S.M. (27), N.N. (34), D.M. (48) dhe S.O. (36) dyshohen për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar.

Sipas hetimeve paraprake, gjatë periudhës nga janari deri në korrik të vitit 2026, e kallëzuara e parë, në 18 raste, dyshohet se ka shfrytëzuar të dhënat personale të disa qytetarëve për të aplikuar për kredi të shpejta konsumatore në emrat e tyre, pa pëlqimin e tyre.

Pas miratimit të kredive dhe transferimit të mjeteve financiare, paratë dyshohet se janë përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme nga dy të kallëzuarat.

Ndërkohë, pesë të kallëzuarit e tjerë, të punësuar si nëpunës bankarë në një filial të një banke, dyshohet se kanë mundësuar realizimin e këtij skenari, duke lehtësuar procesin e miratimit të kredive dhe disponimin e mjeteve financiare.

Sipas policisë, dëmi i përgjithshëm i shkaktuar nga kjo skemë arrin në 12.221.500 denarë.

Rasti është dorëzuar për procedim të mëtejshëm, ndërsa të dyshuarit do të përballen me procedurat përkatëse ligjore.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme