Gazetar: Igor Stefanovski
– Advertisements –
Biznesmeni Orce Kamçev i kërkon paratë që ka dhënë për të shpëtuar nga rasti “Perandoria”. Bëhet fjalë për 1.5 milionë euro aq sa pretendohej se ka qenë i dëmtuar në rastin “Reket”, shkruan Alsat.
Kamçev paditi Qeverinë, Prokurorinë, Janevën dhe Boki 13. Në seancën e parë përgatitore në Gjykatën Civile të Shkupit përmes avokatit, Kamçev hoqi dorë nga paratë që duhej t’ia kthente Zoran Milevski-Kiçeec.
Kamçev sot nuk erdhi në gjykatë, e as tre të dënuarit për rastin “Reket”, Bojan Jovanovski – Boki 13, ish-kryetarja e PSP-së Katica Janeva, as Kiçeec. Djali i Janevës, Llazar Janev, i cili në fakt është avokat i saj, tha se edhe ajo ka dashur të marrë pjesë personalisht në seanca, por nuk ka pasur urdhër për transferim nga Idrizova në gjykatë.
Sipas avokatit të Boki 13, është e paqartë përse paditet edhe PSP-ja tashmë e shuar.
“Mendoj se një kohë të gjatë jam avokat dhe kjo është mosdije e madhe. Gjithashtu nuk e kam të qartë si mund të paditet një institucion, një organ, i cili në momentin e ngritjes së padisë nuk ekziston. Sigurisht, e kam fjalën për Prokurorinë Speciale Publike”, tha Sashko Dukovski, avokat.
Edhe pas vendimit dhe dënimeve me burg për rastin “Reket”, askush nuk e di se ku ndodhet çanta e famshme Luj Viton, për të cilën familja Kamçev pretendon se e ka mbushur me një milion euro. Kamçev është i dyshuar në rastin “Perandoria” të cilin e hapi PSP-ja e shuar.
Pas hapjes së hetimit nga PSP-ja për rastin “Perandoria” në vitin 2018, Kamçev, në vitin e ardhshëm 2019 i ka dhënë ryshfet prej 1.5 milionë euro Bokit 13 për të ndikuar te kryeprokurorja e atëhershme e PSP-së, Katica Janeva që ta ndërpresë procedurën ndaj tij. Hetimi për rastin “Perandoria” është aktiv edhe sot e kësaj dite, ndërsa Kamçev në këtë rast ka statusin e të dyshuarit. Biznesmeni gjykohet për pastrim parash për rastin “Parcelat në Vodno”, për të cilin muajin e kaluar u lirua nga paraburgimi 10 muajsh me garanci prej afër 11 milionë euro./ Alsat.mk