Udhëheqësit e Kontingjentit Gjerman të KFOR-it, të mërkurën, kanë takuar zyrtarët e lartë të Komunës së Prizrenit dhe universitetit “Ukshin Hoti”, për të biseduar lidhur me të ardhmen e shfrytëzimit të Kampit Fushor Gjerman në Prizren, pasi që ai do t’i dorëzohet UNMIK-ut në gjysmën e parë të vitit 2019, shkruan sot Koha Ditore .
Sipas një njoftimi të kontingjentit gjerman të KFOR-it, komandanti i këtij kontingjenti, koloneli Jochen Gumprich, ka takuar drejtorin për Administratë së Prizrenit, Ilir Baldedaj, rektorin e Universitetit të Prizrenit, Ramë Vataj dhe prorektorët Sadik Idrizi dhe Kadri Kryeziu.
Në takim ka marrë pjesë edhe Ernst Tschoepfe, si përfaqësues i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).