Kanceri në qafën e mitrës po i prek të rejat, interesim i ulët për vaksinën kundër HPV

Gazetare: Melihate Rustemi

Vaksina kundër papilloma virusit (HPV) vazhdon të kundërshtohet nga prindërit në vendin tonë pavarësisht që kanceri në qafën e mitrës thuajse 100 % shkaktohet nga ky virus. Mjekët kujtojnë se vaksina është falas dhe u dedikohet vajzave nga mosha 12 deri në 19 vjet ndërsa nga viti i ardhshëm këtë mundësi do të mund ta shfrytëzojnë edhe djemtë. Gjithashtu, mjekët shprehin shqetësim për uljen e moshës të të prekurve me këtë lloj kanceri duke shtuar se pacientja më e re është vetëm 14 vjet.

“Në këto kohë moderne sigurisht që po ulet kufiri i paraqitjes së kancerit në qafën e mitrës. Kohë të gjatë mosha e të prekurve ishte 33-34 vjet por tashmë ka tendencë të uljes së moshës, jo vetëm tek ne por në të gjithë botën”, deklaroi Goran Dimitrov, gjinekolog.

Aleksandra Grozdanova, mjeke dhe kryetare e Komisionit për imunizim tha se vaksina HPV vazhdon të përballet me një numër të madh mitesh dhe stereotipash, të pambështetura shkencërisht. Ajo shprehet e pakënaqur me numrin e të vaksinuarve kundër HPV që për vitin 2022 kishte arritur 52.5 %.

“Një prej tyre është se ndikon në aftësinë riprodhuese të grave. Përkundrazi, reduktimi i aftësisë riprodhuese vërehet pikërisht në ato çifte në të cilat infeksioni HPV ishte prezent për një kohë më të gjatë. Vaksina nuk është e re, ka më shumë se njëzet vjet përvojë. Është prezente në 156 shtete të zhvilluara të botës në të cilat madje është në kalendarin e rregullt për imunizim”, u shpreh Aleksandra Grozdanova.

Sipas mjekëve, tek gratë e moshës 15 deri në 45 vjeç, kanceri i qafës së mitrës zë vendin e dytë për nga numri i të prekurve, menjëherë pas kancerit të gjirit. Kanceri i qafës së mitrës, sipas OBSH-së, është lloji i katërt më i zakonshëm i kancerit te gratë, dhe më shumë se 95 për qind e rasteve shkaktohen nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme