KANDIDATI PËR LEKTOR PRETENDON SE ZYRA E KRYEMINISTRIT IA FALSIFIKOI TESTIN ME SHKRIM

Besim Mehmeti pretendon se Zyra e Kryeministrit ia kishte falsifikuar testin me shkrim. Ai nuk ishte ftuar fare për testim me shkrim e as me gojë. Por, gjatë procedurave të ankesave, Mehmeti pretendon se i është prezantuar testi me shkrim. Këtë test thotë se e ka parë në Komisionin Mbikëqyrës të Shërbimit Civil. Ky fakt e ka bërë atë të dyshojë se në Zyrën e Kryeministrit është mbushur një test në emër të tij me qëllim të eliminimit.

Kandidati për lektor pretendon se Zyra e Kryeministrit ia falsifikoi testin me shkrim

Besim Mehmeti ishte njëri prej kandidatëve në konkursin e 30 shtatorit 2016 për pozitën “zyrtar të lartë për lekturim”, i shpallur nga Zyra e Kryeministrit.

Pas mbylljes së konkursit, Mehmetin nuk e kishin futur fare në listën e ngushtë për intervistim.

Ky kandidat, kishte vendosur t’i drejtohej Zyrës së Kryeministrit me një ankesë, duke pretenduar se i plotëson kushtet e parapara me konkurs.

“… konsideroj se i plotësoj të gjitha kushtet e parapara me konkursin e publikuar më 30.09.2016 për pozitën e lartpërmendur. Përmes kësaj shkrese kërkoj përgjigje me shkrim për arsyen e mos ftesës sime për të marrë pjesë në fazën e rekrutimit”, thuhet në shkresën e Besim Mehmetit drejtuar Zyrës së Kryeministrit.

Por Zyra e Kryeministrit e refuzon ankesën e kandidatit Mehmeti.

“Komisioni ka konstatuar se ankesa e z. Besim Mehmetit, duhet të refuzohet si e pa bazë, duke pas parasysh mungesën e përvojës së punës profesionale prej tri (3) viteve në lekturim dhe korrekturë, ashtu siç parashihe me konkursin e shpallur nga Zyra e Kryeministrit …”, thuhet ndër tjera në arsyetimin e vendimit nga Zyra e Kryeministrit.

Pas refuzimit nga Komisioni për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave (Zyra e Kryeministrit), Mehmeti shfrytëzon të drejtën e tij për t’u ankuar diku tjetër. Kësaj radhe kërkon drejtësi në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK).

Edhe këtu refuzohet ankesa e tij. Por raporti i Komisionit nxjerr diçka të papritur nga kandidati. Aty thuhet se ndër provat e administruara ishte edhe testi me shkrim. Por kandidati Besim Mehmeti nuk kishte qenë fare në test.

“… testin me shkrim të ankuesit…”, thuhet ndër tjera në raportin e Këshillit të Pavarur.

Kjo i ngjalli dyshime Mehmetit për falsifikim të mundshëm në dosjes së tij. Kërkoi nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës ta shihte dosjen. I mundësohet qasja.

Mehmeti thotë ta ketë parë në dosjen e tij testin me shkrim, pa emër dhe pa mbiemër, madje në prani edhe të zyrtarit të institucionit.

“Dyshim im është i bazuar edhe me faktin se më 05.01.2017, në ora 13:35, në një konsultë që e kam zhvilluar me kryetarin e kolegjit, Hajzer Salihu, ma ka konfirmuar drejtpërdrejt se e ka parë testin tim, të cilin ia kanë dërguar Zyra e Kryeministrit sipas detyrës zyrtare”, ka thënë Besim Mehmeti për Insajderin.

“Testin e kam parë edhe unë gjatë shfletimit të dosjes aty në prezencën e Hajzer Salihut. Ai test nuk është i imi, sepse nuk kam qenë fare në test”, ka shtuar Mehmeti.

Këtë takim e konfirmon edhe KPMShCK. Thotë se edhe dosja iu shfletua kandidatit Mehmeti.

“Me datën 05.01.2017, diku përafërsisht rreth orës 14:30-15:00, ka pritur në një takim ankuesin z. Besim Mehmeti, i cili ka paraqitur shqetësimin e tij rreth vendimit të nxjerrë lidhur me ankesën e tij, me ç’rast ai njofton se nuk ka qenë pjesëmarrës në testimin me shkrim. Këshilli me shumë mirësjellje është treguar shumë transparent ndaj tij, duke i treguar dosjen e kompletuar që organi i punësimit sipas detyrës zyrtare e ka dorëzuar në Këshill”, thuhet në përgjigjen e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil, dhënë Insajderit.

Pas kësaj, ishte mbledhur Kolegji i Këshillit Mbikëqyrës për ta shqyrtuar dosjen e Mehmetit. Kolegji kishte nxjerrë një raport tjetër – i ngjashëm me të parin, por vetëm kishte hequr pjesën ku thuhet se pjesë e administrimit të provave ishte edhe testi me shkrim i kandidatit.

“Korrigjimi i këtij vendimi bëhet tek pjesa e arsyetimi, respektivisht faqja dy (2), rendi i njëzet e një (21), ku tek administrimi i provave fshihet fjalia “Testin me shkrim të ankuesit”, ndërsa e gjithë pjesa tjetër e vendimit mbetet e njëjtë”, thuhet në raportin e korrigjuar të Kolegjit.

Gazeta Insajderi ka kërkuar sqarim nga Zyra e Kryeministrit rreth pretendimeve të kandidatit Besim Mehmeti për falsifikim të testit, por ajo nuk është përgjigjur, duke sugjeruar që Insajderi t’i referohet sqarimit të vendimit të korrigjuar të Kolegjit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

“Pretendimet e z. Besim Mehmeti se në KPM për SHCHK ka parë në dosjen e tij testimin e tij me shkrim pa emër dhe mbiemër dhe se i është falsifikuar testimi me shkrim e gjeni të sqaruar në  Vendimin dhe korrigjimin e  vendimit të lëshuar nga KPMSHCK për gabimin  e tyre me sqarimin rreth këtij lëshimi nga ana e Këshillit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit.

Insajderi ka kërkuar sqarime shtesë edhe nga KPMShCK. Ata e pranojnë se pas ngritjes së çështjes nga ankuesi, është mbledhë Kolegji për shqyrtimin e ankesave dhe ka rishqyrtuar lëndën.

“Pas shqyrtimit të provave ka vërejtur që ka ndodh një lëshim teknik tek administrimi i provave”, thuhet ndër tjera në përgjigjen e KPMShCK-së./Insajderi.com

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme