Teksa Ministria e Brendshme ka shpallur zyrtarisht emrat e 15 kandidatëve në garën për drejtor të Përgjithshëm të Policisë, mësohet se Hajrulla Xhivini është një emër i njohur.
Mësohet se Xhivini është një ish-drejtues i Policisë së Shtetit, por prej kohësh njihet edhe si një “tiktoker” që sulmon qeverinë dhe drejtuesit e policisë në videot e tij.Në muajin Korrik ky shtetas ra në prangat e Policisë së Tiranës, pasi urinoi në derën e Gjykatës së Lartë dhe shantazhoi kryetarin Sokol Sadushi.
Gjithashtu togat e zeza dhanë ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” duke e akuzuar për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Prishje e qetësisë publike”.
Tashmë Hajrulla Xhivini shfaqet si përfaqësues i një subjekti të quajtur “Shqipëria Europiane” dhe ka shprehur interes për garën për kryepolic të Shqipërisë.
Interesin e tij për këtë pozicion e ka shprehur dhe në një video të shpërndarë disa orë më parë në rrjetet sociale ku thotë nga Italia se garon për të qenë drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Lista e plotë e kandidatëve:
Adriatik Tafçiu
Altin Mena
Ardian Çipa
Gentjan Shehaj
Hajrulla Xhivini
Ibrahim Disha
Idajet Faskaj
Ilir Proda
Lutfi Minxhozi
Neritan Nallbati
Pëllumb Seferi
Rebani Jaupi
Sami Rasha
Skënder Hita
Shemsi Prençi
Kritere që duhet të plotësonte kandidati:
a) mban njërën nga gradat e rolit të mesëm drejtues;
b) të ketë shtetësi shqiptare;
c) të mos ketë qenë i dënuar për kryerjen e një vepre penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë;
ç) të mos ketë marrë masat disiplinore të përcaktuara në shkronjat “c”, “ç” dhe “d” të pikës 1 të nenit 123 të ligjit 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, brenda 5 (pesë) vjetëve të fundit;
d) të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse.
dh) të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës, në përputhje me legjislacionin për konfliktin e interesit.