KANDIQ: GJYKIMET PËR KRIME LUFTE KANË MARRË KONOTACION POLITIK

Drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare Natasha Kandiq ka thënë se drejtësia për të vrarët gjatë luftërave në shtetet e ish-Jugosllavisë nuk po gjen vend. Kandiq madje tha se drejtësia për krimet e luftës më së shumti ka dështuar në Serbi, pavarësisht se atje qysh moti është themeluar gjykata për Krime të luftës.

Kandiq në konferencën me temën “Bllokimi  i ballafaqimit me të kaluarën si dhe i procesit të KOMRA-s” që është mbajtur sot në Prishtinë ka folur edhe për arrestimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj për të cilin tha se është krejtësisht politik.

Arsyeja që e ka shtyrë Kandiqin që të mbajë këtë konferencë është edhe vizita e fundit e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Frederika Mogherinit në Ballkan, e cila ishte takuar me të gjithë ministrat e punëve të jashtme dhe me këtë rast kanë caktuar një samit që do të mbahet me 15 mars në Sarajevë.

Kandiq i ka porositur liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor që në këtë samit të mos ë mos anashkalojnë temat që kanë të bëjnë me atë qka ka ndodhur në Ballkan në vitet e nëntëdhjeta.

Duke folur për rastet e krimeve të luftës Kandiq tha se procesimi i rasteve të krimeve të luftës në Serbi janë në nivelin zero.

Duke i përmendur disa raste, si masakrën e Qyshkut, Tërrnjes, vrasjen e vëllezërve Bytyqi , etj, Kandiq tha se Serbia ka dështuar të vejë drejtësinë në vend si dhe ka thënë se rastet e krimeve të luftës kanë marrë konotacion politik.

Kandiq: Gjykimet për krime lufte kanë fillyuar të marrin qasje politike

“Serbia ende nuk ka arritur ta emërojë prokurorin special për krimet e luftës, e të gjitha krimet që kanë ndodhur në Kosovë si Qyshku, Tërrnja rasti i vëllezërve Bytyqi, etj që i bie se procesimi i këtyre krimeve është në nivelin zero. Kjo situatë nuk është e mirë as në Kosovë e as në Kroaci, pavarësisht se Kroacia është anëtare e BE-së dhe nuk ka arritur të arrestojë zyrtarë të lartë që kanë kryer krime ndaj popullatës civile serbe. Kjo do të  thotë se gjykimet kanë filluar që të marrin qasje politike”, tha Kandiq.

Aktivistja për të drejtat e njeriut në Serbi  ka kritikuar qasjen e Serbisë ndaj Kosovës duke përmendur këtu trenin që ajo e quajti provokim si dhe pengimin e shtetit serb që po i bënë Kosovës në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

Me këto veprime Kandiq tha se Serbia po tregon se nuk është e interesuar që të përmirësojë marrëdhëniet me shtetet fqinje.

Me këtë rast ajo ka përmendur edhe nxjerrjen e fletarresteve dhe aktakuzave të ngritura për persona të ndryshëm e në veçanti Kandiq është ndalur tek fletarresti për Haradinajn.

Kandiq: Fletarresti ndaj Haradinajt është potez politik

“Nxjerrja e fletarrestit nga ana e Serbisë kundër  Ramush Haradinaj është potez politik por ai potez politik duhet të vërtetohet në gjykatë se akuzat ndaj tij nuk janë juridike por politike dhe se për nxjerrjen e këtij fletarresti ekzistojnë arsye politike e jo arsye të vërteta. Ne duhet të besojmë në gjykatën e Francës sepse ato janë të pavarura e jo si në gjykatat në vendet e ish-Jugosllavisë dhe duhet të kemi besim se gjykata vendos në bazë të fakteve dhe se Serbisë t’i jepet një leksion i shkëlqyer sikurse disa raste tjera”, tha Kandiq.

Në këtë konferencë, Kandiq ka lavdëruar edhe Komisionin për Pajtim dhe të Vërtetën e iniciuar nga presidenti Hashim Thaçi e që sipas saj është një e arritur që ai ka arritur që të ulë në tavolinë përfaqësuesit e familjeve serbe dhe ato shqiptare.

Drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj tha se pavarësisht se ekzistojnë disa ligje, të cilat garantojnë dëmshpërblim për familjet e viktimave të luftës edhe ligji ka disa dispozita të cilat sipas raportit të KOMRA-s, janë diskriminuese.

Blakaj: Ligji për familjet e viktimave ka dispozita diskriminuese

“Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë vitin e kaluar ka bërë një hulumtim dhe ka parë që një numër i konsiderueshëm i viktimave dhe familjeve të tyre nuk kanë arritur të fitojnë dëmshpërblim me ligjet ekzistuese dhe për shumë arsye ka pasur edhe vendime në nivel politik që mos të pranohen lëndë të reja apo aplikacione të reja prej familjarëve të viktimave mirëpo në thelb edhe vet ligji i ka disa dispozita të cilat ne kemi thënë në raportin tonë janë diskriminuese, asnjë prej familjarëve të viktimave , të personave të vrarë pas 20 pas qershorit të vitit 1999 nuk njihen si viktima dhe nuk mund të përfitojnë nga ligji. Pastaj dy ligje janë shumë kundërthënëse dhe është ligji për personat e zhdukur i cili i njeh si persona të zhdukur gjithë ata persona që janë zhdukur në mënyrë të dhunshme prej 1 janarit të vitit 1999 deri në 31 dhjetor të vitit 2000, mirëpo kemi raste konkrete kur një person një viktim ë i cili është raportuar si  i zhdukur pas 20 qershorit të vitit 1999 në momentin kur identifikohet dhe i dorëzohet familjes, familja e tij e humb të drejtën për dëmshpërblim”, tha Blakaj.

Në këtë konferencë u përmend edhe kundëthëniet në shifrat  e personave të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës që asnjëherë nuk janë të sakta.

Sipas Koalicionit KOMRA nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor 1999 në luftën e Kosovës janë të zhdukur dhe të vrarë 13 mijë e 146 persona.

Gazetari Adriatik Kelmendi tha se secili shtet që ka qenë në konflikt mes vete është marrë vetëm me numrin e viktimave të tyre e jo edhe të tjerëve.

Ai tha se edhe institucionet e Kosovës nuk kanë shifra të sakta të të vrarëve dhe të zhdukurve ku sipas tij në tekstet shkollore përmendet një shifër prej 20 mijë personave.

Kelmendi tha se shifrat për numrin e të pagjeturve dhe viktimave në Kosovë nuk janë asnjëherë të sakta dhe se Koalicioni Komra, bashkë me OJQ-të dhe individët e tjerë të vendeve të dala nga ish- Jugosllavia, ka arritur të sjellë shifren konkrete e personave të vrarë dhe të pagjetur nga periudha janar 98 deri në dhjetor 99 e që rezulton të jetë 13, 146 persona .

Kelmendi : Shifra e personave të vrarë dhe të pagjetur në Kosove është 13, 146 persona

Video “Një qasje rajonale siç e ka zhvilluar koalicioni KOMRA  me përfshirjen e shumë OJQ-ve  dhe individëve të gjitha shteteve të dala nga ish-Jugosllavia ka sjellë edhe shifrën që u përmend ose rezultatin  e punës në Librin e Kujtimit në Kosovë. Pra ky është një shembull kur bashkëpunimi është konkret dhe i vullnetshëm, atëherë kemi shifrën konkrete të të gjitha viktimave në Kosovë dhe numri final mund të lëvizë për 20 ose 30 dhe është jo 6 mijë sic e ka adaptuar Parlamenti serb, jo 20 mijë siç e shohim të shkruhet në shumë libra në Kosovë por është 13 mijë e 146 persona të cilët llogaritën se janë të vrarë ose të pagjetur në Kosovë nga periudha janar  98 deri në dhjetor 99”, tha Kelmendi.

Sipas raportit nga 10 mijë e 495 shqiptarë, 2077 serbë dhe 574 jo shqiptarë, jo serbë dhe të papërcaktuar./KP/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme