“Kanë frikë nga provat dhe e vërteta, proces i montuar”- Avokati i Ilir Metës: Do i shkruaj edhe ndërkombëtarëve, presidenti po mbahet në kafaz! Antikushtetuese, gjyqi të jetë publik

Menjëherë pas ndërprerjes së seancës gjyqësore ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi dhe të tjerëve, ka reaguar edhe avokati i kreut të Partisë së Lirisë, duke e cilësuar antikushtetues vendimin e Gjykatës së Posaçme për të mos u transmetuar publikisht ky proces.


Kujtim Cakrani solli për analogji juridike edhe procese të mëparshme gjyqësore ndaj zyrtarëve të lartë si në kohën e komunizmit, ashtu edhe pas viteve 90-të, sikurse gjyqet ndaj Ramiz Alisë dhe Fatos Nanos, kurse sot kërkesa e tij dhe klientit Meta u rrëzua me një argument që e cilësoi antiligjor dhe të papranueshëm.

Avokati u shpreh se fakti që Gjykata nuk lejon transmetimin publik të procesit tregon se kanë frikë nga provat dhe dosja e montuar nga hetuesit.

“Edhe në kohën e diktaturës gjyqet transmetoheshin publikisht. Të gjithë gjyqet duhet të bëhen me kamera ta shohin qytetarët, si në Hagë. Kërkoj që Gjykata të ngrihet në lartësinë që e kërkon ligji, konventa Kushtetuta dhe që presidenti të provojë pafajësinë e tij. Fakti që nuk jepet gjyqi online tregon se kanë frikë nga provat dhe e vërteta, kanë frikë të shohin montimin që i ka bërë Prokuroria dosjes Meta. E dëgjuat vetë Gjykatën çfarë interpretimi bëri, iu referua një terroristi por jo procesit të Sarkozi, këtë gjykatë kemi, çfarë të bëjmë”, u shpreh ai.

Cakrani vijoi duke kujtuar disa nga precedentët e mëparshëm, duke shtuar se do i bëjë kërkesë edhe ndërkombëtarëve për sjelljen jo njerëzore, pasi Meta mbahet në kafaz.

“Në 1993-1995 gjyqi i Fatos Nanos u bë në kushte të barabarta, i Ramiz Alisë po ashtu, janë gjyqe publike, janë transmetuar, s’e kuptojmë vendimin antikushtetues të Gjykatës, është antikushtetuese. Kur vetë i pandehuri kërkon të shfaqet publikisht gjyqi, ndërkohë që gjykata vendos që jo, nuk e kuptojmë. Do i bëj një letër edhe ndërkombëtarëve të vijnë të shohin presidentin të mbyllur në kafaz seancën tjetër. E papranueshme në vitin 2026 që të mbash në kafaz presidentin e shtetit, kryetarin e bashkisë dhe çdo zyrtar të lartë, sepse vetëm ISIS i bënte këto sjellje që i fuste në kafaz dhe i shëtiste. Në Kosovë u bë një proces me vendim dënim të përjetshëm dhe i pandehuri ishte me avokatin në krah, në sallën e gjyqit”, nënvizoi mbrojtësi ligjor i ish-presidentit.

Cakrani nuk i kurseu kritikat dhe akuzat ndaj KLHJ-së për këtë trajtim që po i bëhej Metës dhe mosreagimin publik për të marrë masa.

“Bëjani pyetjet Këshillit të Lartë Gjyqësor, aq palaço janë sa i shohin dhe nuk thonë asnjë fjalë, rrinë në zyrat e tyre me kondicioner, e shohin në kafaz dhe nuk flasin, është e papranueshme. Kudo gjyqet janë bërë të hapura, janë bërë publike, vetëm në Shqipëri për turpin e deputetëve, gjykatës e shoqërisë që bëhet kjo në vitin 2026. Është betejë për dinjitetin njerëzor, as për Kujtim Cakranin dhe as për Ilir Metën”, përfundoi avokati.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme