‘Kangur’ projekt serioz dhe rrugë e re për suksesin e artistëve

“Kemi konkluduar që ka ardhur koha që ne të punojmë edhe film episodik me tema serioze dhe trajtim artistik. Me këtë besoj që do të pasurohet kinematografia jonë si në mënyrë edhe qasje ndaj fenomeneve të ndryshme”, ka thënë Luan Kryeziu për KultPlus.

Sarandë Selimi

Ngjarja do të plasohet përmes një personazhi i cili është mbikëqyrës i familjes. Si i tillë edhe në kuptimin metaforik dhe figurativ personazhi luan rolin e kangurit në raport me familjen e tij. Ai rrezikon veten e tij, punon për ta, i strehon dhe i ushqen me mundin dhe mënyrën e tij origjinale. E pikërisht për këtë edhe seriali më i ri në vend është titulluar “Kangur”, projekt ky me skenar e regji të Luan Kryeziut. Ky projekt i sapo nisur, që nga dje nisi t’i thërret aktorët në audicion, ndërsa sa i përket idesë dhe asaj se çfarë do të përmbajë ky serial, për KultPlus, foli vetë regjisori Kryeziu.

Ai fillimisht nisi të tregoj se si ka nis ky projekt që sipas tij në vendin tonë ka pas nevojë për të krijuar diçka më ndryshe se serialet që tanimë veç janë.

“Projekti ka nisur si kërkesë e mikut tim Shpresim Bajraktari, duke konsideruar si nevojë për të krijuar diçka pak më ndryshe nga serialet tona. Kemi konkluduar që ka ardhur koha që ne të punojmë edhe film episodik me tema serioze dhe trajtim artistik. Me këtë besoj që do të pasurohet kinematografia jonë si në mënyrë edhe qasje ndaj fenomeneve të ndryshme. Mendoj që në gjithë botën, filmat episodik televiziv janë duke e pushtuar shikuesin global. Duke analizuar rrjetet botërore e platformat si NETFLIX etj, kemi kuptuar që një projekt i tillë serioz, mund të jetë si model, rrugë e re dhe shembull i mirë i suksesit të artistëve”, theksoi regjisori Kryeziu i cili poashtu tha se njëherësh kjo është një mënyrë e re me shumë kapacitete për tu dhënë aktorëve mundësinë ta shfaqin kreativitetin e tyre artistik edhe përmes një qasje tjetër.

Ky projekt është film episodik televiziv, dhe trajton një temë të një gjyshi i cili mundohet dhe sakrifikohet në mënyra të ndryshme për tu kujdesur për familjen. Pra, për shkak të rrethanave shoqërore, politike dhe ekonomike në vendin tonë, gjyshi si kanguri detyrohet të mbajë familjen. Është një dramë e cila paraqet mënyrën shqiptare të të jetuarit, duke kërkuar dhe zbuluar mënyra shumë të veçanta dhe atraktive për të mbijetuar e krijuar kushte jetese në rrethanat ku jetojmë. Në këtë film pritet të ketë një numër të madh aktorësh, pasi që, siç tha vetë skenaristi e regjisori nga episodi në episod ky film do të trajtojë tema të ndryshme e poashtu edhe në vende të ndryshme.

“Baza e ngjarjes është në Tiranë, për shkak se personazhi kryesor jeton në Tiranë. Por varësisht nga ngjarjet që trajtohen nëpër episodet, do të ndryshojnë edhe vend xhirimet”, pohoi Luan Kryeziu. Tashmë ende nuk është një datë e saktë se kur do të nisin xhirimet, por sipas regjisorit po planifikohet që të jetë fundi i këtij muaji apo fillimi i muajit të ardhshëm. Ai krejt për fund, për shkak të politikave të produksionit tha se ende nuk mund të dal me njoftim zyrtar në lidhje me financimin e filmit dhe mediet se ku do të shfaqet. Ju rikujtojmë se “Kangur” mbanë audicionin më datën 21 dhe 22 prill në Black Box, në ambientet e Fakultetit të Arteve të Tiranës me fillim nga ora 14:00. /KultPlus.com

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme