Kaos në Qendrën Klinike në Shkup, Mixhiti: Rregullimi i parkingut, prioritet

Gazetare: Vjollca Aliti

Radhë të gjata veturash të cilat nuk lëvizin për gati një orë, qytetarë të nervozuar e bërtitma. Kjo është pamja e cila vërehet me të hyrë në Qendrën Klinike në Shkup. Pacientë me sëmundje të ndryshme nga e gjithë Maqedonia malltretohen madje me orë të tëra për të gjetur një vendparkim brenda qendrës klinike. Për shkak të kaosit shpesh ata humbin dhe terminët të cilat i presin me muaj me radhë, ndërsa për këtë askush nuk bart përgjegjësi. Të revoltuar, pacientët kërkojnë që ky problem të zgjidhet si dhe parkimi brenda Qendrës Klinike të mos paguhet, pasi sipas tyre shërbimi është shumë i dobët.

“Një orë e gjysmë kam prit që të parkohem dhe tani për të dal ka me siguri 1 orë. Kreva punë por është shumë tollovi. Nuk ka vende për parkim, nuk ka asnjëfarë rendi. Hyn brenda paguash ndërsa parking nuk ka dhe humbim kohë e humbim terminin, të gjithë janë me terminë. Shëndetësia është katastrofë”, tha një qytetar.

“Kjo nuk është normale, e shihni dhe vetë. Si pacient kërkoj këtu të bëhen garazha në kate, thjesht këtu nuk ka vend për parkim. Paratë t’i marrin ndërsa kur hyn brenda nuk ka vend se ku të parkohesh”, shtoi një tjetër qytetar.

“Ka gjysmë ore që po sillem për parking. Dhe këtu jam duke pritur 15 minuta.. nuk e di…kjo është çmenduri. Kërkoj vend të parkohem dhe të dal të kryej punë. Nuk është në rregull të paguhet. Paratë nga na i marrin ndërsa vend nuk ka, nervozë, pritje, nuk është në rregull”, tha një tjetër.

“Prej këtu duhet të shkoj deri te Kardiologjia ta marr nënën, s’di nga të sillem, ndërsa paratë t’i marrin. Për 3 orë pagova parking. Gati 40 minuta pres për parking, katastrofë e madhe”, theksoi një qytetar tjetër.

“Gjysmë ore kemi pritur derisa kemi gjetur vend. Jemi nga Prilepi. Deri sa gjetëm vend u munduam shumë, bëmë disa rrotullime derisa u parkuam. Aspak nuk është në rregull, por çfarë të bëjmë, duhet të rregullohet, ndonjë parking më i madh, ndonjë garazhë”, u shpreh një qytetar.

Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti pak kohë më parë tha se zgjidhja e këtij problemi është ndër tre prioritetet e tij si ministër.

” Prioritetet tona në programin tonë si e para do jetë kaosi në komunikacionin brenda Qendrës Klinike në Shkup ta zgjidhim. Konsultohemi me të gjitha institucionet, palët e përfshira dhe mendojmë që ta zgjidhim këtë çështje në afat sa më të shkurtër kohor”, deklaroi Fatmir Mexhiti, Ministër i Shëndetësisë.

Parkingu i Qendrës Klinike disponon rreth 1000 vende parkimi ndërsa brenda ditës qarkullojnë rreth 5,000 vetura përfshirë dhe veturat e të punësuarve nëpër klinika./Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme