Gazetar: Suad Bajrami
“Njëra anë e medaljes është biçikletat dhe trotinetet elektrike shpesh përbëjnë rrezik për komunikacionin për shkak të mosrespektimit të rregullave. Megjithatë, ana tjetër e medaljes është se Shkupi në përgjithësi nuk ofron infrastrukturë përkatëse për këto mjete transportuese. Rast i këtillë është kjo rrugë këtu në Çair ku korsia për biçikleta është shndërruar në parking për vetura. Raste të këtilla ka shumë në mbarë qytetin”.
Një sërë shkeljes regjistruam gjatë vëzhgimit të Alsat në disa rrugë të Çairit, ku krahas sjelljes së patolerueshme nga ana disa prej ngasësve të mjeteve transportuese në dy rrota, shihet qartë se mungon edhe infrastruktura përkatëse.
Në Rrugën kryesore Cvetan Dimov e cila ndër vite premtohet se do të zgjerohet, mungojnë korsitë e biçikletave. Për këtë qytetarët lëvizin krahas veturave e shpesh edhe në drejtim të kundërt, duke shkelur çdo rregull komunikacioni.
Në kaos, gjithashtu kontribuojnë edhe motoçikletat, pasi shoferët të caktuar herë e drejtojnë mjetin në korsi të veturave e herë transformohen në këmbësor.
Situatë e ngjashme është edhe në rrugën Kemal Sejfulla, e cila është mjaftë e frekuentuar.
Pamjen që po e shihni është rast i përditshëm, ku vozitësit e biçikletave dhe trotineteve rrezikojnë veten dhe komunikacionin, meqë veturat kanë bllokuar korsinë për lëvizjen e tyre. Ka dhe të tillë që në mënyrë të papërgjegjshme drejtojnë trotinetin në korsinë e kundërt që lëvizin makinat, edhe atë dy persona në një trotinet.
Hiç më mirë situata nuk është edhe te rruga “Vtora Makedonska Brigada”. Prindërit që marrin fëmijët e tyre nga shkolla, vazhdimisht krijojnë rrëmujë dhe bllokojnë korsitë për biçikleta, të cilat edhe ashtu janë të dëmtuara.
Këto probleme janë përditshmëri për Shaip Rrahman, një qytetar nga Shkupi i cili çdo ditë shkon në punë me biçikletë. Sipas tij, duhet të përmirësohet infrastruktura, por edhe të ngritet vetëdija.
“S’ka. Ja unë e përdori biçikletën afër 20 vjet edhe Komuna e Çairit ku jetojmë ne s’ka korsi për biçikleta, s’kemi infrastrukturë për biçikleta, unë çdo ditë kam të njëjtën problematikë duke shkuar në shtëpi, kaloj nga Serava, Xhon Kenedi, Tophane…”. “Është shumë e rrezikshme për të vozitur biçikletë pasi shumica e njerëzve s’e kanë kulturën për të vozitur biçikletë”, thonë çiklisti Rrahman.
Nga Komuna e Çairit në pyetjen se kur do t’i çlirojnë këto korsi të shndërruara në parkingje, numërojnë ku janë vendosur korsitë për biçikleta. Ata thonë se janë realizuar korsitë në rrugët “Adem Demaçi”, “Kemal Sejfulla”, ndërsa në realizim e sipër janë në rrugët “Ferid Murad” dhe “Mit’hat Frashëri”. Sipas të dhënave zyrtare, në 5 vitet e fundit si pasojë e aksidenteve kanë humbur jetën 42 persona të cilët kanë qenë duke drejtuar biçikletë, biçikletë me motor ose kanë qenë pasagjer. Mbi 1200 janë lënduar, prej tyre 307 me lëndime serioze.
| TË DHËNA PËR AKSIDENTE ME PASOJA TË
BIÇIKLETAVE, BIÇIKLETAVE ME MOTOR DHE PASAGJERËVE |
|||
| Viti | Kanë humbur jetën | Me lëndime
të rënda |
Me lëndime
të lehta |
| 2024 | 11 | 71 | 174 |
| 2023 | 4 | 40 | 191 |
| 2022 | 14 | 66 | 180 |
| 2021 | 7 | 67 | 185 |
| 2020 | 6 | 63 | 219 |
| 42 | 307 | 949 | |
Lexo



