Formula 1 ka thënë se planet e Qeverisë britanike për karantinë do të bënin të pamundur organizimin e garës së Shpërblimit të Madh të Britanisë dhe do të prekte dhjetëramijëra punë të lidhura me F1 nëse nuk bëhen përjashtime për sportin, shkruan agjencia Reuters.
Ministrat kanë thënë se planifikojnë karantinë 14-ditore për shumicën e njerëzve që vijnë në vend në javët e ardhshme, për të parandaluar një valë të dytë të pandemisë COVID-19.
Formula 1 ka planifikuar të organizojë dy gara pa shikues në shtegun Silverstone në Britani, që këtë vit e shënon përvjetorin e 70-të të garës së parë, menjëherë pas dy garave në Austri në fillim të korrikut.
“Një karantinë 14-ditore do ta bënte të pamundur që të kemi garën e Shpërblimit të Madh të Britanisë këtë vit”, ka thënë zëdhënësi i Formula 1. “Do të kishte ndikim të madh në dhjetëramijëra vende pune të lidhura me Formula 1 dhe zinxhirin furnizues. Nëse duam që të kthehen në TV gjitha sportet elitare, atëherë duhet të bëhen përjashtime”.
Shtatë nga dhjetë skuadrat e Formula 1 kanë seli në Angli.
Formula 1 planifikon t’i organizojë garat e para të stinorit në Austri, ku gjithë anëtarët e skuadrave do të testohen vazhdimkisht për virusin, do të fluturojnë me aeroplanë private dhe do të evitohet kontakti me persona nga jashtë.
Silverstone planifikon masa të ngjashme.
Karantina po ashtu rrezikon edhe përparimin e klubeve angleze të futbollit në Evropë. Manchester City dhe Chelsea janë në Ligën e Kampionëve, ndërsa Manchester Unitedi, Wolverhamptoni janë në Ligën e Evropës, siç është edhe Rangersi i Skocisë.
I pyetur në parlament për përjashtime, ministri i transportit, Grant Shapps, ka thënë se qeveria është në bisedime aktive për atë se çfarë mund të bëhet më tepër.