OPINION nga Mentor TAHIRI
Kur në Ballkan përmenden territoret, ajo/ai që i ka përmendur ndoshta do të niste edhe luftën për to sikur të mundte. Por një është e sigurt, territoret që moti janë shndërruar në kartën perfekte të manipulimit dhe të ideve të fshehta. Edhe kur realisht pretendime serioze nuk ka, e ndonjëherë edhe ka, diskursi mbi territoret sërish del si temë e politikës ditore. Ashtu ushqehen dhe mbahen gjallë nacionalizmat mediatik. Një kartë kjo shumë e përdorur nga politika, shpesh për të çorientuar qytetarët nga problemet e tyre reale, e shpesh edhe në pamundësi ose mungesë dëshire për të ofruar diçka tjetër.
Politika kështu flet mbi bashkimin, ndarjen, ripërcaktimin, mbrojtjen, shkëmbimin e territoreve për qëllime “humane”. Këta zëra politik fillimisht mund të jenë joformal në relacion me politikën zyrtare, por lehtë duke shërbyer si test për eventualisht një politikë zyrtare të mëvonshme. Së fundmi jemi dëshmitarë të disa propozimeve brenda botës intelektuale shqiptare për shkëmbim territoresh, një version ky më i butë por në parim i njëjtë me teorinë e disa qarqeve politike serbe për ndarjen e Kosovës. Të dyja konceptet qartazi nuk dëshirojnë konsolidimin e Shtetit të Kosovës.
Në thelb, lënë anash luftën për liri dhe mbijetesë biologjike (sikurse Kosova dhe banorët e saj), armët në Ballkan kishin motiv kyç territoret. E tëra është e ndjeshme, ngase territori në Ballkan ka simbolikën e etnisë edhe gjuhës, diku thjeshtë të superioritetit, diku është ekonomi. Territori në Ballkan lehtë krijon mitet dhe del nga to, është brenda në virtualitetin e mentalitetit që i paraqitet publikut si kallëp se si duhet menduar. Megjithatë, Ballkani nuk është e vetmja pjesë e kontinentit të vjetër ku një etni apo gjuhë e njëjtë ndahet nga ana e kufijve shtetërorë. Veçse këtu ndërmjet Ballkanit dhe pjesës tjetër të Evropës, sot ka një dallim. Në kontinentin e vjetër, etnitë dhe gjuhët me shtrirjen e tyre vërtetë kalojnë kufijtë, por krijojnë gërshetime interesante kulturore, e madje edhe identitete e sub-identitete si produkt të këtyre gërshetimeve. Mbase është një proces krejtësisht i natyrshëm. Prandaj ekzistojnë Belgjika, Luksemburgu, Strasburgu, Zvicra. Këto identitete dhe sub-identitete nuk zhbëjnë historinë e as nuk i konkurrojnë krenarisë mbi përkatësinë etnike apo gjuhësore. Gjithsesi, as nëpër kontinent, harmonia nuk është kudo krejtësisht idilike, por është realitet i pranuar.
Kështu kufijtë ku preken periferitë e botës romane me atë gjermanike, i japin sharmin vetë konceptit “Evropë”. Këta kufij të bashkimit roman me atë gjermanik, shtrihen nga bregdeti belg e deri në Alpe. Diku ka diktuar politika, e diku ky proces i natyrshëm është pikërisht ai që diktoi politikën. Shembull, Maqedonia e një të ardhmeje jo shumë të largët mund të jetë vend gërshetimi i barabartë i konstituivitetit shqiptar dhe maqedonas (sllav), duke e evoluar vetë identitetin e sotëm shtetëror të Maqedonisë në një identitet të mirëfilltë qytetar. Sado që u duk lajm dhe gati spektakël, përcaktimi i banorëve të Haraçinës së Shkupit në zgjedhjet lokale të vitit 2017, për të votuar një parti tjetër dhe jo parti të identifikuar si shqiptare, fletë se shoqëria ka filluar të rezistojë anakronizmin e folklorizmave që po servohen agresivisht duke manipuluar me ndjenjat patriotike. Qartazi, qytetarët mund të dallojnë retorikën nacionaliste në s’përputhje me ambientin, retorikë kjo të cilës ka filluar t’i mungojë ndjeshmëria e prekjes së realitetit.
Kurse vetëm para më pak se dy dekadash, s’do mend se si do të ishin zhvilluar ngjarjet sikur shqiptarët dhe maqedonasit të kishin zgjidhje të ndarjes territoriale që do të plotësonte pritshmërinë etno-historike të dy palëve. E këtu padyshim pika më kritike do të ishte Shkupi. Në një lojë goxha të ngjashme urbano-territoriale, diktatori i dikurshëm serb Millosheviq, patë bërë zgjidhjen “makiaveliane” për Sarajevën. Kur në Dejton po diskutohej që Sarajeva të jetë një distrikt neutral me status të veçantë territorial, diktatori serb hoqi dorë krejtësisht nga Sarajeva dhe e la në kuadër të entitetit më shumicë boshnjake e kroate, ngase nuk donte të linte një “peng” territorial të pazgjidhur që do të frenonte një ditë ambiciet për shkëputjen e entitetit serb nga Bosnja dhe Hercegovina. “Makiavelistët” në politikë, e të tillë mund të jenë edhe diktatorët, shpesh janë në pozita të zgjedhin kur dëshirojnë ndarje definitive të territorit, apo edhe kur dëshirojnë që vet territori të jetë urë lidhëse.
Në rastin e shqiptarëve, vazhdimësia etnike kalon kufijtë shtetërorë shumëfish. Sa i përket ekzistimit të dy shteteve me shumicë shqiptare sot, ky është një fakt që e prodhuan rrethanat historike e politike, si dhe së fundmi konteksti i përgjithshëm në politikën ndërkombëtare. Kjo nuk ka ndodhur vetëm me shqiptarët, por ka ndodhur edhe me gjermanët, rumunët, holandezo-flamanët, frankofonët, pjesërisht me irlandezët, ka raste të shumta gjithandej. Dallimi substancial qëndron në faktin se vet Kosova si shtet, është kompromis historik i shqiptarëve për të fituar lirinë. Rrethanat nëpër të cilat kaluan shqiptarët, imponuan që kërkesat për liri dhe pavarësi të orientohen drejt krijimit të një identiteti të veçantë shtetëror. Më saktë, për identitetin e veçantë modern të Kosovës, shqiptarët filluan të mendojnë atëherë kur e kishin të qartë se liria e tyre nuk projektohet dot ndryshe. Nuk ishte këtu në pyetje vetëm adresimi para komunitetit ndërkombëtarë, por edhe mosinteresimi për shkaqe të ndryshme nga ana e Tiranës zyrtare. Projekti i quajtur “Shteti i Kosovës” bëri të mundshme lirinë. Sot, Shteti i Kosovës është realitet dhe mbi të gjitha është fitorja moderne më e madhe politike e shqiptarëve.
Ajo që sot paraqet një problem mjaft të madh në botëkuptimet politike dhe jo vetëm ato, është mungesa e vullnetit për të dalluar identitetin etnik me atë shtetëror. Në këtë drejtim, ka tendencë që ekzistimi i shtetit të Kosovës të prezantohet si diçka që bie në kundërshti me identitetin etnik. Madje, shumë segmente të këtij diskursi vijnë edhe si pasojë e keqkuptimeve gjuhësore ku kombëtarja (nacionalja) dhe etnikja po ngatërrohen. Shteti i Kosovës nuk duhet të shihet si një pengesë në këto relacione. Por, ka mundësi që jo të gjithë shqiptarët e Kosovës mendojnë njëjtë në këtë drejtim, disa qarqe politike nuk e fshehin aspak se Shtetin e Kosovës e shohin vetëm si një fazë tranzitore.
Thellë në qendër të vijës ndarëse të qëndrimeve politike që Kosovën e ndjejnë si shtetin e tyre të vetëm, si dhe të ideve që e shohin Kosovën vetëm si krijesë të përkohshme, fshihen dëshirat dhe propozimet për ri-dizajnim territoresh etnike apo edhe ndarje. Pashmangshëm këtu ka edhe implikime ideologjike, por tepër anakronike tani. Mund të ketë edhe nostalgji që ndërlidhet me fatin e atdheut shqiptar në tërësinë e tij historike, por Shteti i Kosovës nuk është fajtor për këtë. Këto dëshira do të mbesin përplot me kondicion përderisa qëllimisht apo nga naiviteti, me anë të destabilitetit në kontinuitet të cilin po e prodhon politika, vazhdon të sabotohet si Shteti i Kosovës, ashtu edhe përmbyllja e subjektivitetit të tij ndërkombëtarë. Mund të jetë sekret publik apo jo, vështirë e rastësishme megjithatë, por që nga shpallja e fundit e pavarësisë së Kosovës, temat destabilizuese të cilat po e sabotojnë Shtetin, po prodhohen si me shkop magjik.
M.T.