Gazetar: Adnan Qaili
Në intervenim u vënë shërbimet komunale të emergjencave civile. Punonjësit e Ndërmarrjes Publike Komunale “Tetova” dhe Njësitit të Zjarrfikësve rajonal kanë dal në terren për të evituar pengesat dhe për të mundësuar qarkullim të lirë të qytetarëve. Duke pasur parasysh intensitetin e reshjeve të shiut shërbimet janë ballafaquar edhe me vështirësi të hapjes së pusetave. Nga shërbimet komunale thonë se shiu i rrëmbyeshëm ka nxjerr në sipërfaqe edhe ujërat fekale, duke alarmuar për rrezik të infeksioneve, shkruan Alsat.
“Qyteti u ballafaqua me mënjanimin e shpejtë të ujërave të zeza. Pasojat ishin të ndryshme, ne si ekipe dolëm në terren në pikat e ndjeshme të drenimit që i quajmë ne pusetat për drenim të ujit që në situata të tilla në pjesën e poshtme vjen deri të zënia e tyre në pamundësi të intervenimit të shpejtë sepse reshjet ishin të rrëmbyeshme arritëm që brenda dy ore ta sanojmë dhe filloi të kullohet i gjithë qyteti nga ujërat e zeza dhe ujërat fekal të shkojnë nëpërmjet kolektorit në Lumin Vardar.”
Reshje të shiut ka pasur edhe gjatë natës ku më keq e kanë pësuar fshatrat në Malësinë e Tetovës. Vërshimet kanë shkaktuar edhe rrëshqitje të dheut dhe gurëve duke bërë rrugët malore pothuajse të pa kalueshme drejt atyre vendbanimeve. Kreu i Komunës Bilall Kasami, fajin e hedh tek paraardhësja e tij, Teuta Arifi. Sipas tij rrugët e reja që i promovoi Arifi nuk i plotësojnë aspak standardet.
“Pas reshjeve të mëdha të shiut dhe motit të përkeqësuar në vendin tonë, shumë rrugë në Malësinë e Sharrit u bllokuan. Rruga Shipkovicë-Brodec, tek ura e re momentalisht është duke u punuar me intensitet të lartë për tu pastruar nga rrëshqitjet e dheut. Ura e re e cila u lëshua në përdorim nga udhëheqësia e kaluar duke mos përmbushur asnjë kriter, nuk ka arritur tu bëj ballë reshjeve të shiut!”, tha Bilall Kasami, Kryetar i Tetovës
Deri më tani raportohet vetëm për dëme materiale, automjete të ngecura në ujë dhe pajisje elektronike të ngecura në bodrume. Dëmet janë të mëdha edhe në të mbjellat bujqësore, si në kopshte të fruta perimeve dhe në grurin e misrin, që janë më së të nevojshme në këtë kohë krize për ushqimet bazë. /Alsat.mk