Kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami nuk do të merr pjesë në darkën e Edi Ramës me krerët e partive politike shqiptare. Sipas tij, ky është një takim i iniciuar nga Ali Ahmeti dhe Artan Grubi për të mbuluar dështimet e tyre ndër vite dhe për të mos dhënë llogari mbi mosrealizimin e pikave nga Deklarata e përbashkët e partive politike shqiptare e nënshkruar në vitin 2016. “Lëvizja BESA dhe Kryetari Bilall Kasami, nuk do të ulet në një tavolinë me ata që dështuan të drejtojnë qeverinë në vend. Tani, në vend që të dalin para popullatës të kërkojnë falje dhe të shpallin zgjedhjet e parakohshme, ata kërkojnë sërish ndihmën e Edi Ramës. Ne ishim gjashtë vite më parë tek Edi Rama në takim, ku edhe u zotuam për realizimin e disa pikave me interes për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, por kjo marrëveshje, mbeti në Shqipëri dhe këndej kufirit asnjëherë nuk e pa dritën. Sepse, kështu vendosi Artan Grubi dhe Ali Ahmeti. Kemi kërkuar disa herë takim të përbashkët të liderëve politik, por nuk u realizua”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa. /Alsat.mk