
Transport publik pa pagesë, subvencionim për çdo fëmijë që do regjistrohet në klasë të parë me nga 100 euro, ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit, kanalizimi fekal për Tetovën por edhe ndërtimi i Teleferikut për në kodër të Diellit. Këto ishin zotimet që sot i bëri kandidati për kryetar të komunës së Tetovës nga radhët e VLEN-it, Bilall Kasami.
Kasami tha se faza e parë e investimeve në gati çdo rrugë të Tetovës është kryer, tani qyteti duhet të merr hov për investime të reja dhe modernizim të qytetit.
“Para katër vitesh dola para jush që të kërkoj besimin tuaj për ta ndaluar shkatërrimin e Tetovës, ju gjykuat drejtë dhe iu përgjigjët thirrjes sonë duke na dhënë besimin që ta nxjerrim Tetovën nga errësira në dritë, nga kaosi në normalitet, nga borxhi drejtë zhvillimit, dhe nga papastërtia në rend dhe zhvillim. Sot dalë ballë hapur dhe krenar para jush, duke ditur mirë se në këto katër vite, dhashë gjithçka nga vetja që Tetovën ta bëjmë më të mirë. Nuk ka lagje në Tetovë e rrethinë që nuk kemi zgjidhur të paktën një problem apo nevojë të qytetarëve tanë. Të nderuar, mandati i parë ishte i mandat i ndërhyrjeve emergjente, i zgjidhjeve të problemeve elementare dhe rregullimit të infrastrukturës bazë. Ne jemi gati që Tetovën ta çojmë në një nivel tjetër të zhvillimit, sepse Tetova nuk guxon të kthehet në epokën e anarkisë, kaosit, keq menaxhimit dhe korrupsionit”, deklaroi Bilall Kasami VLEN. /Alsat.mk



