Arben Taravari nuk do të jetë pjesë e Qeverisë, por në pushtetin ekzekutiv mund të mbesin anëtarët e Aleancës për Shqiptarët që nuk pajtohen me të, deklaro sot në Tetovë Bilal Kasami në përgjigje të pyetjes së një gazetari për atë se çfarë janë dakorduar si koalicion “VLEN” me kryeministrin Hristijan Mickoski. Sipas Kasamit, që të bëhen ndryshime në Qeveri do të duhet më shumë kohë, megjithëse dje tha se do të ketë hapa konkretë në këtë drejtim në ditët në vijim.
“Ne kemi vendosur që në periudhën e ardhshme të punojmë së bashku për të siguruar që Arben Taravari, si bartës kryesor i idesë së bashkëpunimit me BDI-në, të mos jetë pjesë e Qeverisë. Ekziston një marrëveshje që kushdo që bashkëpunon me Ali Ahmetin nuk mund të jetë pjesë e Qeverisë në këtë situatë. Për dinamikën dhe modalitetet se si do të zbatohet kjo që nga momenti që të kemi një zgjidhje konkrete, sigurisht që do ta informojmë opinionin, sepse nuk është një çështje e thjeshtë. Nëse biem dakord që do të ketë reformë të qeverisë, do të duhet të shohim se kush do të duhet të largohet dhe kush do të duhet të vijë, sepse shohim se edhe në këtë situatë ka disa palë të interesuara në qeveri që janë pjesë e partisë së Arben Taravarit, të cilët nuk pajtohen me të”, tha Kasami.