Të qenit bashkëkryesues i dialogut me Serbinë shefi i tij partiak, për kryetarin e Kamenicës, Qendron Kastrati, është avantazh për shtetin e Kosovës, sepse, siç thotë ai, Shpend Ahmeti e ka dijen dhe guximin për t’u ballafaquar me shtetin serb.
Nënkryetari i PSD-së, Qendron Kastrati në një intervistë për KosovaPress, shprehet se qasja e Ahmetit dallon nga të gjithë të tjerët.
Kryetari i Kamenicës thotë se Ahmeti do të dëshmojë se do të ketë rol përafrues që do të përfshinte gjithë ata që ka nevojë, përfshirë shoqërinë civile për dialogun me Serbinë.
Sipas tij, ndryshe nga ata që nuk kanë guxim, i pari i kryeqytetit duhet të shfrytëzojë kapacitetin dhe potencialin e tij në shërbim të Kosovës.
“Unë mendoj që Shpend Ahmeti është jashtëzakonisht i qëlluar për ta ndihmuar, bashkëdrejtuar këtë delegacion shtetëror. Ai ka dëshmuar që qasja e tij është më përafruese dhe do të përfshinte, krijonte mundësinë të përfshiheshin të gjithë ata që kemi nevojë, përveç subjekteve që janë në Parlamentin e Kosovës. Unë mendoj që e ka guximin, problemi është tek ata që nuk po e kanë guximin. Kryetarin Ahmeti, realisht unë e vlerësoj shumë se po tregon se ka gatishmërinë dhe guximin të shfrytëzojë kapacitetin dhe potencialin dhe të tij, por dhe të subjektit, neve, për diçka që është Kosova”, tha i pari i komunës së Kamenicës.
Në lidhje me përmbajtjen e Rezolutës, ai theksoi se ajo është shumë përmbajtjesore. Të rëndësishme e konsideron referendumin. Sipas tij, tashmë për çfarëdo vendimi në Dialog me Serbinë do të pyetet qytetari.
Ndërsa, për kritikuesit e kësaj Rezolute, Kastrati tha se të gjitha po bëhen për qëllime të caktuara dhe për të keqinformuar qytetarët.
“Ne duhet të kuptojmë këtu, nuk kanë me qenë emra të përveçëm, delegacioni shtetëror iu krijon mundësi të gjitha subjekteve që janë të përfaqësuara në Kuvend të marrin pjesë dhe vendimet do të merren me konsensus. Çka është shumë me rëndësi të theksohet është se parashihet edhe referendumi, pra për herë të parë në Kosovë, një marrëveshje me Serbinë qytetarët të japin mendimin e tyre, a është në rregull apo jo. Normalisht, Kuvendi i Kosovës duhet të marrë mendimin e qytetarëve, në kuadër të asaj të nxjerrë vendimin e çfarëdo marrëveshjeje që ka me shtetin serb. Për mua janë shumë të ulëta këto qëllime se si individë të caktuara, subjekte të caktuara, mundohen të përfitojnë ose keqinformojnë vetëm për të arritur të përfitojnë për vete, ose si subjekte”, shtoi Kastrati.
Kurse, për refuzimin e dy partitive opozitare për bashkëngjitje në dialogun me Serbinë, Kastrati është shprehur se këto po mundohen të përfitojnë nga situata dhe po i shikojnë interesat personale.
Sipas tij, frika e LDK-së dhe VV-së është e paqëndrueshme, sepse siç thotë ai, asnjë marrëveshje ndërkombëtare nuk mund të kalojë pa shumicën në Kuvend.
“Për mua kjo është problem sepse po e mendon vetëm veten… Marrëveshjet shtetërore janë çështje të Kuvendit të Kosovës. Unë nuk e kuptoj kur dikush, në veçanti LDK dhe VV, po shqetësohen për diçka që do të vijë në Kuvend dhe do të votohet prej tyre. Marrëveshjet ndërkombëtare duhet të votohen me dy të tretat, tetëdhjetë deputetë, nuk është e mundshme asnjë marrëveshje të bëhet pa votat e LDK-së ose VV-së”, është shprehur ai.
Sa i përket shtrirjes në terren të PSD-së, kryetari i Kamenicës beson se partia që ai përfaqëson do arrijë që në zgjedhjet e ardhshme të ketë një rol të rëndësishëm në skenën politike.
Kastrati konsideron se PSD-ja përbëhet prej njerëzve më të aftë që kanë qenë në Lëvizjen Vetëvendosje, siç thotë ai, i gjithë skeleti i VV-së ka kaluar në PSD.
“Realisht është duke shkuar mirë shtrirja e PSD-së në terren, ka shumë të interesuar të përfshihen në një subjekt socialdemokrat dhe është me rëndësi të theksohet se skeleti i LVV-së, tash fatkeqësisht kanë dal prej këtij subjekti për shkak të qasjes së LVV-së. Mos të harrojmë që ata njerëz kanë jashtëzakonisht përvojë dhe dije, se si bëhen politikat dhe si organizohen”, deklaroi Kastrati.
Përndryshe, bashkë me Shpend Ahmetin, bashkryesues i delegacionit shtetëror për bisedime me Serbinë është edhe Fatmir Limaj.