Sakte.net / E hënë, 10 Tetor 2016 – 16:28
Presidenti i Republikës së Kosovës, gjatë një konference të jashtëzakonshme për media, ka thënë se arsyeja e parë pse e ka ftuar këtë konferencë është që publikisht të përgëzoj sistemin e drejtësisë për punën e suksesshme në vitet e fundit.
Sipas tij, falë këtij angazhimi është ngritur një sistem të gatshëm për tu përballur me sfida të ndryshme.
“Sistemi i drejtësisë është ngritur nga zeroja duke ngritur kapacitetet dhe infrastrukturën ligjore. Çdo ditë po shohim rezultate konkrete në instalimin e rendit dhe ligjit. Ftoj të gjithë qytetarët që të bashkohen në vlerësimin e tyre të sistemit të drejtësisë. Gjithsesi mund të bëhet edhe më shumë”, ka thënë fillimisht Thaçi.
Megjithatë, sipas tij, tani institucionet e drejtësisë në Kosovë, tanimë kanë marrë në duar përgjegjësi që nuk i kemi pasur asnjëherë.
Duke u nisur nga mandati i tij si garantues i Kushtetutës, dhe siç ka thënë duke u inspiruar edhe nga sukseset e sistemit të drejtësisë, ai ka bërë të ditur se u ka dërguar 4 letra në adresë të Prokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokurorial, për të inkurajuar që tu kushtojnë një vëmendje të veçantë krimeve të kryera në disa faza.
Letra e parë, siç ka bërë të ditur Thaçi, ka të bëjë me krimet e luftës në Kosovë, gjatë luftës, siç janë masakrat në Reçak, Prekaz, Grashticë…, dhe këto sipas tij, duhet të marrin trajtimin e duhur nga drejtësia.
Në letrën tretë, ka shtuar më tej Thaçi ka kërkuar që një vëmendje të veçantë ti kushtohet një prej krimeve, dhunimit të vajzave dhe grave, gjatë luftës së vitit 1998-1999.
“Kjo plagë është mbajtur e fshehur për kohë të gjatë, fatkeqësisht”, ka thënë Thaçi.
“Në letrën e katërt, e inkurajova zyrën e Prokurorit dhe Këshillin Prokuroria, që vëmendje ti kushtohet edhe shkatërrimit të trashëgimisë kulturore. Shkatërrimi masiv i kultit islam dhe katolik ka ndodhur gjatë luftës 1998-1999. Sipas studimeve, mbi 200 objekte dhe 5 kisha katolike janë shkatërruar apo dëmtuar në mënyrë sistematike. Gjithashtu pjesë e trashëgimisë serbe ortodokse në Kosovës janë dëmtuar pas luftës”, ka thënë ndër tjerash presidenti Hashim Thaçi. /Telegrafi/