Katër opsionet ku do ta kalojë burgun e përjetshëm monstrumi Mladiq

Me shqiptimin e aktgjykimit kriminelit të luftës Ratko Mladiq, në publik nisën të paraqiten versione të ndryshme se ku do ta kalojë i ashtuquajturi “monstrum nga Kalinovniku” burgun e përjetshëm, ndërsa “në lojë” janë disa opsione, përcjell Gazeta Express.

Në rast se Tribunali e konfirmon vendimin e shkallës së parë që ia shqiptoi dje Mladiqit, para këtij gjakpirësi gjenden katër skenarë të ndryshëm lidhur me vendin ku do ta vuajë dënimin, shkruan “Dnevni avaz”.

Sipas Berko Zeçeviqit, ekspert ushtarak dhe dëshmitarë i Gjyqit të Hagës në rastin kundër Radovan Karaxhiqit, i cili u dënua me 40 vjet burg, Mladiqi dy vitet e ardhshme sigurisht do t’i kalojë në burgun e Hagës.

“Mladiqi ka të drejtë ankese dhe besoj se mbrojtja e tij këtë do ta shfrytëzojë. Kjo njëkohësisht do të thotë se Mladiqi në Hagë, në burgun e njëjtë ku gjendet momentalisht, do të kalojë të paktën dy vjet. Pres që aq kohë të kalojë deri kur të përfundon procedura ankuese dhe të konfirmohet aktgjykimi i shkallës së parë”, ka thënë Zeçeviq për “Avaz”, përcjell Expressi.

Në përmendjen nga ana e gazetës të katër skenarët e mundshëm – Haga, Serbia, Rusia dhe Skandinavia, Zeçeviq është shprehur se Serbia nuk mundet të shprehë dëshirën që ta pranojë Mladiqin për vuajtjen e dënimit të përjetshëm.

“Është vështirë në këtë moment të flitet se cili është skenari ideal nga këta katër që u përmendën. E para, një vend duhet të shprehë dëshirë që ta pranojë Mladiqin për vuajtjen e dënimit me burg të përjetshëm. Serbia nuk mund të shprehë dëshirë, sepse ai nuk mund të jetë në burg në cilindo prej shteteve në të cilin ka ndodhur konflikti. Rusia në aspektin juridik-formal mund të shprehë dëshirë, por më reale është që kjo të jetë Skandinavia, megjithëse për këtë është herët të flitet”, mendon Zeçeviqi.

Këta janë katër skenarët:

SKENARI 1: Qelia e Hagës

Mladiqi në qelinë në Hagë tashmë i ka kaluar gjashtë vjet. Sipas Zeçeviqit, aty do të mbetet edhe të paktën për dy vjet. Edhe bashkëbisedues të tjerë të gazetës boshnjake, të afërt me Tribunalin e Hagës, kanë thënë se gjasat që Mladiqi të largohet nga Haga edhe pas këtyre dy viteve janë të vogla. Në favor të kësaj teze shkojnë disa fakte, në radhë të parë ai se më shumë se një dekadë fshihej nga Gjykata e Hagës.

SKENARI 2: Skandinavia

Në Suedi në dy burgje gjashtë vite i kaloi kriminelja e dënuar e luftës Biljana Plavshiq. Atë Gjykata e njëjtë në shkurt të vitit 2003 e dënoi me 11 vjet burg, kurse në shtator 2009 lejoi lirimin e parakohshëm pasi që i kishte vuajtur dy të tretat e dënimit.

Plavshiq nga Haga u transferua në burgun Hilsenberg, ndërsa para fundit të dënimit përfundoi në burg në Stokholm.

Tribunali ia pranoi kërkesën për lirim të parakohshëm për shkak të moshës së shtyrë, gjendjes së rënduar shëndetësore, por edhe për faktin se i pranoi krimet që i kishte kryer në Bosnjë.

Mladiqi këtë kusht nuk e përmbush.

SKENARI 3: Rusia

Rusia në mars të këtij viti zyrtarisht e njoftoi Tribunalin e Hagës se është e gatshme t’i ofrojë vendosje dhe trajtim mjekësor kriminelit Mladiq. Këtë e ka konfirmuar shefja e grupit juridik pranë Ambasadës ruse në Amsterdam Viktoria Gonçarova.

Moska ishte zotuar se do të bënte edhe kthimin e Mladiqit në Hagë, në pajtim me të gjitha kërkesat që Tribunali do t’i bëjë. Por, Haga këtë kërkesë e refuzoi – tash për tash.

SKENARI 4: Serbia

Serbia vazhdon të japë garanca për, gjoja, shërbime mjekësore për Mladiqin në shtetin e vet. Ministrja serbe e Drejtësisë Nela Kuburoviq ka theksuar se Qeveria e Serbisë edhe më tej jep garanci për shërim në Serbi, me konstatimin se garantojnë edhe se nuk do të ikë.

Siç theksoi edhe Zeçeviqi, për ëndrrat e këtilla të Mladiqit dhe të gjithë kriminelëve tjerë, është pothuajse e pamundur që të realizohen./Gazeta Express/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme