Në intervistën e saj në 1TV , prokurorja e Prokurorisë Speciale Publike, Katica Janeva është pyetur edhe për lëndët që kanë të bëjnë me politikanët nga radhët e BDI-së. E pyetur nëse PSP po kursen politikanët e BDI-së, Janeva ka demantuar, duke përmendur rastin “Pacienti” ku i dyshuar është zëvendës kryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani, si dhe rastin ‘Regjistrimi’ ku dyshohen kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dhe ish kryeministri Nikolla Gruevski, që tani gjendet në arrati, transmeton Gazeta Lajm.
“Si e Sqaroni faktin se në hetimet tuaja ka shumë pak funksionarë të mëhershëm dhe të tanishëm të BDI-së? A do të jetë zv/kryeministri Bujar Osmani objekt i hetimeve të mëtejme?”, ishte pyetja e gazetares.
“Hetimet vazhdojnë, ende. Dhjetëra hetime vazhdojnë, mes të cilave edhe hetimet për ‘Regjistrimin’ dhe hetimet për Bujar Osmanin. Te ‘Regjistrimi’ është i dyshuar zotëri Ali Ahmeti, kurse kemi edhe lëndë tjera ku ka të dyshuar shqiptarë, siç është rasti ‘Titanik 3’”, u përgjigj Janeva.
Intervistën e plotë mund ta përcillni në videon më poshtë, kurse pjesë për funksionarët e BDI-së zhvillohet nga minuta 45.