Preferencat politike të të rinjve janë të lidhura ngushtë edhe me politikanët e tyre të preferuar, në kuptimin e një modeli që të rinjtë e shohin si më të duhurin për ta ndjekur.
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), mbajti tryezën e diskutimit “Qëndrimet dhe sjelljet e votuesve të rinj”, gjatë së cilës u publikua Raporti i hulumtimit të opinionit lidhur me qëndrimet dhe preferencat politike të të rinjve.
Sipas këtij hulumtimi, megjithatë përqindja e të rinjve të cilët nuk e shohin asnjë politikan aktual si model që duhet ndjekur, është më e lartë se përqindja e politikanit që shihet si model.
Rezultatet tregojnë se 25.2 për qind e të rinjve nuk kanë asnjë politikan model.
Përqindje më e theksuar e të rinjve që nuk kanë asnjë politikan model vërehet rek të rinjtë e komunitetit serb, me 81 për qind. Kurse pjesa tjetër e të rinjve kanë dhënë mbi 50 emra të politikanëve që kanë model, shkruan Koha.net.
Kësaj liste i prin Albin Kurti, që shihet si model nga 13.7 për qind e të rinjve.
Pas tij, si politikani më popullor është Ramush Haradinaj me 7.8 për qind, Vjosa Osmani me 7.4 për qind, Shpend Ahmeti me 7.3 për qind, Hashim Thaçi me 7 për qind dhe Kadri veseli me 5.8 për qind.
Bazuar në ndarjen etnike të të anketuarve, politikani model shqiptar është Albin Kurti me 14.4 për qind, ndërsa tek të rinjtë serb Slavko Simiq me 10 për qind.